Shkup, 17 nëntor – Vendi ndodhet në krizë të shumëfish por sfida e vetme dhe më e rëndësishme vazhdon të mbetet ajo për ndryshimet kushtetuese me të cilat ndryshime hapet rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Opozita shqiptare vlerëson se Qeveria nuk ka gatishmëri për ndryshimet kushtetuese, prandaj edhe tani e tutje nuk do ta ketë përkrahjen e “Lidhjes Evropiane për Ndryshim” e cila në Kuvend përfaqësohet me grupin parlamentar të përbërë prej 6 deputetëve. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se fakti që Qeveria tregoi rezerva ndaj përcaktimit 20% mbi gjuhën shqipe, dëshmoi se nuk dëshiron mbështetjen e opozitës shqiptare në këtë proces. Prandaj, edhe nga LEN kanë vendosur që gjashtë votat e tyre të mos jenë në dispozicion të shumicës parlamentare për t’i realizuar ndryshimet kushtetuese. Pra, meqë nuk kanë marrë sinjale nga pushteti për kushtëzimin e tyre që ndërlidhej drejtpërdrejt me gjuhën shqipe, këta kanë vendosur përfundimisht të tërheqin mbështetjen e tyre për ndryshimet kushtetuese. Por, ky vendim i tyre është i drejt, i duhur apo i gabuar? shkruan Zhurnal.
Opozita shqiptare e vendosur nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese –
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në intervistë për Alsat tha se fakti që Qeveria tregoi rezerva ndaj përcaktimit 20% mbi gjuhën shqipe, dëshmoi se nuk dëshiron mbështetjen e opozitës shqiptare në këtë proces.
“Ne më tani po shohim se kjo Qeveri nuk ka gatishmëri për të vazhduar procesin e integrimeve. Neve vlerësojmë se kjo Qeveri duhet të shkon dhe më nuk ka përkrahje për ndryshimet kushtetuese me këtë Qeveri”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi gjatë pritjes në vizitë të homologut të tij bullgar, nuk hyri në thelb të procesit të ndryshimeve kushtetuese, por tha shkurt se nevojiten 80 vota për miratimin e tyre. “Jemi edhe në proces të ndryshimit të kushtetutës, për çka na nevojitet shumicë prej 2/3”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Ditë më parë Xhaferi tha se nuk ngarkohet me faktin nëse ka numra ose jo, por thjeshtë seancën do ta vazhdojë në momentin që informohet se është siguruar shumica e nevojshme. Debati për hapjen e Kushtetutës ka ngecur në mbylljen e diskutimit, ndërsa seanca është ndërprerë në mungesë të numrave. Hapja e aktit më të lartë juridik bëhet me 80 vota, ndërsa më pas vijon faza e leximit, shqyrtimit dhe miratimit të amendamenteve.
Në fund për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten përsëri 80 vota dhe shumica e badenterit. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e bullgarëve në preambulë, veprim ky që përbën kusht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë negociatat për anëtarësim në BE. Opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do t’i mbështes ndryshimet, ndërsa opozita shqiptare kishte vendosur për kusht heqjen e 20% dhe miratimin e amendamentit për mos vjetërsimin e veprave penale që ndërlidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare.
Vendimi opozitës shqiptare është i duhur, i drejtë apo i gabuar?
Lidhja Evropiane për Ndryshim po etablohet në skenën politike më mirë se ishte parashikuar e paramenduar nga fillimi. Nëse dikur bajraktarizmin për opozitë shqiptare e kishte Aleanca për Shqiptarët, sot këtë epitet e gëzon Lidhja Evropiane për Ndryshim e përbërë nga tre partitë politike, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa.
Prandaj, këto të fundit po shfrytëzojnë rastin në të cilin ndodhet vendi që është i detyruar të realizojë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugëtimin evropian tutje. Dhe, është më se e natyrshme dhe e logjikshme që secili komunitet të kërkojë të drejtat e veta, e aq më pak kur bëhet fjalë për popullin shqiptarë, që janë shtetformues. Ndryshe, bëhet fjalë për ndryshime që janë kërkesë e palës bullgare, pra shumica paralamentare po kërkon prej opozitës shqiptare të votojnë hapjen e kushtetutës për të plotësuar kërkesat e bullgarëve, por që në këtë hapje të kushtetutës mos të kërkohen ndryshime të tjera.
Ndryshimet që po i kërkon opozita shqiptare janë tejet të kuptueshme e të duhura, të nevojshme e të domosdoshme për t’ia rikthyer dinjitetin e gjuhës shqipe, nga përqindje në gjuhë shqipe. Dhe, kushti i dytë i opozitës shqiptare ka të bëjë me miratimin e amendamentit për mos vjetërsimin e veprave penale që ndërlidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare. Pra, në njërën anë atë të opozitës shqiptare kemi dy kushte apo kërkesa që janë të dobishme edhe për strukturën multietnike të vendit edhe për sundimin e drejtësisë dhe frikën nga ndëshkimi, pra që të dyja kërkesat në mënyrë të drejtpërdrejt i shërbejnë vendit.
Por, në anën tjetër kemi shumicën aktuale parlamentare që as po duan të dëgjojnë për këto dy kushtet legjitime të opozitës shqiptare. Nën arsyetimin e vetëm se nuk është koha tani. Dhe, në një situatë të tillë vendimi për tërheqjen e mbështetjes së tyre për ndryshimet kushtetuese vlerësohet të jetë vendim i duhur, i drejt dhe i qëlluar. /Zhurnal.mk