Shkup, 1 korrik – Mundësitë për rritjen e investimeve të ndërsjella dhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik do të jenë në fokus të takimit të sotëm dypalësh afarist në Zagreb të biznesmenëve maqedonas dhe kroatë, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci të presidentit Stevo Pendarovski.
Në biznes delegacionin janë biznesmenë nga Lidhja e Odave Ekonomike, ndërsa në takimin të organizuar me Odën tregtare kroate fjalim do të ketë edhe presidenti Penadrovski.
Investimet e drejtpërdrejta nga Kroacia në vend në vitin 2020 tregojnë një dalje prej 0.76 milion euro.
Duke analizuar periudhën nga 2010 deri në 2020, vërehet se investimet më të mëdha janë bërë në vitin 2011 prej tetë milion eurosh, sipas të dhënave nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis dy vendeve në periudhën janar-prill të këtij viti arriti në 69.9 milion dollarë, që është një rritje prej 15.42 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksportet arritën në 36.1 milion dollarë (rritje prej 18.02 përqind), ndërsa bilanci i importit arriti në 33.7 milion dollarë (rritje prej 12.77 përqind), krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2020. Në shkëmbimin e përgjithshëm të tregtisë së jashtme, u realizua një suficit tregtar prej 2.3 milion dollarë.
Kroacia është partneri ynë i 21-të tregtar për periudhën janar-prill 2021 dhe i 20-ti në vitin 2020, kur shkëmbimi arriti në 199 milion dollarë, që është një rritje prej 12.54 përqind krahasuar me vitin e kaluar 2019, por me një deficit tregtar prej 13.2 milion dollarë.
Me pjesëmarrje në takimin afarist, Pendarovski do ta rrumbullaksojë vizitën dyditore në Kroaci. Ai dje pati takim me nikoqirin e tij, presidentin Zoran Millanoviq, si dhe me kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe kryetarin e Saborit, Gordan Jandrokoviq.