Shkup, 26 nëntor– Të lënduarit në aksidentin e autobusit janë në gjendje të mirë dhe stabile shëndetësore. Dy të parët do të lëshohen nesër, më 27 nëntor, dy të tjerë më 28 nëntor, edhe dy më 30 nëntor dhe një person më 1 dhjetor. Shtetasi serb do të dërgohet në Serbi, ndërsa tanët në Shkup, në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë, njoftoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Siç tha Osmani në konferencën për media në Qeveri, të lënduarit së pari do të dërgohen në institucionet tona shëndetësore derisa të dërgohen në mjekim shtëpiak.
Për transportin e eshtrave të viktimave, plan veprimi do të duhet të përgatisë Grupi i Punës të cilin e formoi Qeveria dhe në krye të të cilit është pikërisht Osmani.
“Qeveria i ndërmori të gjitha shpenzimet për transportin dhe varrimin e viktimave. Pritjet tona janë që javën e ardhshme, sapo të përfundojë identifikimi, mund të pritet e marta ose e mërkura, me mundësi që të ndryshojë ajo ditë derisa nuk kompletohet identifikimi. MPJ do ta organizojë transportin e eshtrave. Sot kishim takim me disa kompani të cilat do të angazhohen rreth asaj, ndërsa ditët e ardhshme planifikojmë takim edhe me familjet që t’i respektojmë kërkesat e tyre për dorëzimin e trupave”, nënvizoi Osmani.
Jemi të përgatitur, shtoi, për të gjitha aspektet e transferimit të të lënduarve dhe eshtrave të viktimave.
“Vazhdojmë me komunikimin e autoriteteve bullgare. Ambasada në Sofje do t’i ndërmarrë të gjitha procedurat për lehtësimin e procedurës. Në ditët në vijim do të informojmë për datën e saktë dhe për lëvizjen e transferimit të eshtrave”, tha ministri.