Shkup, 5 korrik – Ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, shmangën mediat gjatë inspektimit të pjesës së rindërtuar nga Podmolje në Ohër. Sipas shërbimit për marrëdhënie me publikun të Ministrisë, ata e rihapën rrugën për hyrje në Ohër. Por, derisa Alsat ishte atje, ndalimi ishte ende në fuqi.
“Përkundër njoftimeve nga policia e Ohrit se sot në orën 11, do të vihet në punë përsëri pjesa e autostradës së Ohrit nga Podmolje deri në hyrje të Ohrit, tani jemi diku rreth orës 12 dhe kjo ende s’është bërë. Automjetet dhe autobusët udhëtojnë përsëri përgjatë rrugës së vjetër Ohër- Strugë”, raporton Miki Trajkovski- gazetar.
Ky seksion rrugor u mbyll për trafik për gati tre javë, për shkak të aktiviteteve të ndërtimit në rrugën pranë Ohrit, kështu që trafiku u devijua përgjatë rrugës së vjetër Ohër- Strugë. Sidoqoftë, do të jetë e mundur të vozitet vetëm në një korsi, pasi tjetra është ende duke u punuar, megjithëse gardhet e sigurisë nuk janë instaluar. Nga ajo që mund të shihet përveç në hyrje të Ohrit, ku është shtruar asfalt i ri, pjesa tjetër është pothuajse e njëjtë si para mbylljes.
“Ne vendasit po përballemi me shumë probleme. Mund të thuhet se
gjërat po shkojnë shumë vështirë, dhe nuk u besoj veçanërisht autoriteteve tani që do ta përfundojnë këtë deri në kohën e caktuar. Nuk ka ditë që nuk ka aksident trafiku në autostradën Ohër -Kërçovë, veçanërisht pranë aeroportit. Kjo është një katastrofë. Rruga është me vrima, vetëm formalisht mbushen. Që do të thotë se jeta e njeriut është shumë e rrezikuar”.
“Unë jetoj jashtë vendit, vij çdo vit. Kanë kaluar tetë vjet, dhe mendoj se edhe 8 do të shkojnë dhe nuk do të përfundohet. Është e njëjta gjë dhe nuk ka asnjë ndryshim”.
“Njëri punon, 10 rrinë”.
Pronarët e bizneseve, hoteleve që ndodhen nga dalja e Ohrit deri në Podmolje, aktualisht nuk punojnë, thonë se do të padisin shtetin për dëmet e pësuara. Zyrtarët kanë premtuar vazhdimisht se me përmirësimin e kushteve të motit, punët e ndërtimit në terren do të intensifikohen, dhe se ka 900 punëtorë në terren, por premtimi assesi të përmbushet. Autostrada filloi të ndërtohet në vitin 2014. /Alsat.mk