Beograd, 15 nëntor – Në fund të takimit të nismës rajonale “Ballkani i hapur”, që u mbajt në Nish prej 12 deri më 14 nëntor, në të cilin morën pjesë ministrat e Financave dhe Bujqësisë, Punës dhe Punësimit të qeverive të Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, u nënshkruan dy konkludime nga takimet e punës, me të cilat janë definuar të gjitha aktivitetet që duhet të zbatohen deri në samitin në Tiranë në fund të dhjetorit, e të cilat do të kontribuojnë për lehtësim të tregtisë, bashkëpunimit në sferën e sigurisë së ushqimit, inspektimit fitosanitar dhe veterinar, si dhe qasjen e lirë drejt tregut të punës për qytetarët e të tri vendeve, kumtuan nga Qeveria serbe.
Sipas kumtesës, siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, Konkludimin e parë e nënshkruan ministri i Financave në Qeverinë e Serbisë, Sinisha Mali, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Branisllav Nedimoviq, ministrja për Tregti, Turizëm dhe Telekomunikime, Tatjana Matiq, më pas ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Qeverinë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Frida krivca dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimkovski. Në nënshkrimin e tyre morën pjesë edhe kryetari i Odës ekonomike të Serbisë, marko Çadezh, i cili ishte nikoqir i tubimit, si dhe kryetarja e Lidhjes së odave ekonomike dhe industriale në Shqipëri, Ines Muçostepa dhe përfaqësuese të Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Aneta Dimkovska dhe Nena Nikollovska.
Me këtë dokument parashihet deri në fund të vitit të punohet intensivisht në vendosjen e sistemit për këmbim elektronik të të gjitha dokumenteve të nevojshme, deklaracioneve doganore, certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe në përmirësimin e sistemeve ekzistuese. Zbatimi i kësaj mase dukshëm do të kontribuojë për pritje më të vogël të kamionëve nëpër kufij. U dakordua që deri në fund të vitit, të tri vendet të vendosin sistem ku të gjitha shërbimet kufitare, përfshirë edhe inspektimin fitosanitar, do të punojnë 24/7.
Konkludimi nga takimet e punës parasheh formim të grupit të përbashkët punues deri në fund të nëntorit, i cili do të merret me harmonizimin e politikës tatimore të tri vendeve tona, kumtuan nga qeveria serbe.
Në konkludimin e dytë nënshkruan ministrja serbe e Tregtisë, Turizmit dhe telekomunikimeve, Tatjana Matiq, ministrja serbe e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Sociales, Daria Kisiq Tepavçeviq, ministrja shqiptare e Financabe dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimkovski.
Me këtë konkludim parashihet nënshkrimi i marrëveshjes me të cilën do të mundësohet qasje e lirë drejt tregut të punës së qytetarëve të tri vendeve. Ata do të mund të qëndrojnë lirshëm dhe të punojnë në territorin e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Tiranë, Shqipëri, në fund të dhjetorit do të mbahet samiti në të cilin do të bisedohet për atë që është bërë ndërkohë dhe cilat janë planet e ardhshme për shfrytëzimin e potencialit të plotë të kësaj nisme, kumtuan nga qeveria serbe.
Nismën rajonale “Ballkani i Hapur” e ngritën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.