Agjencia Zhurnal.mk.

Në vitin 2008, Serbia u kërkoi serbëve në Kosovë të largoheshin nga puna, pastaj i harroi të gjithë

Serbët nga Kosova, nga të cilët, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, qeveria e atëhershme serbe nën udhëheqjen e Vojisllav Koshtunicës u kërkoi atyre të linin punën në ish organet e përkohshme komunale nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara me garanci se ata do të caktoheshin në punë të tjera në organet e Serbisë, tashmë prej 13 vitesh po kalojnë nëpër procedura gjyqësore sepse nuk e morën kurrë punën e premtuar, shkruan portali serb, Pishtaljka.

 

Procedura është nisur në bazë të katër akteve të Qeverisë së Vojisllav Koshtunicës të vitit 2008, të cilat janë nënshkruar nga nënkryetari Bozhidar Gjeliq, dhe me të cilat katër ministritë obligohen që t’i marrin qytetarët nga organet e përkohshme. Asnjë nga shtatë qeveritë, aq sa shumë prej tyre kanë ndryshuar që atëherë, nuk e kanë përmbushur premtimin, sipas këtij portali. Pishtaljka kujton se në vitin 2012, Avokati i Popullit deklaroi se qytetarët të cilëve u kërkohet të largohen nga puna mbetën në “buzë të ekzistencës”.

Edhe pse nuk dihet numri i saktë i personave që kanë paditur shtetin serb, ata me të cilët Pishtaljka ka rënë në kontakt nuk kanë arritur të punësohen as përmes gjykatës. Sipas portalit, në procedurën e udhëhequr nga Ljubinko Gjorgjeviq nga Shtërpca, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim për më shumë se dy vjet. Në dy raste – Mirjana dhe Ivan Davidoviq, po ashtu nga Shtërpca – Gjykata Supreme e Kasacionit nuk ka vendosur për dy vjet. Një burrë ndërroi jetë pa pritur vendimin e gjykatës. Ka edhe nga ata me të cilët Pishtaljka ka rënë në kontakt dhe që pretendojnë se kanë hequr dorë dhe kanë tërhequr paditë e tyre.
“Na mashtruan. Na shpikin gjykatat, shkalla e parë shpallet jokompetente, pastaj shkalla e dytë e kthen në shkallën e parë që të vendosë përsëri, dhe përsëri gjykata thotë se nuk mund të gjykojnë sepse kemi punuar për UNMIK-un, jo për Serbinë. Prandaj vendosa të tërhiqja padinë”, ka thënë për Pishtaljka një ish-punonjës i autoriteteve të përkohshme nga Shtërpca, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Ai ka shpjeguar se tre vitet e fundit ka qenë në pension dhe se deri atëherë ka marrë ndihmë financiare nga Serbia, e ashtuquajtura minimale, e cila arrinte në 11 mijë dinarë.

Pishtaljka mëson nga vendasit se disa që paditën qeverinë u shpërngulën jashtë Serbisë, e disa u larguan nga Kosova dhe u shpërngulën në Serbinë qendrore. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, i cili më parë ishte deputet i Partisë Demokratike të Serbisë dhe këshilltar i kryeministrit Vojisllav Koshtunica në kohën e bërjes së konkluzioneve, tani është anëtar i SNS-së së Vuçiqit. Partia, nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve edhe pas disa thirrjeve të këtij portali, duke sqaruar se zyra ka një shërbim kompetent për bashkëpunim me gazetarët. Ai nuk i është përgjigjur as pyetjes nëse e dinte se ka njerëz që kanë më shumë se një dekadë pa punë pavarësisht premtimeve zyrtare të qeverisë.

Përkundër faktit se Petkoviq iu premtoi se do të marrim përgjigje nga kabineti i tij dhe nga shërbimi kompetent, Pishtaljka as pas disa muajsh nuk mori informacion se sa persona nga organet e përkohshme janë punësuar në ministri dhe sa nuk kanë gjetur punë. Me pretekstin se ka shumë punë për shkak të krizës aktuale në Kosovë dhe largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, Zyra nuk na ka dhënë të dhëna për numrin e personave që kanë ndërprerë punën në vitin 2008 dhe nuk janë të punësuar në shërbimin civil dhe informacione se sa prej tyre jetojnë sot në Kosovë, thuhet në tekstin e portalit.

Ajo që dihet është se në vitin 2008 kanë dhënë dorëheqje policët, taksambledhësit, doganierët, punonjësit e gjykatave dhe të vetëqeverisjes lokale dhe se këta të fundit ishin 368 sosh dhe se ish Ministria për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ishte e detyruar t’i merrte ata në punë.

Serbëve, të cilëve shteti u kërkoi dorëheqje, vështirë se sot u kujtohen dy ish-ministrat për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq nga Partia Demokratike e Serbisë, i cili premtoi publikisht se Serbia do të sigurojë mbështetje financiare për njerëzit që largohen nga autoritetet e përkohshme, dhe Goran Bogdanoviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Boris Tadiqit. Sot ata të dy shpjegojnë se gjatë kohës që ishin në detyrë janë marrë me çështje të tjera të rëndësishme, madje Bogdanoviq shton se as që e mban mend që ka pasur problem me punësimin e njerëzve sepse ka qenë “shumë kohë më parë”. /Pishtalka

Related posts

Këshillat e Kurtit në vesh të “shurdhër”, përçarje sërish në Luginë

I.A

Kurti bashkë me Bulliqin shëtisin në sheshin e Podujevës

D V

Urdhërarresti ndaj Radoiçiqit “është ende në fuqi”

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More