Agjencia Zhurnal.mk.

Pranohen pesë projekte të Fakultetit farmaceutik në shpalljen e MASH-it për modernizimin e laboratorëve

Shkup, 17 dhjetor – Në shpalljen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për financimin e projekteve për pajisje dhe hulumtime në laboratorët universitare, Fakulteti farmaceutik në UKIM konkurroi me pesë projekte dhe të gjitha janë pranuar dhe vlerësuar pozitivisht.

 

Dekani Zoran Sterjev sot me atë rast pati një takim me ministren e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska e cila i vizitoi laboratorët. Ai tha se bëhet fjalë për gjithsej 24 milionë denarë investim në projekte. Gjysma e kësaj shume është për një projekt për pajisje laboratorike, ndërsa katër projektet e tjera financohen me nga tre milionë denarë.

“Për institucionin tonë është e një rëndësie të madhe sepse do të marrim pajisje me të cilat mund të vazhdojmë zhvillimin tonë në kërkimin shkencor dhe aplikimin, sepse në fakultetin tonë në 45 vitet e fundit, sa ekziston, i kushtojmë vëmendje të veçantë kërkimit shkencor dhe aplikimit dhe ne i kemi zhvilluar vazhdimisht ato. Kjo është një nxitje e madhe për të vazhduar zhvillimin intensiv. Ne në periudhën e kaluar nuk kemi marrë mjete të tilla përmes projekteve të financuara nga MASH”, tha Sterjev.

Ai shtoi se përmes investimeve kapitale nga MASH janë siguruar mjete me të cilat kanë arritur të financojnë dy pajisje shtesë të rëndësishme që i përdorin në punën e tyre të përditshme.

“Kjo do të thotë se vetëm në këtë periudhë prej rreth gjashtë-shtatë muajsh mund të flitet për rreth 36 milionë denarë investime që Fakulteti farmaceutik ka marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tha Sterjev.

Ministrja Carovska pas vizitës në pesë laboratorët e këtij Fakulteti, të cilët morën mbështetje nga MASH, tha se Qeveria dhe Ministria janë të përkushtuara për krijimin e sistemeve të qëndrueshme për financimin e shkencës, sepse siç tha ajo, vetëm përmes sistemeve të duhura të financimit në shkencë mund të presim rritje dhe zhvillim të përshpejtuar të vendit tonë.

“Pikërisht këtu janë pritshmëritë nga 244 milionë denarë të siguruar nga MASH për të financuar 44 projekte në fakultete të ndryshme. Pesë prej tyre janë në Fakultetin farmaceutik sepse realisht mund të shohim një aplikim këtu dhe presim shumë nga ajo që do të ndodhë si punë kërkimore-shkencore përmes këtyre projekteve”, tha Carovska.

Ajo përkujtoi se me 19 milionë denarë MASH i ka mbështetur institutet kombëtare dhe se mbështetja për universitetet do të vazhdojë jo vetëm me financimin e projekteve, por edhe me investime në infrastrukturë që do të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies. 

Related posts

VMRO-DPMNE “tërbohet” pasi dëgjoi për kandidimin e Joveskit si gjykatës kushtetues

Z H

Një rast i dyshuar me Covid në Kërçovë, shkollat: Respektojmë në tërësi protokollet

D V

Moti sot me diell dhe me vranësira

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More