Agjencia Zhurnal.mk.

Qershori po afrohet, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria po ecin me “hapa të breshkës”

Shkup, 3 maj – Samiti i qershorit po afrohet aty ku do të vendoset nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërkaq për një gjë të tillë është e nevojshme heqja e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve janë formuar edhe grupet punuese, e së fundmi edhe grupe të tjera që po organizojnë e planifikojnë takime fizike e virtuale. Por edhe përkundër gjitha këtyre përpjekjeve sërish po dëshmohet se drejt një zgjidhjeje të mundshme po “ecet me hapa të breshkës”, shkruan Zhurnal.

Krejt kjo si rezultat i përafrimit të qëndrimeve dhe zgjidhjes së një mundësie sa më shpejtë që është e mundur, sepse samiti i qershorit është shumë afër ndërkaq marrëdhëniet Maqedoni e Veriut- Bullgari së fundmi janë tensionuar dhe kontesti është thelluar edhe më shumë.

Këtë e ka bërë të ditur edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve bullgarë se Sofja ka refuzuar propozimin e fundit për zgjidhjen e kontestit, për përmbajtjen e të cilit opinioni ende nuk është njoftuar në detaje.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë njoftuar se bëhet fjalë për një propozim të Portugalisë, gjatë presidencës së këtij vendi me BE-në, që nuk cenonte gjuhën maqedonase dhe që garantonte zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, të arritur më 2 gusht të vitit 2017.

Pavarësisht kësaj, Osmani ka thënë se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet të dyja vendeve do të vazhdojnë, pasi përveç BE-së, s’ka alternativë tjetër për Maqedoninë e Veriut.

“Unë nuk them se bisedimet do të nisin në qershor. Por, unë them se ne duhet të punojmë pasi nuk kemi alternativë tjetër. Ne, mund të heqim dorë nga bisedimet, siç bëmë me Greqinë para 15 vjetëve, që t’i humbim 15 vjet dhe sërish të ulemi dhe të bisedojmë. Ne, duhet të kishim mësuar nga e kaluara. Ne nuk guxojmë të heqim dorë, do të vazhdojmë me bisedimet dhe asgjë nuk do të shkojë në dëm të interesave të qytetarëve tanë. Çfarëdo që mund të arrihet do të jetë në kornizat e deklaratës së miratuar në Kuvend”, ka deklaruar Osmani.

Nga ana tjetër, Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Genchovska ka deklaruar se Maqedonia e Veriut duhet të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj, në mënyrë që të avancohet në procesin e integrimit evropian.

Megjithatë këto ditë ka takime mes palëve, mes tjerash informohet për takim virtual. Siç kumtoi Instituti për shkenca shoqërore dhe humane – Shkup, që do të jetë nikoqir virtual, tema në konferencë për shtyp është “Paraqitja e klubit të ri për fqinjësi bullgare-maqedonase dhe deklaratë për krijimin e tij me video konferencë në mes personaliteteve të njohura nga Sofja dhe Shkupi.

Po ashtu, ish-kryeministrat Ljubço Georgievski dhe Vlado Buçkovski janë të ftuar në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NPK) në Sofje të mërkurën, më 4 maj, ku do të mbahet konferenca “Perspektiva evropiane për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, do të mbahet nën kujdesin e presidentit bullgar Rumen Radev.

Tribuna e organizuar nga Instituti për kërkime historike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Institutit Shkencor të Maqedonisë së Veriut në kujtim të Goce Dellçevit do të mbahet në ditën e 119 vjetorit të vdekjes së figurës revolucionare maqedonase.

“Qëllimi është që të largohen raportet ndërmjet bullgarëve dhe maqedonasve nga “qorsokaku” në momentin që tani gjenden. Të krijohet një shoqëri qytetare aktive, me përfaqësues nga të dy vendet, të cilët do të punojnë në bazë të vlerave evropiane”, deklarojnë organizatorët rreth qëllimit të ekipit.

Ky klub planifikon që njohjen, mirëkuptimin dhe fqinjësinë e mirë ta realizojë përmes takimeve akademike, kulturore e sportive me qytetarë nga të dy vendet.

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. /Zhurnal.mk

Related posts

Mbretëria e Norvegjisë dhuron 76 automjete për Armatën e Maqedonisë së Veriut

D V

Ministrja Kostadinovska-Stojçevska për vizitë në Teatrin Turk

D V

Rezultatet fillestare të KSHZ-së: Gordana Siljanovska Davkova 362,682 (40,08%), Stevo Pendarovski 180,306 (19,93%)

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky