Agjencia Zhurnal.mk.

Partnerët e koalicionit u distancuan nga qëndrimet e Trifonovit për Maqedoninë e Veriut

Sofje, 4 janar – Tre partitë – partnere të Ka një popull të tillë (ITN) e Sllavi trifonovit në koalicionin bullgar në pushtet – Ndryshimi vazhdon (PP), Partia socialiste bullgare (BSP) dhe Bullgaria demokratike (DB) u distancuan nga qëndrimi i tij në të cilin fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në i ndërlidhi me heqjen e vizave për hyrje të qytetarëve bullgarë në SHBA dhe pranim të Bullgarisë në Zonën e Shengenit.

 

Siç lajmëroi BGNES, koordinuesi i grupit të deputetëve të Ndryshimit vazhdon (PP) në Kuvendin bullgar, Andrej Gjurov theksoi se Bullgaria ka qëndrim të qartë dhe strategji për marrëdhëniet me vendin.

“Kemi strategji si t’i udhëheqim bisedimet – t’i udhëheqim shumë më intensivisht, në nivel më të gjerë, e jo vetëm në drejtim të së kaluarës historike. Qëllimi është kjo të ndihmojë t’i afrojmë pozitat tona në pajtim me Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë të vitit 2017. ky është qëndrimi i koalicionit dhe i PP-së”, deklaroi Gjurov për Nova TV.

Sipas tij, gjërat që i përmend Trifonov nuk duhet të ndërlidhen njëra me tjetrën.

“Kjo nuk funksionon në nivel ndërkombëtar – të ndërlidhet një vendim me tjetrin”, shtoi Gjurov.

Bashkëkryetari i Bullgarisë demokratike, Atanas Atanasov, deklaroi se personalisht nuk sheh asgjë keq në qëndrimin e Trifonovit, por vlerësoi se gjërat “nuk duhet të ndërlidhen në atë mënyrë”, sepse heqja e vizave për hyrje të qytetarëve bullgarë në SHBA nuk ka kurfarë lidhje me pranimin e vendit në BE.

“Anëtarësimi i Maqedonisë së veriut në BE është çështje e rëndësishme për Bullgarinë. Duhet ta kuptojmë seriozisht këtë çështje dhe t’i mbrojmë interesat tona nacionale. T’i zbatojmë marrëveshjet”, tha Atanasov, duke shtuar se Bullgaria demokratike nuk e mbështetë propozimin e Trifonovit.

Nënkryetari i Kuvendit nacional bullgar dhe ish-ministër bullgar i Punëve të jashtme, Kristian Vigenin, i cili është anëtar i BSP-së, gjithashtu u distancua nga deklarata e Trifonovit, duke cekur se në marrëveshjen e koalicionit mes katër partive është paraqitur qëndrimi i qartë për perspektivë evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Marrëveshja e koalicionit qeveritar mes PP, BSP, ITN dhe DB ka qëndrim të qartë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. kjo temë mbetet një nga sfidat më të mëdha për Bullgarinë dhe për Qeverinë në sferën e politikës së jashtme dhe evropiane. Mirëmbajtja e marrëveshjes së gjerë politike dhe bashkëpunimi mes institucioneve është kyç për mbrojtje të suksesshme të interesit bullgar”, vlerësoi Vigenin.

Sipas tij, mbajtja e Këshillit konsultativ për siguri kombëtare lidhur me temën për Republikën e Maqedonisë së Veriut, që presidenti bullgar, Rumen Radev që muajin e kaluar e paralajmëroi për gjysmën e parë të janarit, paraqet “mundësi të mirë që të merren informata të reja dhe për ndarje të qëndrimeve politike për hapat e ardhshëm”.

“Çdo fjalë është e rëndësishme, prandaj shpresoj se deklaratat e improvizuara në këtë fazë do të reduktohen në minimum, në mënyrë që të mos krijohet pasqyrë e rrejshme për “çarje” në pozicionin bullgar apo mes partnerëve të koalicionit”, shkroi Vigenin në Fejsbuk.

Reagimet e këtilla të Trifunovit pasuan pas kumtimit të tij në Fejsbuk, ku theksoi se nëse “amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, atëherë qytetarëve të Bullgarisë t’u mos u nevojiten viza për të shkuar në Amerikë, si qytetarëve të shumë vendeve të Bashkimit Evropian”.

“Meqenëse jemi anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian, Bullgaria duhet menjëherë të bëhet anëtare e Zonës së Shengenit. Pas shumë pritjeve edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë nga evropianët e vërtetë. Do të thotë, kërkoj menjëherë të mos ketë viza për Amerikë edhe për anëtaret e Zonës së Shengenit”, theksoi Trifonov.

Pas reagimeve në opinionin bullgar ndaj qëndrimit të tillë, Trifunov në një kumtim tjetër në Fejsbuk udhëzoi për “risqarim” ndaj vendit dhe ndaj partnerëve të Bullgarisë në NATO dhe BE.

“Ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut: Ju domosdoshmërisht duhet t’i përmbushni të gjitha pikat nga Marrëveshja për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim që e nënshkruat me Bullgarinë, përfshirë edhe gjithçka që është e lidhur me historinë e Bullgarisë. Sipas tij, qytetarët e Maqedonisë së Veriut “duhet t’i rpanojnë rrënjët historike bullgare”.

“Ndaj partnerëve tanë në NATO dhe BE: Meqë aq insistoni që ne ta mbështesim Maqedoninë e Veriut për negociata për anëtarësim në BE, veproni si partnerë ndaj nesh, meqë dëshironi që ne të jemi partnerët tuaj – pa viza për në SHBA dhe menjëherë në Shengen. mendoj se tani mendimi im si qytetar i Bullgarisë është më shumë se i qartë”, theksoi Trifonov në kumtimin e tij në Fejsbuk.

Siç lajmëroi Dojçe Vele, sekretari ndërkombëtar i ITN-së, Dimitar Gardev, në pyetjen nëse pozicioni i këtillë është qëndrim zyrtar i partisë, deklaroi se për qëndrimin partiak rreth kësaj çështjeje do të bisedohet sot.

Related posts

Regjistrohen 11 raste të reja me Kovid-19, në 24 orët e fundit

D V

Bastisje në Gostivar, gjendet drogë

Redaksia

Takim Mariçiq – Rexhepi: Nevoja për vazhdim të reformave është e madhe

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More