Agjencia Zhurnal.mk.

Pas Forumit të Prespës, Kurti: Serbia duhet ta njohë sa më parë Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për demokratizim, sundim të ligjit dhe për ballafaqim me të kaluarën. Sipas tij, frustrimi që ekziston në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut nuk do të duhej të instrumentalizohet nga Serbia. Sa i përket dialogut, pas Forumit të Prespës, ka deklaruar se sa më parë Serbia duhet të njohë Kosovën. Më tej, ai ka theksuar se nuk duhet që iniciativa e Novi-Sadit t’i shtohet procesit të Berlinit.

 

Pas takimit mes kryeministrave, Albin Kurti ka deklaruar para mediave se Serbia ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, meqë e njëjta ka shkaktuar katër luftëra.

“Demokratizimi është i nevojshëm kundër autokratëve, sundimi i ligjit është i rëndësishëm kundër kriminelëve, ndërkaq ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm kundër kriminelëve të luftës dhe gjithashtu për paqen edhe pajtimin në Ballkanin perëndimor. Në veçanti është Serbia që ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, për shkaqe të njohura. Sepse katër luftërat në Jugosllavi i ka shkaktuar ajo, fatkeqësisht sot e asaj dite nuk ka një ballafaqim me atë çfarë ka ndodhur në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, e besa edhe në Slloveni. E që e ka pasur urdhër-dhënien nga Beogradi”, ka deklaruar ai.

Më tej, ka shtuar se bashkë me Tiranën dhe Shkupin zyrtar duhet që sa më parë të mbahen mbledhje të përbashkëta, meqë ka shumë për të diskutuar dhe bashkëpunuar. Mirëpo, sipas tij frustrimi që ekziston në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut nuk duhet të instrumentalizohet nga Serbia.

“Ne kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Nuk është që edhe i kemi ditur më herët qëndrimet e njëri-tjetrit. Mirëpo, ne vazhdojmë me dialogun gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Dhe miku im, kryeministri Edi Rama e kupton qëndrimin tim, por mua mu duk e udhës që të bëj edhe një herë thirrje që ata që janë të pakënaqur me Bashkimin Evropian nuk po them pa të drejtë, nuk do të duhej që këtë pakënaqësi t’ua instrumentalizojë një shtet i cili nuk e do NATO-n dhe e preferon federatën ruse. Andaj, pakënaqësia e kryeministrave Rama, Zaev, frustrimi që ekziston në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut nuk do të duhej të instrumentalizohet nga Serbia, përkatësisht nga Beogradi zyrtar, apo nga dikush tjetër. Mund të kesh të drejtë të jesh i pakënaqur, por kjo nuk të jep të drejtë që të përfundosh i instrumentalizuar nga ata të cilët e duan hegjemoninë në Ballkan dhe kurrsesi NATO-n, e unë besoj as BE-në”, ka theksuar Kurti, raporton KP.

Shefi i ekzekutivit ka deklaruar se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë.

“Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë edhe për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin. Porsa Serbia do ta njoh Kosovën edhe Kosova do të mund ta njihte Serbinë. Dhe besoj që aspak nuk do të vononte as Bosnja e Hercegovina. Dhe në këtë mënyrë edhe Bashkimi Evropian do ta kishte shumë më të madhe dëshirën që sa më shpejt gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përfshinte në gjirin e vet”, ka shtuar Kurti.

Ai është pyetur edhe për takimin përmbyllës të Berlinit, ku ka potencuar se iniciativa e Novi-Sadit nuk mund t’i shtohet këtij procesi.

“Me datën 5 korrik, pra të hënën, do të mbahet një takim përmbyllës i Berlinit nën udhëheqjen e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe më pas duket që procesi i Berlinit do të jetë i udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë takim përmbyllës të Berlinit, janë paraparë katër marrëveshje të cilat po negociohen edhe këto ditë. Andaj, unë do të isha rezervuar për rezultatin përfundimtar. Mendoj që nga Samiti i Sofias është definuar çështja e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe ajo quhet tregu i përbashkët rajonal dhe nuk mendoj që minishengeni, apo iniciativa e Novi-Sadit mund t’i bëjë paritet ta komplementojë apo t’i shtohet procesit të Berlinit”, shtoi ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeministres, Ana Brnabiq, e cila tha se Kurti është gjeneratë e re e politikanëve.

“Po edhe ajo është gjeneratë e re e politikanëve, por uroj që Serbia sa më parë edhe me ndihmën e kryeministres së Serbisë të distancohet nga regjimi i Millosheviqit, i cili i shkaktoi katër luftëra. Sot e asaj dite kemi shumë plagë të hapura prej tyre, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, por jo vetë,”, u shpreh ai.

Në konferencën pas këtij takimi, Albin Kurti ka deklaruar se projeksionet e Kosovës janë për rritje ekonomike brenda vitit për 7,9 për qind dhe se eksportet janë rritur për mbi 60 për qind krahasuar me pesë muajt e vitit të kaluar. 

Related posts

U rriten çmimet në Kosovë gjatë muajin gusht

D V

Kuvendi nesër me dy seanca

D V

Kërcënon Rakiqi: Asociacionin deri në fund të vitit, ose i braktisim institucionet e Kosovës

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More