Shkup, 5 Prill – “Shteti nuk tregon kujdes për fëmijët me nevoja të veçanta”, “Jemi të harruar”. Me këto moto prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta shprehën revoltën e tyre para qeverisë. Ata kërkojnë rritje për 100% të shtesave të veçanta për kujdes, si dhe pensionimin e parakohshëm të tyre.
“Ishim në bisedime me ministren për punë dhe politikë sociale. Nuk na pranoi asgjë nga kërkesat tona. Vetëm 15% u rrit shtesa familjare. Edhe atë në bisedë me Ministrinë e Financave. Këtë fundjavë na u rrit për 15% shtesa familjare, por jo te të gjithë. Te disa u rrit, te disa jo. Erdhëm këtu që t’i kujtojmë qeverisë kërkesat tona.”,- theksoi një prind i fëmijës me nevoja të veçanta, Goran Kamçevski.
Shtesa e veçantë tani është në vlerën e rreth 5.200 denarëve. Këto mjete nuk janë të mjaftueshme për të përballuar muajin, sidomos në periudhë të krizës ekonomike, ku çmimet janë në rritje e sipër, thonë ata.
“Njërit fëmijë nuk do t’i blejmë, por këtij tjetrit medikamentet duhet t’ia blejmë për shkak se ka nevojë dhe duhet të shkurtojmë buxhetin për fëmijët tjerë. Mendoj se kjo nuk është mirë për asnjë familje, por ne duhet të shkurtojmë, s’kemi tjetër zgjidhje.”,- u shpreh një prind i fëmijës me nevoja të veçanta, Anila Trajçevska.
Rreth 10% e popullatës së përgjithshme janë me nevoja të veçanta. Në qoftë se institucionet nuk marrin parasysh kërkesat e tyre, prindërit paralajmëruan se do të vazhdojnë me protestat.