Agjencia Zhurnal.mk.

Patrioti i “harruar” i Shqipnisë së pavarur

Nga: Bajram Mjeku

Sa herë shënojmë 28 Nëntorin, ditën e madhe kur në Vlorë u shpall Shqipnia e pavarur, na kujtohen edhe shtrembërimet e mëdha të historisë shqiptare, që vazhdojnë të ndodhin edhe sot. Më keq se kjo, ndodh kur me një të rënë dore, zhbëjmë personalitete të mëdha që kanë bërë shumë për Shqipninë. Ndër më kryesorët është dom Nikollë Kaçorri, të cilin më shumë kemi dashur ta njohim si prelat katolik i humbur diku në malet e ashpra të Veriut, se sa personaliteti më vendimmarrës për bërjen e shtetit shqiptar.

Është pak e rëndësishme të thuhet se dom Nikollë Kaçorri ishte figurë e shquar e kryengritjeve kundër rendit xhonturk, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipnisë në kabinetin e Ismail Bej Vlorës. Ai ishte nyja e miqësisë së fortë midis Shqipnisë me Perandorinë Austro-Hungareze, derisa kjo e fundit ishte sponsoruesja kryesore për themelimin e shtetit shqiptar.

Sikur mbas Luftës së Madhe të mos shuhej Perandoria e dyfishtë, sot Shqipnia do të ishte shteti më i konsoliduar në familjen evropiane. Shuarja e Perandorisë Austro-Hungareze, ishte fatkeqësia më e madhe për të ardhmen e kombit shqiptar.

Brezat që vijnë, duhet të dinë të vërtetën për personalitete të rëndësishme dhe ngjarje të mëdha, në mënyrë që të këqijat të mos bëhen precedentë të rrezikshëm për të ardhmen e tyre. Precedente të këtilla ndodhën edhe në Kosovë. Kur u shpall pavarësia e saj, jo pak plangprishës i pamë duke u krekosur në vijën e parë, derisa shtetndërtuesit nuk ishin as në fund të hollit!

***

Dom Nikollë Kaçorri për shkaqe shëndetësore shkoi në Vjenë në vitin 1916 dhe më 28 janar të këtij viti, Perandori austro-hungarez Franc Jozef e dekoroi me urdhrin Kryqi i Meritës. Ai ndërroi jetë në Sanatoriumin Fürth më 29 maj të vitit 1917 dhe u varros në Vjenë.

U desh të kalojnë plot 94 vjet që eshtrat e tij të kthehen në atdhe! Që regjimi stalinist në Shqipni nuk e bëri këtë është punë e ditur, por pse nuk ndodhi pas rënies së komunizmit, është fort e çuditshme. Më keq se kjo, eshtrat e Kaçorrit nuk u kthyen në atdhe me nismën e shtetit shqiptar, por me iniciativë private të një patrioti vullnetmirë. Ai është shkodrani dhe miku im i mirë Pjetër Logoreci, i cili tash disa vjet jeton e punon në Vjenë. Zhvarrosjen e eshtrave të dom Nikollë Kaçorrit, Logoreci e përshkruan kështu: “Dita e 1 shkurtit të vitit 2011, ishte nji ditë e shënueme për çdo shqiptar, e sidomos për mue personalisht, sepse mbas nji periudhe të gjatë kërkimesh dhe veprimesh administrative, arrita të baj nxjerrjen e eshtnave të Imzot Nikollë Kaçorrit. I gjetëm të mbështjellë në atllas të kuq, që ishte flamuri shqiptar. Zoti më shpërbleu mundin e punën gjashtëmujore që bana tue trokitë në dyert e administratës së sektorit të varrimeve në Bashkinë e Vjenës. Disa vjet ma parë, prifti i misionit katolik në Vjenë, dom Izak Doda, më pat folë për ekzistencën e eshtnave të dom Nikollë Kaçorrit në varrezat qendrore të Vjenës. Me dashamirësinë e autoriteteve austriake dhe me mbështetjen personale të Dr. Bernhard Stillfried, i cili më dha edhe financimet, u mundësua nxjerrja e riatdhesimi i eshtnave të heroit të kombit. Jam i lumtun që arrita ta përfundoj me sukses misionin tim, për të dërgue në atdhe dhe për t’i dorzue pranë Kishës së Shën Luçisë në Durrës më 9 shkurt, sargun me eshtnat e arkitektit të shtetit shqiptar, Imzot Nikollë Kaçorri”, shkruan Pjetër Logoreci.

Edhe tash mbas 12 vjetësh kur eshtrat e Tij pushojnë në Shqipni, përfaqësuesit e shtetit shqiptar, nuk denjojnë ta nderojnë as edhe me një buqetë lule mbi varrin e Tij! 

Related posts

Të ruhemi nga pseudoshkenca e sharlatanëve

D V

Organizohet eventi madhështor “The Best Of Europe Awards 2024” në Stamboll

Xh M

“La dolce vita” – një kontrapunkt aktual edhe i shoqërisë sonë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy