Shkup, 30 nëntor– Salla e re gjyqësore digjitale në INP Idrizovë ofron kushte më bashkëkohore për mbajtje të proceseve gjyqësore. Sistemi funksional audio-konferencial me të cilin disponon salla jep mundësi për gjykime pa prani fizike të pjesëmarrësve në procese gjyqësore, theksoi sot ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, gjatë fillimit zyrtar të inaugurimit të sallës gjyqësore.
“Kjo është salla më e madhe dhe më e pajisur gjyqësore në RMV prej 290 m2. Është ndërtuar sipas shembullit të sallave gjyqësore në shtetet me përvojë të madhe në asgjësimin e krimit të organizuar, Kompleksi disponon me hyrje të posaçme për të dënuarit, për personat zyrtar, si dhe për publikun i cili do të marrë pjesë në këto gjykime dhe pjesë të veçantë për gazetarët”, informoi Tupançevski.
“Shfrytëzimi i kësaj salle gjyqësore do të ketë impakt serioz në drejtim të uljes së shpenzimeve për proceset gjyqësore për siguri dhe transport, të cilat dukshëm do të reduktohen. Do të sigurohet mbrojtje më e madhe e sigurisë së qytetarëve në kryeqytet dhe nuk do të çrregullohet funksionimi normal i qytetit përmes bllokimit të rrugëve”, tha ministri Tupançevski dhe shtoi se Gjykimi i parë në sallën më të madhe digjitale në Idrizovë do të mbahet më 14 dhjetor.
Kryetari i Odës së avokatëve, Ljubomir Mihajllovski, në deklaratë për mediumet theksoi se hapja e kësaj salle gjyqësore është një hap i madh përpara në punën e mbarë sistemit të Ministrisë së Drejtësisë, posaçërisht në punën e gjykatave, prokurorive, si dhe të avokatëve, për të cilët siç tha, janë dhënë kushte maksimale në pikëpamje të mundësive për përgatitje të mbrojtjes si dhe dhënie të mbrojtjes adekuate gjatë gjykimit.
Kryetari i Komisionit për revizion të sistemit AKMIS pranë MD-së, Llazar Nanev, tha se është lëshuar në funksion një prej sallave më të digjitalizuara gjyqësore, jo vetëm në vend, por në përgjithësi edhe në tërë rajonin.
Ai tha se këto kushte mundësojnë rehati të plotë dhe se xhirimi audiovizual përmes instalimit të sistemit të posaçëm siguron implementim të plotë të dispozitave të ligjit për procedurë penale me procesverbale audiovizuale, por njëkohësisht, siç tha Nanev, vendosja e sistemit AKMIS siguron që kjo sallë të jetë pjesë e sistemit të integruar të AKMIS-it, përkatësisht e menaxhimit dhe lëvizjes së lëndëve gjyqësore.
Ndërkaq kryetari i Gjykatës penale, Ivan Xholev tha se përfitimet nga kjo sallë e re e madhe gjyqësore, para së gjithash i ka gjyqësia, megjithatë përfitime do të kenë edhe gjykatësit, prokurorët, avokatët dhe gjithsesi, drejtësia.
Nga vlera e përgjithshme e ndërtimit të objektit e cila është 1,3 milionë euro, rreth 975 mijë euro janë siguruar përmes programit të aksionit IPA “Mbështetje për sektorin e drejtësisë” të BE-së, furnizimi i pajisjes së sigurisë është donacion i Ambasadës së SHBA-së në vend, me vlerë prej mbi 60 mijë euro, përderisa nga buxheti i Qeverisë janë ndarë rreth 283 mijë euro ndihmë financiare dhe plotësisht 45 mijë euro përmes Drejtorisë për ekzekutim të sanksioneve për furnizim të mobiljeve dhe pajisjes.