Agjencia Zhurnal.mk.

Pse ka nevojë të krijohet senzacion me statistika jozyrtare të popullsisë? Opinioni po hutohet!

Shkup, 28 mars – Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive në Maqedoninë e Veriut fillimisht duhej të mbahej në datat 1-21 prill 2021, por u prolongua për 1-30 shtator për shkak të situatës së rënduar me virusin korona(COVID-19). Kjo paraprakisht ishte dakorduar në takimin e mbajtur në fund të muajit mars të vitit të kaluar mes ish kryeministrit dhe ish kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

 

Krahas shtetasve të vendit që kanë qenë të pranishëm në shtet gjatë kohës së regjistrimit ka vijuar vetë-regjistrimi online edhe për shtetasit që janë qytetarë jorezident, shkruan Zhurnal.

Vetëm tre ditë kanë ngelur deri në publikimin e rezultateve përfundimtare për regjistrimin e popullsisë, pra, më 31 mars sipas Entit Shtetëror të Statistikave rezultatet do të kumtohen. Ndërkaq, drejtori i këtij enti kishte deklaruar se ende nuk ka informacione jozyrtare.

“Jo, unë personalisht nuk kam asnjë lloj informacioni për rezultatet jozyrtare të regjistrimit të popullsisë. Atëherë kur do t’i kemi informacionet zyrtare ne do të dalim dhe do të shpalosim para tërë opinionin”, ka thënë Simovski.

Mirëpo, ajo që po vërehet në opinion është që ende pa u shpallur rezultatet kanë filluar spekulimet dhe parashikimet me numra, duke publikuar edhe në media informacione nga burime jozyrtare, sipas të cilave thuhet se në aspektin e bashkësive etnike që jetojnë në vend, nga 1.8 milionë qytetarë rezidentë, rreth 63 deri 65% janë maqedonas, rreth 24.7% shqiptarë dhe rreth 10 deri në 12% bashkësi të tjera që jetojnë në vend. Përqindjet ndryshojnë nëse në numrin e përgjithshëm të popullsisë llogariten edhe ata që jetojnë në diasporë, siç parashihet në ligj. Bashkë me diasporën, sipas burimeve jozyrtare, maqedonas do të rezultojnë 60 deri në 62%, shqiptarë 29.5%, ndërsa pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike 8 deri në 10%.

Nuk dihet nëse këto numra apo numra të tjerë bënë që ditë më parë, drejtori i Entit të Statistikave Apostoll Simovski, si me shaka të thotë se do të shpallet “armik shtetëror”, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë.

“Aspak nuk do t’ia vë veshin kritikave, jam i vetëdijshëm. E di se muajin e ardhshëm do të jem armiku numër një shtetëror”, deklaroi më 17.03.2022, Simovski.

Ndërkaq, Ziadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët ka thënë se rezultatet e publikuara në media janë të pa sakta, sipas tij, dhe informacioneve që i posedon partia e tij thuhet se 34% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë, 59% maqedonas, dhe bashkësitë tjera me numra të tjerë.

Këto spekulime me numra, dëshmojnë se në Maqedoninë e Veriut regjistrimi i popullsisë nuk është vetëm proces statistikor. Në shërbim të kujt janë këto publikime para kohe të rezultateve, qytetarët janë të hutuar, dhe nuk dinë kujt t’i besojnë e çfarë të besojnë mbi këtë proces statistikor, por jo vetëm me statistika. Njëri nga televizionet në vendin tonë mëson se ditë më parë, Enti i Statistikave ka marrë kërcënime nga grup qytetarësh se do të shkaktojnë incident në ditën e prezantimit të rezultateve të regjistrimit. Por, nga Ministria e Brendshme kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë denoncim nga Enti.

Jozyrtarisht sipas burimeve, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1.8 milionë qytetarë. Bashkë me diasporën jemi 2.1 milionë, që nënkupton se rreth 300 mijë jetojnë jashtë vendit. Numri total i qytetarëve që kanë numra amë është 2.5 milionë, shkruan Zhurnal.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut për herë të fundit ka mbajtur regjistrim në vitin 2002. Në vitin 2011 filloi të realizohet regjistrimi, por dështoi, pasi anëtarët e Komisionit të regjistrimit dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2002, vendi numëronte 2.022.547 banorë ndërsa struktura etnike e popullsi së ishte: maqedonas – 1.297.981 (64.18 për qind), shqiptarë – 509.083 (25.17 për qind), turq – 77.959 (3.85 për qind), romë – 53.879 (2.66 për qind) serbë – 35.939 (1.78 për qind), boshnjakë – 17.018 (0.84 për qind), vllahë – 9.695 (0.48 për qind), të tjerët – 20.993 (1.04 për qind).//Zhurnal.mk

Related posts

16 viktima dhe 444 raste të reja me Covid

Z.H

Në 24 orët e fundit në Tetovë një person ka humbur jetën si pasojë e Kovid-19

N E

“Pronat sekrete”: VMRO-DPMNE vazhdon me publikimin e emrave

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More