Agjencia Zhurnal.mk.

Projektet për gjelbërim mbeten në letër, ndërsa Shkupi lufton për ajër të pastër

Shkup, 27 maj – Reduktimi i ishujve të nxehtësisë, sigurimi i ajrit më të pastër dhe kushteve më të mira të jetesës në një mjedis urban mund të arrihet duke rritur gjelbërimin dhe duke reduktuar sipërfaqet e asfaltuara. Qytetet e Maqedonisë, e veçanërisht Shkupi, përballen me temperatura ekstreme, kryesisht në periudhën e verës, të cilat janë rezultat i shkatërrimit prej dekadash të gjelbërimit dhe betinizimit të qytetit. Tërbimi urban na lë me kushte të rënda jetese të trazuara, më së shumti për shkak të mosrespektimit të standardeve për sipërfaqet minimale të gjelbra të nevojshme për çdo banor. Qytetarët e Shkupit, Tetovës, Velesit, Kërçovës dhe mjediseve të tjera të ndotura prej vitesh apelojnë se duan më shumë drunj në hapësirat e tyre më të afërta dhe kushte më humane për jetë. Megjithatë, realiteti mbetet krejt ndryshe, shkruan Meta.mk. Profesori i Fakultetit të Pylltarisë, Jane Acevski, thotë se problemet tona janë të vështira për t’u zgjidhur sepse projektet tona mbeten në letër në pritje të realizimit dhe një numër i madh i tyre nuk realizohen kurrë. Ai thotë se ka marrë pjesë në dhjetëra projekte të gjelbërimit të Vodnos, Gazi Babës, korridoreve të gjelbërta të lumit Serava dhe Lepencit, për Kopshtin botanik e të tjera, por pothuajse asgjë nuk është bërë.

“Donim që Vodno të zbriste në Shkup, por bëmë krejt të kundërtën”, thotë Acevski dhe shton se tani është vonë për disa zgjidhje, të cilat para dhjetë viteve ishin shumë realiste.

“E gjelbërta nuk mund të jetë ilaç për të gjitha sëmundjet. Bimët përdorin CO2, por qytetet tona janë gjithashtu plot me toksina të tjera dhe pluhur. Duhet të kuptojmë se mbjellja e drunjve është vetëm një nga zgjidhjet dhe nuk do të zgjidhë ndotjen e ajrit. Në të njëjtën kohë do të duhet të identifikojmë ndotësit dhe të punojmë në neutralizimin e tyre”, thotë Acevski.

Ai konsideron se ka ende kohë për projektet për korridoret e gjelbërta të Seravës dhe Lepenecit dhe ato duhet të realizohen. Për ta në vitin 2017 u bë një studim, i cili vërtetoi se ka kushte për t’i ndërtuar dhe në vitin 2020 u përgatitën edhe projektet bazë, por gjërat u ndalën me kaq.

“Ideja ka qenë që në qytet përgjatë rrjedhës së lumenjve të hyjnë masa ajrore me lagështi më të madhe nga njëra anë dhe nga ana tjetër të pasurohet biodiversiteti, të kthehen zogjtë në qytet”, thotë Acevski.

Nga Qyteti i Shkupit nuk ka sqarim se çfarë po ndodh me dy projektet për korridoret e gjelbra, të bëra në kohën e pushtetit të kaluar të Petre Shilegovit. Ndonëse pas prezantimit të projekteve bazë, ai bëri të ditur se realizimi në terren do të fillojë shumë shpejt, megjithatë edhe tre vite më vonë ka shumë më tepër mbeturina se gjelbërim përgjatë këtyre lumenjve.

Studimi për korridoret e gjelbra të Lepencit dhe Seravës rrjedh nga udhëzimet e Planit të Përgjithshëm Urbanistik të Shkupit, i cili vendos një sistem të hapësirave të gjelbra, publike të hapura në qytet dhe i referohet strategjive dhe planeve më të vjetra zhvillimore për qytetin e Shkupit që nga vitet e 60-ta. Deri më tani, në Shkup janë krijuar hapësira të gjelbra, parqe, terrene sportive, rreshta drunjsh vetëm përgjatë rrjedhave të lumenjve Vardar dhe Treska, megjithëse korridoret përgjatë luginave të lumenjve janë veçanërisht të rëndësishëm duke marrë parasysh karakterin luginor të Shkupit për përmirësimin e kushteve klimatike dhe të përgjithshme në qytet.

Siç thuhet në Studim, Serava luan një rol në bartjen e masave të ajrit të pastër nga Mali i zi i Shkupit, ku buron, deri në Shkup. Nga ana tjetër, roli i Lepenecit është lënë pas dore për një kohë të gjatë si një hapësirë ​​potenciale për t’u lidhur me rrjetin e gjelbër të qytetit. Në lumin, i cili kalon nëpër tri komunat e Shkupit, Gjorçe Petrov, Karposh dhe Butel, momentalisht rrjedhin ujërat e zeza nga amvisëritë dhe objektet prodhuese, ndërsa në pjesë të caktuara hidhen mbeturina, rrënoja komunale dhe ndërtimore, të cilat zhvlerësojnë ndjeshëm vlerat e lumit dhe të bregut.

Nga qyteti i Shkupit nuk janë përgjigjur në pyetjet e Meta.mk nëse është planifikuar ndonjë aktivitet për realizimin e këtyre projekteve dhe nëse janë ndarë mjete për to në buxhet.

As këshilltarët e Qytetit të gjelbër human në Këshillin e Shkupit nuk e dinë se çfarë po ndodh me projektet për gjelbërimin e shtretërve të lumenjve Lepenec dhe Serava dhe thonë se ato nuk janë as pjesë e Programit të mjedisit jetësor 2023. Ata theksojnë se i mbështesin këto projekte dhe realizimin e tyre, por mendojnë se paraprakisht duhet të rafinohen.

“Një plan i plotë i zonës është i nevojshëm dhe ekipi që do të punojë duhet të jetë multidisiplinar. Që korridoret e gjelbra të realizohen profesionalisht duhet t’i kushtohet vëmendje si karakteristikave biologjike dhe morfologjike të peizazhit, ashtu edhe specieve bimore që do të përzgjidhen për të krijuar korridoret e gjelbërta”, thonë nga QGjH.

Ambientalistët thonë se është shumë e rëndësishme që të mos shkatërrohet gjelbërimi ekzistues, pra të investohet në kapacitetet e “Parqeve dhe gjelbërimit” për të kryer aktivitetin e tyre kryesor.

“Nuk ka gjë të tillë si “një dru i vjetër të zëvendësohet me një të ri”. Sa më i vjetër të jetë një dru, aq më të mëdha janë shërbimet e ekosistemit që ofron, ai ka një fuqi më të madhe për të pastruar ajrin, ofron më shumë hije dhe me vëllimin e saj fizik më të madh, kontribuon më shumë në ruajtjen e biodiversitetit. Prandaj, çdo pemë e shëndoshë e pjekur në Shkup duhet të mbrohet nga shkatërrimi dhe të ushqehet gjelbërimi që është në gjendje të keqe”, thotë Qyteti i gjelbër human.

Related posts

Gërkovska: Pjekuri demokratike në periudhën zgjedhore dhe të dimë të dallojmë aktivitetet partiake dhe shtetërore

Xh M

Skandali në Onkologji huton qytetarët  – S’ka detaje nga Prokuroria për hetimet

Xh M

Mariçiq: Jo ndryshime ligjore, por nevojitet dinamikë ku i gjithë procesi për dhënien e pasaportave do të përfundonte këtë verë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy