Agjencia Zhurnal.mk.

Në lëndët komunale të përmbaruesve edhe celularë të papaguar prej 70.000 denarësh

Qytetarët marrin celularë prej 1000 eurosh me këste, i përdorin, por nuk e shlyejnë borxhin. Dhe ky është një nga rastet komunale me të cilat përballen përmbaruesit, edhe pse zakonisht raste të tilla duhet t’i referohen mospagesës së energjisë elektrike, ujit, ngrohjes…

 

Përfaqësuesit e Odës së Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut në tryezën e rrumbullakët dhe trajnimin për gazetarë që u mbajt në Manastir, fundjavën e kaluar, theksuan se janë të stërngarkuar me lëndë komunale, të cilat përbëjnë rreth 80 për qind të punës.

Sipas tyre, është e nevojshme barazimi i lëndëve komunaleve me lëndët e tjera, përkatësisht të mos trajtohen si borxh i subvencionuar, si dhe të ketë dispozitë që kreditorët nuk mund të paraqesin kërkesë për përmbarim për borxhe nën 500 denarë.

Ata thonë se në këtë mënyrë do të ngrihet niveli i sigurisë financiare të zyrave të përmbaruesve dhe do të rritet edhe numri i punonjësve.

Përmbaruesit bënë me dije se vitet e fundit ka rënë interesimi i stafit të ri për veprimtarinë e përmbarimit. Nëse në vitin 2017 në zyrat e përmbarimit ishin gjithsej 650 punonjës, tani numri i tyre është përgjysmuar dhe shkon rreth 330.

Sipas Odës së Përmbaruesve, pas uljes së tarifave për urdhrat e përmbarimit, ky profesion bëhet ekonomikisht i padobishëm. Interesimi për këtë aktivitet në qytetet jashtë Shkupit ka rënë, për këtë arsye përmbaruesit nga kryeqyteti konkurrojnë dhe punojnë në qytete të tjera të vendit.

Përmbaruesit treguan se vetëm në dy vitet e fundit, një duzinë prej tyre dolën në pension të parakohshëm ose dhanë dorëheqjen vullnetarisht.

Për tejkalimin e kësaj situate, Oda pranë Ministrisë së Drejtësisë ka iniciuar ndryshime në Ligjin për Përmbarim, për të cilin tashmë është formuar Grupi i Punës, në të cilin ka përfaqësues nga Ministria dikasteriale, profesorë, përmbarues, gjyqtarë të Apelit, përfaqësues nga Oda e Avokatisë Oda Ekonomike, bankat…

Personi i parë i Odës së përmbaruesve, Vanço Markovski, thotë se janë në kërkim të ndryshimeve në Ligjin për përmbarim me vendosjen e tarifës për fillimin e procesit të përmbarimit. Ai shton se nuk kërkojnë ndonjë gjë të veçantë, por se praktika duhet të jetë si në gjykatë, ku nuk ka fillim procesi gjyqësor pa paguar tarifë gjyqësore.

“Kur paraqitet kërkesa për përmbarim me shkresë ekzekutive, duhet paguar një shumë e caktuar që përmbaruesi të fillojë punën. Kompensimi do të jetë për përpunimin e të dhënave, të cilin kreditorët do të duhet ta paguajnë në fillim të procedurës”, shpjegoi Markovski.

Ai bën të ditur se në vitin 2017 është futur paradhënie dhe realizimi i lëndëve në nivel vjetor ka qenë mbi 50 për qind, ndërsa në vitet e tjera nuk është mbi 30 për qind.

“Një përmbarues që fillon pa lëndë nuk ka paradhënie shpenzimesh, nuk ka hyrje fondesh, ndaj për lëndët e reja që do t’i marrë për t’i punuar duhet të sigurojë para vetë. Të krijojë kushte për funksionimin e zyrës së tij, kompjuterëve, programit të menaxhimit, ambienteve të zyrës, punonjësve, shpenzimeve. Në rastet me përqindje shpërblimi mund të fitosh para, por janë të rralla”, tha Markovski dhe pyeti se në cilin biznes investohet 100 për qind punë dhe 10 për qind është fitimi.

Në vitin 2022, Oda e Përmbaruesve do të vazhdojë aktivitetet për lidhje elektronike me autoritetet shtetërore, institucionet, regjistrat,…, për të zbatuar më ekonomikisht përmbarimin përmes procesit të ndërveprueshmërisë.

