Agjencia Zhurnal.mk.

Qebapat dhe industria krijuese

Dy dekada më parë, bota nisi “ta bluajë” idenë e industrisë krijuese, respektivisht të mendojë rreth perspektivave ekonomike të bazuara në asociacionet dhe organizatat kulturore. Natyrisht, kjo nuk do të arrihej para se të formësohet koncepti mbi pronën intelektuale dhe t’i jepet kuptim esencial kësaj vlere. Strategji nacionale kineze tashmë nuk është “prodhuar në Kinë”, por ”krijuar në Kinë”!


Në industrinë krijuese u futën veprimtari artistike, si filmi, muzika, botimi, dizajni, trashëgimia kulturore, punimet artizanale etj. Natyrisht, kjo ide, fillimisht, nuk do të hasë në mirëkuptim nga ana e krijuesve, të cilët po mendonin se dikush po mundohet që artin e tyre, pronën intelektuale ta vlerësojë si industri! Sot, ky koncept, shihet si kontribuues më i madh në prodhimin bruto të vendeve të zhvilluara, sesa industria e ushqimit, apo e industrive të tjera. Industria krijuese në SHBA tashmë ka arritur në masë mbi 10 % të BBV-së, duke gjeneruar me qindra miliardë dollarë. Në shtetet e BE-së industria krijuese në BBV ndikon mesatarisht 4-5 %! Edhe në Maqedoninë e Veriut ka filluar të pranohet se arti dhe kultura mund të ndikojnë ndjeshëm në ngritjen e nivelit ekonomik të vendit. Natyrisht, që kur ka nisur zhvillimi i kësaj industrie është shtuar edhe një lloj i veçantë i turizmit – përveç të turistëve të zakonshëm, tashmë kemi turistë kulturorë, të cilët, pa dyshim që po gjenerojnë shumë më tepër të ardhura se sa turizmi i zakonshëm! Kjo ndërlidhet kryesisht me festivalet kulturore glamuroze dhe që zgjasin për ditë e javë të tëra.


Rrugicat e Shkupit nga Qendra në drejtim të Çarshisë së Vjetër janë përplot me stenda librash, reliktesh kulturore, me vepra nga artizanati, aty-këtu ndonjë bend, ndonjë këngëtar, ndonjë galeri shitëse, relikte etnologjike etj. Në shumicë, këto “prodhime” janë pronë intelektuale e maqedonasve, ndërsa shqiptarët edhe më tej merren me papuçe, me argjendari, me çajtore, me qebapa e donera! Pa dyshim, edhe këto “vlera” përfshihen në kulturën e përgjithshme të një etnosi, por që nuk i bëjnë gjithaq nderë. Në rrugën e “plastikaxhive” kemi shumë dyqane që ofrojnë “vepra arti” që po shiten, madje që po përdoren edhe për pajë, për dhuratë, për zbukurim të dhomave, zyrave, nga të rinjtë! Të gjitha këto punime të huaja, të pavlera, pa invencion e shpirt krijues, të dala mbase edhe nga “makineritë” që reprodukojnë në miliona kopje një peizazh, një “natyrë të vdekur”, një kompozicion të pakuptimtë, të gjitha këto të futura brenda kornizave që vlejnë shumë më tepër se sa vetë “punimet artistike”!


Pse mos të shitet prona intelektuale e piktorëve tanë qoftë të vendit, qoftë nga bota shqiptare e artit! Pse prona e tyre intelektuale, sikundër edhe e krijuesve të tjerë, të mos konceptohet si vlerë që mund të gjenerojë të ardhura që e përmirësojnë ekonominë e komunës dhe të vendit! Pse komunat shqiptare edhe sot e kësaj dite nuk kanë festivale të tipit të “Verës së Ohrit”, “Mbrëmjet Operistike të Majit”, “Festivali i Filmit “Vllezërit Manaki”! Deri kur do të vazhdojmë me organizime “kulturore” partiake sa për të përfituar ekskluzivisht partitë dhe organizatorët-militantët partiakë! Deri kur do të tolerohen dhe përkrahen “manifestime” të konceptuara në tezgë përfitimi për organizatorin! Një festival teatral duhet të organizohet sa për t’u përcjellë ekskluzivisht nga publiku prej aktorëve pjesëmarrës, apo duhet të vizitohet prej mijëra e mijëra qytetarë të vendit! Në buxhetin e komunave tona, në raportimin e llogarive përfundimtare, nuk mund të gjesh asnjë zë i të hyrave nga taksat e aktiviteteve kulturore, nga prona e “tjetërsuar” intelektuale, nga industria krijuese! Një maskotë origjinale, karakteristikë e shqiptarëve të këtij vendi dhe më gjerë, do të mund të gjeneronte të ardhura më shumë se çdo biznes tjetër manifakture! Është kohë e fundit që të mendohet për një strategji nacionale shqiptare në sferën e industrisë krijuese! Fatkeqësisht, në Maqedoninë e Veriut kemi më shumë të njohur kuzhinierë se sa intelektualë që me “mallin intelektual” të tyre kanë hedhur ndonjë hap foshnjarak në industrinë kulturore; kemi dhjetëra kiosqe gjevrekësh e simit-pogaçesh, ndërsa nuk kemi një galeri arti, një dyqan me vepra artizanati, kemi me dhjetëra shtëpi botuese dhe dy librari të cilat, çdo ditë e mendojnë mbylljen e aktivitetit, sepse nuk blihen librat! Gastronominë e kemi “të zhvilluar” më tepër nga halli për ta mbushur barkun, ndërsa nuk kemi nevojë për ushqim të shpirtit. Ose, thjesht, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut akoma nuk kanë dëgjuar për industrinë krijuese e jo më të kenë ndonjë koncept të qartë mbi këtë fenomen që ka marrë aq hov të madh në botën e civilizuar. \HEJZA\

Related posts

Diplomacia, në mes të misionit dhe profesionit…

Xh M

Dëmi që i bëri Shqipërisë bëri regjimi regresiv Berisha-Meksi

Xh M

Turizmi 2023, propaganda false, shifrat e Europës!

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy