Rritje e rezistencës së baktereve të cilat shkaktojnë infeksione në gjak ndaj ilaçeve, duke e përfshirë rezistencën në antibiotikë nga linja e fundit e mbrojtjes, është vërejtur në vitin e parë të pandemisë së koronavirusit, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, organizatë e bazuar në të dhënat nga 87 vende në vitin 2020.
Përdorimi i tepërt i antibiotikëve ka ndihmuar që mikrobet të bëhen rezistente ndaj shumë ilaçeve dhe në mënyrë alarmante pak antibiotikë të rinj po zhvillohen në laboratorë.
Nivele të larta (mbi 50 për qind) të rezistencës janë vërejtur në bakteret që zakonisht shkaktojnë infeksione të marra nga spitali kërcënues për jetën, si Klebsiella pneumoniae dhe Acinetobacter spp, theksojnë autorët e raportit të publikuar sot.
Këto infeksione shpesh kërkojnë trajtim me antibiotikë “të linjës së fundit”, barna që përdoren kur të gjithë antibiotikët e tjerë kanë dështuar. Rreth tetë për qind e infeksioneve të qarkullimit të gjakut të shkaktuara nga Klebsiella pneumoniae janë bërë rezistente ndaj një grupi kyç të barnave të fundit të quajtur karbapenem, thuhet në raport.
Edhe pese ka përpjekje të bashkërenduara për të kufizuar përdorimin e pakontrolluar të antibiotikëve, ritmi i kërkimeve të reja mbetet i dobët.
Analizë e madhe globale e publikuar në fillim të këtij viti tregoi se 1.2 milionë njerëz vdiqën në vitin 2019 nga infeksionet bakteriale rezistente ndaj antibiotikëve, duke e bërë AMR-në shkaktarin kryesor të vdekjes në botë në atë grup, më shumë se HIV/AIDS ose malaria.
Autorët e raportit të OBSH-së thonë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar arsyet e rritjes së AMR gjatë periudhës së vëzhguar dhe sa lidhet me rritjen e përdorimit të antibiotikëve gjatë pandemisë.
Normat e AMR-së gjithashtu analizohen vështirë për shkak të testimit të pamjaftueshëm dhe kapacitetit të dobët laboratorik, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, shkruajnë autorët.