Agjencia Zhurnal.mk.

Për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, vjedhjet po shtohen

Në Portugali numri i vjedhjeve në dyqane mund të rritet me 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar pasi banorët vjedhin peshk të konservuar, vaj, bukë, kafe dhe ushqime të tjera bazë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, raportoi e përjavshmja portugeze Expresso, duke cituar të dhëna zyrtare.

 

“Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në qytetet e mëdha si Lisbona dhe Porto,” tha Goncalo Lobo Xavier, president i Shoqatës Portugeze të Kompanive të Shpërndarjes (APED). “Nuk ka dyshim se njerëzit i vjedhin këto gjëra për të ngrënë. Kjo është shenja e parë e një krize të rëndë sociale,” shtoi ai.

Policia portugeze thotë se nga janari deri në qershor janë raportuar 452 vjedhje në supermarkete.

Nëse ky trend vazhdon, do të jetë një rritje prej 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Njerëzit e prekur nga rritja e çmimeve po vjedhin edhe peshkun e ngrirë, veçanërisht merlucin, i cili hahet tradicionalisht në Portugali, një vend me 10.3 milionë banorë në brigjet e Atlantikut.

Policia thotë se shumë dyqane nuk raportojnë as vjedhje të artikujve ushqimorë si patate, por gjithnjë e më shumë dyqane kanë sistem alarmi të integruar.

“Në dy-tre muajt e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të një rritje të konsiderueshme të vjedhjeve. Njerëzit që nuk mund të mbijetojnë më me pagat e tyre vendosin t’i kryejnë ato,” thotë Claudio Ferreira, president i shoqatës së kompanive private të sigurisë.

“Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata fshehin kuti me qumësht dhe peshk të konservuar në çantat ose në xhaketat e tyre për të ngrënë ose për t’ua dhënë këtë ushqim fëmijëve të tyre,” shton ai.

Çmimi i një shporte mesatare ushqimore, e cila përbëhet nga 63 produkte bazë, ka arritur çmimin më të lartë këtë vit javën e kaluar. Tani kushton 214 euro, që është 30.67 euro më shumë se në shkurt para luftës në Ukrainë, raportoi shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve Deco Proteste.

Çmimet e ushqimeve janë rritur mesatarisht me 17 për qind dhe inflacioni galopant po prek gjithnjë e më shumë shtresën e mesme, e cila po përballet edhe me çmimet më të larta të energjisë elektrike dhe gazit. 1.9 milionë banorë janë në prag të varfërisë me të ardhura më pak se 554 euro në muaj.

Related posts

Zgjerohen sektorët ku nxiten investimet e huaja

Z.H

Kina vazhdon të shpallë alarmin portokalli për stuhitë

Z.H

Pelosi arriti në Japoni

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More