Agjencia Zhurnal.mk.

Për pozitën stabilizim i ekonomisë, për opozitën ryshfet parazgjedhor – dita e parë e debatit për rebalancin e Buxhetit

Shkup, 1 korrik – Edhe në pjesën e pasdites së debatit të komisionit parlamentar vazhduan grindjet për rebalancin e Buxhetit. Deputetët e LSDM-së edhe njëherë e përsëritën se po rriten fondet për investime, për ushtrinë, për kapitalin njerëzor, për bujqësinë, shëndetësinë, ekologjinë, punën dhe shoqërinë, ndërsa po zvogëlohet edhe borxhi publik. Por, sipas VMRO-DPMNE-së, rebalanci është vetëm një reflektim i punës së papërgjegjshme të kësaj qeverie dhe deri në fund të vitit nuk do të ketë investime kapitale, ndërsa huazimi do të jetë edhe më i lartë.

Diskutimi u zhvillua lidhur me atë se kur ka qenë jeta më e mirë, qoftë në kohën e VMRO-DPMNE-së apo në kohën e LSDM-së, kur kishte paga më të larta, ndërsa shpenzime më të ulëta, sa nga procesi i gazifikimit është përfunduar dhe sa autostrada janë ndërtuar. Gjithashtu u përmend edhe ndërtimi qendrës së re klinike – kush e bllokon atë dhe kush dëshiron ta shtyjë projektin.

“Në këto vite, rritja e BPV-së është 3,6 ose 3,8 për qind, ndërsa për vitin 2021 parashikimet janë që ajo të rritet për katër për qind. Inflacioni është në nivel të qëndrueshëm. Institucionet përkatëse ndërkombëtare e mbështesin këtë mënyrë të punës. Buxheti është në një gjendje të konsoliduar, qytetarët marrin pensione herët, transferimet sociale janë në kohë, ndërsa subvencionet janë edhe në kohë edhe të rritura. Dhe jo vetëm që rriten mjetet për investime, për Ushtrinë, për kapital njerëzor, për bujqësi, shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, por gjithashtu e zvogëlojmë borxhin publik. Dhjetorin e kaluar ne kthyem 175 milionë euro, ndërsa tani në korrik kemi detyrim të kthejmë edhe 500 milionë”, tha Dime Vellkovski nga LSDM.

Ai kujtoi se qeveria, gjatë krizës së koronës, siguroi pako të masave për mbështetje, të projektuara në 1.2 miliardë euro.

Vellkovski gjithashtu bëri një paralele se sa është investuar në mobilie dhe automjete përderisa VMRO-DPMNE ishte në pushtet dhe iu referua investimeve kapitale. Ai kujtoi se kjo qeveri erdhi më 1 korrik 2017 dhe para se të bënte rebalanc, asaj iu desh t’i riprogramonte borxhet prej një miliard denarësh – mjete të papaguara për Operën, MPB-në, Teatrin në Tetovë.

“Në vitin 2020, kjo Qeveri ka shpenzuar 27 milionë denarë për mobilie, ndërsa në vitin 2015 për këtë qëllim janë realizuar 49 milionë ose dy herë më shumë. Pothuajse 16.4 milionë denarë janë shpenzuar për blerjen e automjeteve në 2020 dhe 161 milionë denarë në 2015”, theksoi Vellkovski, duke shtuar se Ministria e Mbrojtjes furnizohet me më shumë se 120-130 automjete të blinduara të reja sepse vendi është një anëtar i NATO-s.

Sa i përket borxhit publik, si shembull e përmendi Spanjën, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe Slloveninë te të cilët, siç tha, borxhi është mbi 80 ose mbi 100 për qind të BPV-së, ndërsa i yni është 62,5 për qind.

Vellkovski e përmendi edhe gazifikimin. “Të krahasosh 11 vjet me tre vjet është matematikisht e pamundur. Por, unë do ta pranoj sfidën. Për 11 vjet, u ndërtuan 61 kilometra, të cilat kushtojnë 70 milionë euro, ndërsa për tre vjet, 170 kilometra, të cilat kushtojnë 100 milionë euro. Këto janë të dhëna pa këtë vit”, tha Vellkovski.

Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE u paraqit për kundëreplikë, duke përmendur se LSDM nuk i ka realizuar premtimet (600 euro pagë, 500 kilometra autostradë, 100.000 pagë për mjekët, qytet studentor,…). Shtesë, konstatoi, jeta është më e shtrenjtë, ndërsa qytetarët janë gjithnjë e më të varfër.

“Në fund të vitit nuk do të kemi investime kapitale dhe do të ketë detyrim akoma më të madh. Vendet që na i përmendët lidhur me borxhin publik, kanë të ardhura të larta nga turizmi, të gjitha kanë dalje në det dhe prandaj kanë ulje më të madhe se ne. Për ndihëm e pakove antikrizë, nëse ato 1,2 miliardë përfundonin ku duhet, nuk do të ishin në minus në kuartalin e parë. Diku jemi duke huqur. Duhet ulur dhe parë se ku po gabohet, t’i ridisejnojmë masat”, theksoi Stojanovski.

Ai u përqendrua edhe në autostradat. “Dy janë gati, Demir Kapi – Smokvicë dhe Milladinovc – Shtip, ndërsa Kërçovë – Ohër duhej të përfundonte në vitin 2018. Tani ka aneks të ri që të përfundojë në vitin 2023 për 10 milionë euro për një kilometër. Kjo dëshmon se kush si sillet dhe kush sa ka bërë për këtë shtet”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së.

Replikë ndaj tij bëri Nenad Kociq i LSDM-së, i cili tha se sa kanë qenë neto pagat në kohën e VMRO-DPMNE-së dhe sa janë tani, sa ka qenë atëherë shporta konsumatorë. Më pas, ai e akuzoi Stojanovskin se është duke përhapur, siç theksoi, dezinformata klasike.

“Në vitin 2014 neto paga mesatare ishte 22.408 denarë ndërsa në vitin 2021 28.438 denarë që është rreth 100 euro më shumë. Shporta konsumatore sociale, nga ana tjetër, në vitin 2014 ishte 32.238 denarë, ndërsa tani është 33.976 denarë. Në kohën tuaj dallimi midis neto pagës dhe shportës ka qenë afro 10.000 denarë, ndërsa tani është 1.800 denarë”, tha Kociq.

Në ditën e parë të rebalancit të Buxhetit përfundoi, ndërsa vazhdimi i seancës së Komisionit kuvendor amë do të caktohet shtesë. Për pushtetin, rebalanci është me më shumë para për stabilizimin e ekonomisë ndërsa për opozitën është shpërdorues dhe ka më shumë para për ryshfet parazgjedhor dhe për punësime partiake. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk do ta mbështesë rebalancin pasi me të, siç theksuan, nuk planifikohen investime dhe zhvillim të ekonomisë por bëhet ryshfet klasik parazgjedhor.

Rebalancin e propozuar, segmentet kryesore të së cilit janë rritja e investimeve kapitale dhe vazhdimi i mbështetjes për ekonominë, e elaboroi zëvendësministri i Financave, Dimitar Kovaçevski i cili tha se projektrebalanci meriton diskutim konstruktiv të bazuar në argumente. Ai ju bëri thirrje të gjithë deputetëve ta mbështesin. Prioritet mbeten, theksoi Kovaçevski, shëndeti i qytetarëve, ekonomia e shëndoshë dhe financat e shëndosha. 

Related posts

Analizë/A janë mbushur me mend terroristët, apo do të provojnë sulme të reja në Kosovë?

I Z

Mbikëqyrje e jashtëzakonshme në INK Idriozvë pas pretendimeve të personave të dënuar Toni Denkovski dhe Janko Janevski për kanosje, reket dhe ryshfet

D V

AlternAtivA-Lëvizja BESA-Lëvizja Demokratike: Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO

D V
OFERTË SPECIALE // Domain + Hosting + Uebfaqe për vetëm 400 Euro në vit!
Ofertë Speciale:
Domain + Hosting + Uebfaqe = 400euro!