Agjencia Zhurnal.mk.

Organizim i ngjarjes “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshërve të Italisë”

Shkup, 19 nëntor – Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut organizuan panel diskutimin e radhës në suaza të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” me temë “Anton Nikë Berisha, studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”.

 

Për të nderuar personalitetin e shquar të studiuesit Anton Nikë Berisha të pranishëm në këtë manifestim ishin zëvendës ministri i mbrojtjes, Bashkim Hasani, drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Skender Asani dhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela.

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Skender Asani ka folur rreth miqësisë afatgjate të Institutit dhe studiuesit të mirënjohur Anton Nikë Berisha dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij për themelimin e Departamentit kushtuar jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut, si dhe ruajtjes së thesarit të trashëgimisë kulturore e letrare të arbëreshëve të Italisë për të cilën edhe po diskutohet në kuadër të “Ditëve të Alfabetit”. Përvoja e tij dhe jeta kushtuar studimeve për jetën e arbëreshëve sipas Asanit kanë qenë kyçe për të ruajtur gjuhën e Skenderbeut, për të ruajtur kujtimin për traditat dhe vlerat kombëtare të asaj periudhe të lavdishme. Veprat e tij studiuese kanë një vlerë të jashtëzakonshme të përfaqësimit tonë në letërsinë ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash drejtori i ITSHKSH, Skender Asani.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani përgëzoi ITSHKSH-në dhe Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e manifestimit “Ditët e Alfabetit” për këtë iniciativë organizative që hedh dritë mbi fakte të rëndësishme historike dhe kontributin e shumë figurave të shquara që me punën e tyre kanë promovuar dhe kultivuar frymën kombëtare dhe kulturore të kombit tonë. Ai ka shprehur mirënjohje në emër të Qeverisë së vendit ndaj punës së profesorit Anton Nikë Berisha për të ruajtur si frymëzim faktet e jetës së arbëreshëve si pjesë e pashkëputur e rrugëtimit tonë kombëtar. Hasani ka potencuar se këto manifestime kulturore dhe shkencore do të kenë gjithmonë përkrahjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela ka përshëndetur aktivitetin dhe tematikën e përzgjedhur kushtuar jetës së arbëreshëve në suaza të shënimit të festës kombëtare të alfabetit.

“Bota arbëreshe na përket të gjithëve, është ndjenja dhe krenaria jonë, është gjaku që rikthehet në qenien tonë, nëpërmjet arbëreshëve ne tregojmë përgjegjësinë tonë kombëtare dhe institucionale. Duke i nderuar personalitetet që flasin për ta ne i nderojmë edhe arbëreshët, duke nderuar profesorin Anton Nikë Berisha nderojmë edhe arbëreshët”, është shprehur drejtori Sela.

Studiuesi Anton Nikë Berisha në nder të veprës së të cilit u mbajt paneli i sotëm i diskutimit falënderoi të pranishmit, ITSHKSH-në, Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për vëmendjen që i kushtuan arbëreshëve të Italisë dhe respektin ndaj kontributit të tij shkencor dhe letrar që ka pasur gjithmonë synim ruajtjen e trashëgimisë kulturore të arbëreshëve.

Related posts

Akademiku dhe shkrimtari Ismail Kadare vlerësohet për punën dhe rolin e tij

D V

Epërsia e Ahmet Zogut ishte mungesa e çdo ndjesie

D V

Manifestimi “Drita e Gonxhes”, Shenjtorja jonë nën mbrojtjen e shtetit!

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More