Agjencia Zhurnal.mk.

Nesta e cilëson Allegrin si “mik”, nuk përmbahet Cassano

Alessandro Nesta ishte i ftuari special i episodit të fundit të “Bobo TV”. Ish-mbrojtësi i Lazios dhe Milanit, që ka vendosur të ndjekë karrierën e trajnerit, ka folur në takimin klasik me Vierin, Cassanon, Adanin dhe Ventola për temat më të nxehta të futbollit të momentit.

Mes tyre padyshim që është edhe momenti i keq i Juventusit, i cili përveçse duhet të merret me drejtësinë sportive, në fushë po has shumë vështirësi, gjë që e vërteton edhe humbja e bujshme në shtëpi ndaj Monza. Mbi të gjitha, në bankën e të akuzuarve ishte Massimiliano Allegri, i cili drejtonte Nestën në kohën e Milanit.

Sërish nuk munguan kritikat për trajnerin e Juventusit, i cili menjëherë pas paraqitjes së fundit thuajse u befasua nga qëndrimi i skuadrës së tij dhe në veçanti nga ata lojtarë që nuk e kuptonin seriozitetin e situatës. Kur erdhi puna për të hapur debatin për Allegrin, Alessandro Nesta ka dashur menjëherë të sqarojë me buzëqeshje: “Trajneri është miku im”.

Fjalë që lëshuan Antonio Cassano, i cili nënvizoi: “Ah, ai është miku yt, atëherë perfekt. Unë mendoj se atë ekip atje, edhe një banakier mund ta stërvitë. Tani, Juventusi duhet të shpëtojë, të mbijetojë në Serie A. Le ta shpëtojë veten tani, le të bëjë, ja ku jemi”.

Nëse Adani donte të fotografonte atë që ndodhi të dielën në “Allianz Stadium” (“Oh, nuk ishte Barcelona? Ishte Monza? Në fakt skuadra që mundi Juven dukej si Barcelona”), Nesta tregoi gjithë habinë e tij për atë që bëri Juventusi, duke theksuar kufijtë nga pikëpamja e qëndrimit:

“Për mua ka diçka që nuk shkon. Juventusi duhet mbi të gjitha të përmirësojë posedimin. Nuk mund të mbrohesh gjithmonë, përndryshe do të futesh në ujë, humbet guximin. Për mua nevojiten më shumë ide kur ti e ke topin, ndryshe…”

Në këtë pikë Cassano u rikthye të fliste për eksperiencën e përbashkët te Milani, së bashku me Nesta, me Allegrin si trajner. Gjykimi i tij është edhe një herë shumë i ashpër: “Vazhdoj ta them. E kam pasur për dy vite trajner me ty. Nuk iu përkushtua asgjëje, në kuptimin: Pirlo vendos, Sandro dhe Thiago Silva mbrojnë. Sepse konkretisht ai gjithmonë ka stërvitur lojtarë stratosferikë dhe prej tyre fitonte ndeshjet.

Ai e bëri këtë edhe në pesë vitet me Juventusin. Por kur duhet të japë një ide, ta bëjë skuadrën të luajë dhe gjithashtu të evoluojë, ai mbeti në atë lloj futbolli që luajti edhe si lojtar. Monza i zbuloi fytyrën e vërtetë, tani duhet të shpëtojë veten. Ka një vit e gjysmë që bën përpjekje halucinative, nuk mundet të bëjë tri pasime”.

Çfarë mendon Alessandro Nesta për të gjitha këto? Përtej lojës dhe situatave, ish-mbrojtësi nënvizon se si gjërat kanë qenë ndryshe në të kaluarën dhe sesi sipas tij Allegri është një person inteligjent: “Kur na stërviti ai ishte ofensiv. Luanim me ju, Robinho, Ibra, Clarence, me shumë lojtarë të mirë. Asokohe ishte një futboll ndryshe, edhe i yni ishte shumë ndryshe”.

Related posts

De Gea afër rikthimit në Ligën Premier?

D V

Ylli i Barcelonës premton se do të ndjekë hapat e Messit

D V

Carvajal ka pësuar lëndim të rëndë, zgjerohet lista e lojtarëve që mungojnë te Real Madridi

D V