Agjencia Zhurnal.mk.

Petkoviq: Zgjedhjet në veri, të destinuara për të dështuar

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë të destinuara për të dështuar.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Osmani tha se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është “detyrim kushtetues” që pason “aktin e dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave”.

Sipas Petkoviqit, “kjo është një përpjekje e re e Prishtinës për të pushtuar” veriun e Kosovës, “duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor”.

“Kjo është edhe një dëshmi se Prishtina asnjëherë nuk ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës, por, përkundrazi, është munduar të zbatojë dhe rrumbullakojë idenë e saj për Shqipërinë e madhe dhe t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore”, tha Petkoviq, duke mos ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.

“Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë dhe popullin serb, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të destinuara për të dështuar”, tha Petkoviq përmes një komunikate për media.

Në një anketë që ka bërë Radio Evropa e Lirë me disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut, më 11 nëntor, ata kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Përveç kryetarëve të katër komunave, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe serbë të tjerë të veriut – nga niveli lokal deri në atë qendror.

Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, ata kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Me këtë plan parashihet që makinat me targa të tilla të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit të ardhshëm.

Serbia kundërshton, duke këmbëngulur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur zbatimin e planit më 1 nëntor, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për ta shtyrë atë, për shkak të rrezikut të tensioneve./rel/

Related posts

Bosch: Serbia e ndihmuar nga Lajcak po shton presionin ndaj Kosovës për Asociacionin

D V

Vdiq në ditën e Bajramit, afër shtëpisë në Suharekë gjendet një armë e dyshimtë

Xh M

Kurti: Kosova dhe Shqipëria jo vetëm që njohin njëra-tjetrën, por kemi besim të plotë tek njëra-tjetra

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More