Agjencia Zhurnal.mk.

Punëtorët në rrugë për paga më të larta, pagat e funksionarëve nuk do të ulen!

Shkup, 29 nëntor – Përderisa është rikthyer vala e protestave nga sindikata të ndryshme janë ngritur në këmbë dhe kanë dalë në rrugë për të kërkuar paga më të larta e status më të dinjitetshëm, kryeministri i vendit vjen me paralajmërime që pagat e funksionarëve nuk do të ulen. Ndryshe, funksionarët kanë marrë rritje marramendëse dhe të hovshme të pagave prej 78%, e këtë ngritje shumë prej tyre e kanë mirëpritur duke ironizuar me atë se politikanët burimin e vetëm të të hollave i kanë pagat dhe në këtë formë ata mbijetojnë, sikurse qytetarët jetojnë në një botë paralele dhe nuk i shohin se si pasurohen politikanët. Ajo që është më e çuditshme është fakti se si në mënyrë të hapur kryeministri Kovaçevski tregohet indiferent ndaj kërkesave të punëtorëve, e më keq se kaq paralajmëron se nuk do të ketë ulje të pagave të cilat u rritën në mënyrë të vrullshme dhe pa kërkuar askush. Ndërkaq, punëtorët duhet të dalin në rrugë për të kërkuar paga më të larta e të ballafaqohen me injorim total, shkruan Zhurnal.

Kryeministri i vendit garanton paga të larta për funksionarët por jo edhe për punëtorët –

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se nuk do të ulen pagat e zyrtarëve. Ai shpjegoi se paga të caktuara janë të rregulluara me ligj, prandaj është zgjidhje komplekse.

“Për disa nga zyrtarët ka dispozita ligjore që nuk mund të ulet paga. Për shembull, pagat e gjyqtarëve. Në këto pjesë të ligjeve, pjesa e deputetëve është e rregulluar me Ligjin për deputetët, ndërsa deputetët janë mbi ata që i zgjedhin, që është Qeveria, prandaj them se është një zgjidhje komplekse”.

“Kjo, në fund të fundit, duhet të sjellë barazi në pagesën e punës në përputhje me përgjegjësitë që ka secili në shtet. Ishim në një situatë që presidenti i një vendi kishte një pagë më të ulët se një sekretar në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike, për shembull. Besoj se edhe kjo është një disbalancë, e cila duhet të adresohet në mënyrë të duhur”, tha kryeministri Kovaçevski.

Lidhur me protestat e paralajmëruara të punëtorëve të gjyqësorit dhe të Fondit për Shëndetësi, Kovaçevski thotë se është e drejtë legjitime të grevës. Por, me protesta dhe greva kanë filluar edhe shumë sindikata dhe punëtorë të tjerë. Pra, është rikthyer vala e protestave ku në mënyrë të organizuar të gjithë po shprehin indinjatën dhe kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me kushtet në punë, statusin si dhe pjesën më të rëndësishme pagat.

Por, për kryeministrin e vendit këto protesta janë shumë normale dhe as që e merr mundin t’i ftoj në takim sindikatat për të parë hallet e tyre dhe për të tentuar për të gjetur ndonjë kompromis të përshtatshëm e të pranueshëm për dyja palët. Kovaçevski është adaptuar me protesta sepse gjatë qeverisjes së tij nuk mbeti askush pa protestuar, dhe kur shikohet nga pikëpamja tjetër kjo tregon qartazi për suksesin e kësaj Qeverie, askush i kënaqur.

Rritja e pagave për zyrtarë për 78% është absurde përderisa rritja e pagave në sektorët tjerë nuk e ka kaluar 15 përqindëshin asnjëherë –

Rritja e pagave me një sasi enorme vjen pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nene për pagesën e pagave, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ftoi qeverinë që të gjendet zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet çështja duke ulur pikët e pagave. “Konsideroj se është nuk është mirë që në një periudhë krize ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror.”, është shpehur Pendarovski. 

Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë. 

Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë, apo rreth 2.610 euro në muaj. Gjithashtu edhe, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Sllavica Gerkovska, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska, dhe Bojan Mariçiq, do të marrin paga me vlerë mbi 2.000 euro.

E këto paga vazhdojnë të mbesin po të njëjta sipas paralajmërimeve të fundit të kryeministrit të vendit Kovaçevski. Nën arsyetimin se është e vështirë të ndërhyhet. Në fakt mungon vullneti, sepse për gjërat e pamundura këta po të njëjtit politikanë bëjnë edhe të pamundurën vetëm për të arritur atë që e synojnë, siç është rasti me përgatitjen e terrenit për rikthimin e Nikolla Gruevskit, për faljen e burgut për Sasho Mijallkov e të tjera. Por, në këtë formë qytetarët e rinj do të dëshpërohen edhe më shumë duke humbur shpresat se ky shtet krijon perspektivë dhe kushte te favorshme për jetë normale, dhe këtë dëshpërim e përkthejnë me ikje nga vendi. /Zhurnal.mk

Related posts

Mbretëria e Norvegjisë dhuron 76 automjete për Armatën e Maqedonisë së Veriut

D V

Ministrja Kostadinovska-Stojçevska për vizitë në Teatrin Turk

D V

Rezultatet fillestare të KSHZ-së: Gordana Siljanovska Davkova 362,682 (40,08%), Stevo Pendarovski 180,306 (19,93%)

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky