Shkup, 25 dhjetor – Policia në Shkup ka konfiskuar rreth pesë kilogramë heroinë, në vlerë prej rreth 200.000 euro.
Siç informojnë nga MPB-ja, nëpunës të Departamentit të policisë për krim – Sektori për tregti të paligjshme me drogë, armë dhe substanca të rrezikshme në rrugën “Bosnje dhe Hercegovinë” në Shkup kanë arrestuar A.O (37) nga Gostivari, ku u gjetën rreth pesë kilogramë heroinë në vlerë rreth 200.000 euro, të cilën e mbante në një çantë shpine.
“Gjatë kontrollit në çantën e shpinës u gjet heroinë, e cila ishte e paketuar në nëntë pako. Gjetja është konfiskuar, A.O është privuar nga liria dhe gjatë ditës në Prokurorinë publike kompetente Shkup do të parashtrohet kallëzim përkatës penal për vepër penale nga neni 215”, thuhet në kumtesën e MBP-së.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se vijon me luftën e vazhdueshme kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike “siç dëshmohet nga sekuestrimi i vazhdueshëm i drogës dhe kapja e personave që kryejnë këto vepra penale”.