Agjencia Zhurnal.mk.

Qeveri pa BDI – Kur egoja është më e rëndësishme se qëllimi

Në politikë nuk ka miqësi apo armiqësi të përhershme. Të përhershme janë vetëm interesat. E, të përkohshëm janë politikanët me ego të madhe. Parimet dhe vlerat kanë rëndësi në politikë, pasi janë brumi i ideologjisë, por në fund të ditës peshojnë më pak sesa interesat konkretë. Ndërkaq, liderët apo prijësit shquhen jo për nga fjalët, por për nga vendimet e aktet që ndërmarrin!

Shkruan: Xhelal Neziri

Politika është teatër emocionesh që ka një regjisor pragmatik. Në greqishten antike fjala pragmë ka nënkuptuar një punë që është kryer, një fakt. Në kontekst politik, pragmatizëm do të thotë shfrytëzimi i fjalëve, mendimeve apo emocioneve për të bërë një aksion apo plan konkret. Gjithçka është në funksion të qëllimit përfundimtar. Pragmatizmi i mat politikat vetëm me rezultatin e tyre final, e jo me shkallën e promovimit të një ideje. Ideja dhe ideali janë shumë të rëndësishëm për mobilizimin e masave, pasi përbëjnë atë që quhet ideologji, por në fund duhet përveshur mëngët që të kryhet puna që duhet bërë. Liderët apo prijësit ndërkaq shquhen jo për nga fjalët, por për nga vendimet e aktet që ndërmarrin!

Problem paraqitet kur për qëllim kryesor në politikë vendoset kënaqja e egos personale apo e pjesës më të madhe të anëtarëve të një subjekti. Kjo ndodhi me kushtet që lideri i VMRO-PDMNE-së, Hristijan Mickovski, i vendosi në takimin që pati me kryeministrin dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Ai në tavolinë hodhi dy opsione për votimin e Propozimit Francez, i cili parasheh përfshirjen e bullgarëve etnik në Kushtetutë, si parakusht për vazhdimin e negociatave: Opsioni i parë – qeveri të zgjeruar që do të miratonte ndryshimet kushtetuese, të cilat do të hynin në fuqi në ditën e anëtarësimit të vendit në BE; dhe opsioni i dytë – miratim të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhje të shpejta të parakohshme, me garanci shtesë nga BE-ja se Bullgaria nuk do të bllokojë më tutje Maqedoninë e Veriut. Në të dyja opsionet VMRO-DPMNE ka një kryekusht: qeveri pa BDI.

Ky qëndrim i ngjanë pak a shumë barsoletës së dy miqve xhelozë që shkojnë në peshkim: pasi e hedhin grepin në lum po njëri nga peshkatarët kap peshkun e artë. Peshku i artë, si përherë, i thotë më lësho dhe do t’i plotësoj tri dëshira. Por, ia bën me dije se çdo dëshirë që do t’ia plotësojë atij, dyfishin do ta fitojë miku i tij. Dëshira e parë, thotë peshkatari, dua një shtëpi luksoze, por miku i fiton dy. Dëshira e dytë, thotë ai, dua një ton ari – mikut dy. Kur e sheh se më shumë fiton miku, peshkatari që kapi “peshkun e artë” e thotë me mburrje dëshirën e tretë: ma nxjerr njërin sy!

Nëse qëllimi i kushtëzimit të votimit të ndryshimeve kushtetuese është hakmarrja politike ndaj BDI-së, atëherë mund të thuhet se VMRO-DPMNE nuk ka për qëllim të fitojë pushtetin dhe të realizojë politikat e saja. Qëllimi i partisë së Mickoskit është largimi i BDI-së nga pushteti dhe pamundësimi i realizimit të premtimit bosht të saj në zgjedhjet e 2020-ës – kryeministër shqiptar. Anipse VMRO-DPMNE mund të mos marrë pushtetin edhe pas zgjedhjeve të vitit 2024!

Është fakt se ka një pezëm te një pjesë e anëtarësisë së VMRO-DPMNE-së, i shkaktuar nga BDI në vitin 2016, kur refuzoi vazhdimin e koalicionit dhe i mundësoi që LSDM-ja ta formojë qeverinë, edhe pse fitoi dy deputetë më pak. VMRO-DPMNE thotë se qeveria e formuar pas atyre zgjedhjeve është jolegjitime për maqedonasit etnikë, pasi nuk është respektuar vullneti i shumicës së votuesve. Kjo ishte një karmë për VMRO-DPMNE-në, e cila në vitin 2006 formoi qeverinë me PDSH-në, edhe pse BDI kishte fituar më shumë deputetë. Dy vite më vonë, BDI arriti t’i imponojë VMRO-DPMNE-së formimin e koalicionit qeverisës sipas parimit “fituesi me fituesin”, një bashkëpunim ky që zgjati deri në zgjedhjet e vitit 2016.

Ky raport i paqëndrueshëm në marrëdhëniet midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së deri tani, megjithatë, është karakterizuar nga pragmatizmi politik. Për shkak të stabilitetit të brendshëm politik dhe të sigurisë, VMRO-DPMNE pranoi koalicion me BDI-në, që deri atëherë e etiketonte si “grupim terrorist” shkaku i rrënjëve të saj në konfliktin e 2001-shit. Nga ana tjetër, BDI pranoi një koalicion me LSDM-në në 2016-ën për të zgjidhur problemin e emrit me Greqinë dhe për të ecur përpara drejt integrimit në NATO dhe BE, edhe pse ish-lideri i saj Zoran Zaev kishte publikuar “bomba” komprometuese për shumë figura të larta të “integristëve”.

Është fakt se që nga themelimi i saj në vitin 2002 e deri më sot BDI-ja ka qenë pjesë e çdo qeverie. Përjashtim bën periudha 2006-2008. Megjithatë, në çdo cikël zgjedhor partia e Ali Ahmetit ka dalë e para për nga numri i deputetëve.

Nëse fushata karakterizohet me emocione, formimi i qeverisë kërkon numra. Në zgjedhjet e vitit 2020 Zaevi një pjesë të konsiderueshme të fushatës e bëri me premtimin se do ta dërgojë BDI-në në opozitë. Por, pas zgjedhjeve e vazhdoi koalicionin pasi – numrat e imponuan dhe përcaktuan atë.

Në politikë nuk ka miqësi apo armiqësi të përhershme. Të përhershme janë vetëm interesat. E të përkohshëm janë politikanët me ego të madhe. Ata që egon e kanë më të madhe sesa peshën në partitë e tyre. Parimet dhe vlerat kanë rëndësi në politikë, pasi janë brumi i ideologjisë, por në fund të ditës peshojnë më pak sesa interesat konkretë. Nëse një punë duhet bërë, e që është në interes të të gjithëve, ajo duhet bërë edhe me dreqin. Emocionet dhe egoja personale nuk kanë vend në politikë. Nëse për një person më me rëndësi është egoja sesa qëllimi, atëherë ai nuk e ka vendin në një skenë politike vibrante, si kjo e Maqedonisë së Veriut.

Related posts

Disonanca simbolike politike e politikanëve Shqiptar në përgjithësi

Redaksia

Berisha më 2025 lufton të mundë Bashën, Ramën e di se nuk e ‘ha’ dot

Xh M

Sloganin “Ndyshimi Ka Nisur” e pret një punë e madhe. Cila është ajo ?

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy