Agjencia Interfax e citoi Ministrinë e Jashtme të Rusisë të ketë thënë se ambasadori i këtij shteti në ShBA, Anatoly Antonov, do ta vazhdojë detyrën e tij në Uashington javën e ardhshme pasi ishte tërhequr përkohësisht nga muaji mars.
Rusia e tërhoqi ambasadorin e vet nga Shtetet e Bashkuara në mars si shfaqje e protestës ndaj komenteve të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili në një intervistë për një televizion amerikan deklaroi se beson që Putini është vrasës.
Deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë i kishte tensionuar raportet mes dy fuqive botërore. Homologu i tij, Vladimir Putin, ia kishte kthyer Bidenit me një koment, duke thënë se njeriu ka prirje t’i shohë të tjerët ashtu siç është vetë.
Më pas, Ministria e Jashtme e Rusisë i kishte sugjeruar ambasadorit amerikan që të shkonte në Uashington për konsultime. Pas këtij sugjerimi, ambasadori amerikan u largua nga Moska.