Agjencia Zhurnal.mk.

Përpos karburanteve, ulet edhe çmimi i produkteve bazë

Shkup, 14 mars – Pas uljes së çmimit të karburanteve, prej sot pritet të ketë korrigjime edhe në çmimet e produkteve ushqimore bazë, në përputhje me masat e anti krizë të qeverisë dhe ndryshimet ligjore për lartësinë e akcizës dhe normën e TVSH-së që të premten morën dritën jeshile në Kuvend.

Duhet të harmonizohen çmimet e bukës, miellit, sheqerit, vajit të lulediellit, qumështit të lopës, mishit, orizit, vezëve. Për ta është ulur norma e TVSH-së nga 5 në 0 për qind dhe kjo masë do të zgjasë deri në fund të majit. Në të njëjtën kohë, marzhet për disa produkte janë ngrirë, si dhe janë hequr taksat doganore për importin e produkteve ushqimeve bazë.

Pakoja e masave kundër krizës për përballimin e goditjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë, përveç uljes së TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, si dhe akcizës për 1, 2 ose 4 denarë, e cila ka çuar tashmë në uljen e benzinës dhe naftës, parashikon zgjatjen e normës preferenciale të TVSH-së 5 për qind për energjinë elektrike për amvisëritë deri në fund të vitit.

Shkalla e TVSH-së për shitjen e energjisë ulet nga 18 në 10 për qind dhe hiqet taksa për importin e gazit, energjisë elektrike dhe ngrohjes.

Ulja e taksave ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që qytetarët paguajnë për produktet ushqimore bazë, ulja e TVSH-së për derivatet e naftës amortizon çmimin përfundimtar të derivateve, ndërsa me zgjatjen e normës preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike ulen kostot e energjisë.

Nga Qeveria dhe institucionet kompetente për zbatimin e masave apelojnë tek tregtarët që të zbatojnë siç duhet zgjidhjet nga ligji, përkatësisht të bëjnë rregullime në pajisjet e tyre fiskale. Ata thonë se ndryshimet ligjore të miratuara parashikojnë mekanizma që Qeveria do të mund t’i përdorë në të ardhmen nëse do të jetë nevoja për të shmangur çdo spekulim dhe goditje çmimesh të qytetarëve dhe ekonomisë.

Seti prej 26 masash anti krizë parasheh edhe subvencionimin e qytetarëve për energji elektrike. Kategoritë më të rrezikuara në periudhën nga prilli deri në qershor do të marrin vauçer në vlerë prej 1000 denarë për çdo muaj, të cilat do të përdoren për blerjen e produkteve ushqimore bazë. Për të gjithë pensionistët, duke filluar nga pensioni i muajit mars dhe duke përfunduar me pensionin e majit, përveç pensionit janë paraparë subvencione shtesë prej 1.000 denarë.

Ministri i Financave Fatmir Besim pretendon se masat e miratuara prej 400 milionë eurosh nuk do të ndikojnë në likuiditetin e thesarit të shtetit. Buxheti është likuid, rezervat devizore janë rritur, denari është stabil, thotë Besimi. Ai u bëri thirrje institucioneve, komunave, biznesmenëve dhe qytetarëve që të jenë racionalë në shpenzimin e energjisë dhe të mos iu nënshtrohen spekulimeve që janë në dëm të buxhetit personal, duke theksuar se të gjitha masat merren në kohën e duhur dhe se nuk ka vend për panik.

Edhe nga Banka Popullore thonë se denari është stabil dhe do të mbetet i stabil. Nuk ka arsye për ndryshim të kursit, kjo nuk do të jetë e dobishme për askënd, shprehet në intervistën për MIA-n, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.

Ajo bën të ditur se Banka Popullore ka kapacitete dhe instrumentarium për të mbrojtur kursin e denarit, nëse paraqitet nevoja për këtë, për çka flasin edhe thuajse tre dekadat e shkuara, kur nëpër shumë kriza është ruajtur me sukses stabiliteti i valutës vendore. Rezervat devizore janë të larta dhe arrijnë në 3,4 miliardë euro ose janë në nivelin dyfish më të lartë krahasuar me vitin 2008, që ishte vit i krizës globale financiare, ndërsa stabiliteti i denarit është ruajtur me sukses.

Në raport me informacionet se në treg nuk ka deviza, guvernatorja shprehet se kjo nuk është e vërtetë dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e spekulimeve të këtilla.

“Më duhet ta adresoj këtë çështje, meqë realisht këto spekulime u shkaktojnë qytetarëve dëm material. Jemi dëshmitarë se, në kohën kur flitet për krizë, disa qytetarë ende po i rreken konvertimit të kursimeve në deviza ose të blejnë para të gatshmë në deviza. Përveç kësaj, shfaqen edhe spekulime se në treg nuk ka deviza, gjë që absolutisht nuk është e saktë. Në këtë mënyrë krijohet panik i pabazë dhe qytetarët, në bazë të spekulimeve, paguajnë edhe çmim më të lartë për ndryshimin e valutave dhe humbasin mjetet”, thekson guvernatorja.

Nuk presim që zhvillimet në Ukrainë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë të rëndësishëm në sektorin vendor bankar, gjë që ka të bëjë me lidhjet shumë të dobëta financiare që ka ai me Rusinë dhe Ukrainën

Banka Popullore do të vazhdojë t’i monitorojë zhvillimet dhe do të përgjigjet në përputhje me rrethanat nëse është e nevojshme, me masë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.

Related posts

IBU lançoi zyrtarisht Qendrën e Hulumtimeve Ballkanike

Redaksia

“Jo Kina, jo Korea” – Ali Ahmeti: Nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE

Xh M

Arrijnë në portin e Selanikut 76 automjete ushtarake, donacion i Norvegjisë për Maqedoninë e Veriut

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy