Shefja e të drejtave të njeriut e Kombeve të Bashkuara (OKB), Michelle Bachelet, ka kërkuar nga Irani të garantojë që mbrojtësit e të drejtave të njeriut, avokatët, gazetarët, shkrimtarët, aktivistët e të drejtave të punës, artistët dhe ambientalistët të mund të përfshihen në aktivitetet e tyre në mënyrë të sigurt dhe të lirë, pa frikën e hakmarrjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e 47-të të rregullt të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, që po mbahet më 21 qershor-13 korrik, Bachelet paraqiti një raport periodik mbi Iranin që mbulon periudhën kohore nga 1 qershori i vitit 2020 deri më 17 mars të vitit 2021.
Raporti theksoi se situata e përgjithshme e të drejtave të njeriut në Iran “mbetet seriozisht shqetësuese”.
“Në vitin 2020 u ekzekutuan të paktën 267 persona, përfshirë nëntë gra, por vetëm 91 nga këto ekzekutime u bënë të ditura. Deri më tani në vitin 2021, në Iran u ekzekutuan të paktën 95 persona, gjashtë prej të cilëve ishin gra”, tha Bachelet në fjalën e saj në këshill.
Bachelet po ashtu theksoi se përdorimi i forcës së papërshtatshme nga forcat e sigurisë kundër protestuesve dhe kalimtarëve të rastit në nëntor të vitit 2019 arriti në incidentin më të keq të dhunës së shtetit në protesta në dekada.
“Megjithatë, protestuesit, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, avokatët, gazetarët dhe aktorët e shoqërisë civile vazhdojnë t’i nënshtrohen frikësimit, ndalimit arbitrar dhe ndjekjes penale, përfshirë dënimin me vdekje. Në përgjithësi, raporti zbulon një peisazh shqetësues të të drejtave të njeriut për gratë dhe burrat iranianë të çdo besimi fetar, origjine etnike, klase shoqërore dhe statusi tjetër. Na vjen keq që korniza për të drejtën e pjesëmarrjes politike nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha shefja e të drejtave të njeriut e OKB-së.
Ambasadori i Iranit në OKB në Gjenevë, Esmaeil Hamaneh, nga ana e tij, tha se: “SHBA dhe mundësuesit e saj, si dhe ato shtete që kanë zbatuar masat e saj të njëanshme dhe shtrënguese duhet të mbahen përgjegjës për shkeljet masive, sistematike dhe të rënda të të drejtave të njeriut”./AA