Shkup, 16 tetor – Pjesëtarët e Armatës, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në forcat shumëkombëshe në NATO, Letoni, Rumani dhe Bullgari japin kontribut thelbësor në sigurinë kolektive të NATO-s, në pjesën më të madhe vijnë drejtpërdrejtë nga Komanda Operative. Kontributi juaj është gjithëpërfshirës dhe ne do të punojmë për përmirësimin e kushteve dhe motivimin më të madh të secilit pjesëtar të njësiteve të Komandës, theksoi sot ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska me rastin e 17 tetorit – Ditës së Komandës për operacione.
Ajo në fjalimin e saj në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë tha se Komanda operative, komanda më e madhe në Armatë, e cila është shtylla kurrizore e Armatës së Maqedonisë së Veriut, përfshin të gjitha llojet e degëve dhe shërbimeve në Ushtri dhe me sukses i bashkon ato në një forcë profesionale, të motivuar dhe të trajnuar mirë, qëllimi kryesor i së cilës është siguria e atdheut dhe siguria e të gjithë qytetarëve tanë.
Ministrja informoi se procesi i modernizimit dhe pajisjes është një proces që do të vazhdojë të ecë me intensitet të përshpejtuar.
“Në buxhetin, i cili tashmë është në fazën e planifikimit, për vitin e ardhshëm ndahen dy për qind të BPV-së për mbrojtjen, ndërsa tashmë një e treta do të vazhdojë edhe më tej të jetë e dedikuar për vazhdimin e procesit të modernizimit. Kjo do të thotë se mund të themi me siguri se Armata do të vazhdojë të pajiset vazhdimisht me pajisje të reja, moderne dhe të sofistikuara ushtarake”, shtoi Petrovska.