Shkup, 5 dhjetor – Çdo klub duhet të ketë një përqindje të caktuar të femrave në bordin e saj ekzekutiv apo ekipin drejtues, ndërsa politikat, strategjitë, ligjet dhe rregulloret e tjera për barazi gjinore duhet të zbatohen në mënyrën adekuate. Të ketë standarde më të larta profesionale dhe ndjeshmëri gjinore për punonjësit në institucionet publike dhe në federatat sportive dhe të punohet për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi me bazë gjinore dhe ngacmimi gjinor apo seksual.
Këto janë pjesë e konkluzioneve nga analiza “Barazia gjinore në sport në Maqedoninë e Veriut” e përgatitur nga UN Women e cila u prezantua sot.
Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre përgjegjës për politika për qeverisje të mirë, theksoi se analiza është e një rëndësie të madhe për krijimin e politikave.
“Kjo analizë është e rëndësishme sepse për herë të parë kemi një dokument si ky, të cilin do të mund ta përdorim në të ardhmen dhe do të na shërbejë si bazë për krijimin e politikave tona si Qeveri dhe krijimin e aktiviteteve të punës sonë”, tha ajo.
Sipas zëvendëskryeministres, ky dokument do të kontribuojë për propozime më të mira në Ligjin e ri për sportin dhe qasja, siç tha ajo, është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut ka filluar procesin e skriningut dhe çështja gjinore është një çështje që trajtohet seriozisht nga Bashkimi Evropian.
Gërkovska theksoi se ky lloj transformimi është serioz dhe mund të realizohet më shpejt vetëm me qasje të përbashkët të të gjithëve.
Sipas Daniel Dimevskit, kryetar i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, gjëja më e rëndësishme është ndryshimi i vetëdijes.
“Ajo që është tepër e rëndësishme për çdo gjë është që ne duhet të kemi një vizion. Ne e kemi këtë vizion dhe ajo që është pozitive është se ky vizion tashmë është bërë përgjithësisht i pranuar. Në vendin tonë nuk mund të gjesh një person që nuk është tashmë i vetëdijshëm se kjo temë është e rëndësishme për ne. Nëse një vit më parë nuk ishte aq e njohur, tani të gjithë jemi të vetëdijshëm për atë ndryshim në botëkuptimin tonë”, tha Dimevski.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të fillojmë, jo vetëm të flasim, por siç tha ai, “të flasim me vepra”.
Mikael Aterhog, kreu i Ambasadës së Suedisë, theksoi se barazia gjinore nuk ndodh vetvetiu, por kërkon shumë punë, mbështetje politike dhe vendime.
“Gratë dhe burrat ende nuk kanë qasje të barabartë në kushtet për ta arritur këtë. Është e rëndësishme që barazia gjinore të jetë në qendër të të gjithë vendimmarrësve”, tha ai.
Vesna Ivanoviq-Kastared, shefe e zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut, theksoi se tradicionalisht, sporti dominohej dhe dominohet nga burrat, si në pjesëmarrje ashtu edhe në menaxhim, megjithatë, ajo tregoi se në 20 vitet e fundit ka pasur ndryshime, që siç tha “kanë qenë të vogla, por megjithatë pozitive”.
Analiza tregon se në Maqedoninë e Veriut, për shkak të mungesës së të dhënave dhe mungesës së hulumtimeve të rëndësishme për temën e barazisë gjinore në sport, është e vështirë të krijohen politika të bazuara në fakte.
Hulumtimet dhe të dhënat ekzistuese, tregojnë se gratë dhe vajzat kryejnë më pak aktivitet fizik sesa burrat dhe djemtë. Nuk ka të dhëna që tregojnë se sa gra nga komunitetet e margjinalizuara marrin pjesë në sport, dhe ka pak ose aspak të dhëna për arsyet e mundshme pse vajzat adoleshente heqin dorë nga sporti dhe aktiviteti fizik.
Një nga fushat kryesore në të cilat nevojiten përmirësime është rritja e njohjes së sportit të grave dhe arritjeve të grave në sport, si dhe nevoja për të promovuar sportiste të suksesshme femra që kanë arritur rezultate të shkëlqyera sportive.
Si tepër i rëndësishëm theksohet edhe barazimi i të ardhurave financiare mes meshkujve dhe femrave në sport dhe në veçanti dispozitat për lejen e lindjes.
Analiza vë në dukje median si një mjet për krijimin e opinionit në shoqëri dhe aludon për nevojën për arsimim më të madh mediatik dhe përmirësim të standardeve gazetareske, si dhe nevojën për trajnime dhe aktivitete ndërgjegjësuese për gazetarët sportivë, me theks të veçantë në përdorimin e gjuhës sensitive ndaj gjinisë.
Analiza përmban edhe përqindjen e mbulimit mediatik të ngjarjeve dhe garave sportive në kategorinë e meshkujve, e cila është 80 për qind, krahasuar me 20 për qind të kategorisë së femrave. Këtë analizë fillimisht e publikoi MIA dhe pas saj Agjencia e Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale ka publikuar publikimin “Gjinia në mediat 2021: Çështjet gjinore dhe mënyra e përfaqësimit të grave dhe burrave në programin sportiv të televizioneve kombëtare tokësore”.
Analiza është përgatitur në kuadër të Projektit për inkorporimin e perspektivës gjinore në administratën në nivel qendror (Gender Equality Facility – GEF) në Maqedoninë e Veriut, që u zbatua nga zyra e UN Women në Maqedoninë e Veriut në partneritet me Sekretariatin e Çështjeve Evropiane dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetje financiare nga Suedia.