Tendencat – gjithnjë e më shpesh lihet anash koncepti i përmbarimit në gjykata dhe përdoret përmbarimi privat

Përmbaruesi Jordanço Davitkovski nga Kriva Pallanka bëri një krahasim me sistemet e përmbarimit në vendet fqinje, në rajon dhe nëEvropë. Sipas tij, për një efikasitet më të madh të procedurës përmbarimore, në të gjitha vendet po shkojmë drejt futjes së një sistemi përmbarimor me përmbarues privat ose një sistem të kombinuar – një pjesë në gjykata dhe një pjesë përmes përmbaruesve privatë.

“Tendenca në vendet evropiane është braktisja e sistemit gjyqësor të përmbarimit për shkak të joefikasitetit dhe kalimi në sisteme të tjera të përmbarimit. Në vendin tonë, pas miratimit të Ligjit për Përmbarim në vitin 2005, i cili hyri në fuqi në vitin 2006, në vazhdimësi po punohet në përmirësimin e kësaj zgjidhjeje ligjore, në vazhdimësi bëhen ndryshime dhe plotësime në përputhje me trendet shoqërore”, informon Davitkovski.

Ai theksoi se në Holandë zbatohet sistemi i përmbarimit, si tek ne me përmbarues privatë, pra braktiset koncepti i përmbarimet në gjykata dhe përdoret përmbarimi privat.

“Në përmbarimin privat nuk ka mundësi të përsëritjes së procedurës gjyqësore. Ky sistem është shumë efikas dhe i shpejtë. Debitori nuk ka mundësi ta shtyjë përmbarimin, por ka mundësi të paraqesë mjete juridike dhe ankesa, por ato ankesa nuk e vonojnë përmbarimin”, sqaroi Davitkovski.

Ai informon se në Slloveni dhe Kroaci zbatohet sistemi i kombinuar i përmbarimit, ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Kosova kanë pranuar sistemin e përmbarimit privat.

Lidhur me iniciativat e disa shoqatave civile për kthimin e përmbarimit në gjykata, Davitkovski konsideron se një opsion i tillë është një hap prapa në efikasitetin e përmbarimit, gjegjësisht është absolutisht i pamundur.

Përmbaruesja Karolina Tanevska nga Prilepi iu referua mjeteve juridike në përmbarim, duke theksuar se pala, pjesëmarrësi ose personi i tretë në procedurë që mendon se përmbaruesi ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në procedurë ose nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim të caktuar juridik, mund të paraqesë ankimim në Gjykatën Themelore ku edhe bën pjesë përmbarimi.

“Sipas ligjit të mëparshëm Kryetari i Gjykatës Themelore është ai që vendos për ankesat, ndërsa në ndryshimet e fundit të ligjit kemi një gjyqtar kompetent i cili sipas orarit vjetor të punës në gjykatë vendos për ankesën”, tha Tanevska.

Siç sqaroi ai, për të hequr të gjitha dyshimet për ligjshmërinë e procedurës, pas vendimit mund të bëhet ankimim në Gjykatën e Apelit, gjë që është në interes të palëve të prekura nga përmbarimi dhe përmbaruesit. Në atë mënyrë, theksoi Tanevska, palët mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre nëse vërtet ka lëshime në procedurën përmbarimore, por përmbaruesit janë të mbrojtur edhe me vendim të gjykatës në rast të ankesave të mëtutjeshme për procedurën.

Përmbaruesja Tanevska theksoi se ankesat nuk kanë efekt suspenziv, përkatësisht nuk e vonojnë përmbarimin, përveç në rastet konkrete të rregulluara me ligj.

Ajo sqaroi se Ligji parashikon edhe të drejtën e padisë, e cila rregullohet vetëm kur ka konkluzion të shitjes.

“Pjesëmarrësi i ankandit publik mund të ngrejë padi kundër konkluzionit të shitjes që përmbahet në procesverbal, të llogaritur nga dita e zhvillimit të ankandit publik ose nga dita e nënshkrimit të kontratës së shitjes. Nëse gjykata vendos masë të përkohshme pas paraqitjes së padisë në afat prej 15 ditësh nga paraqitja e padisë, fitimi i së drejtës së pronësisë shtyhet në atë mënyrë që vendimi për shitje të shtyhet”, tha Tanevska.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit, përqindja e përmbarimit është 11 për qind

Nga analiza e Dhomës së Përmbaruesve rezulton se në gjashtëmujorin e parë të vitit janë pranuar gjithsej 75.528 lëndë, prej të cilave 7.722 nga persona fizikë, 66.823 nga persona juridikë dhe 984 nga organe shtetërore.

Nga ana tjetër, numri i lëndëve të përfunduara sipas kërkesave për përmbarim është 31.405, prej të cilave 8.333 lëndë të pranuara në periudhën janar-qershor të këtij viti janë zgjidhur, ndërsa 23.072 lëndët e mbetura të zgjidhura janë nga periudhat tremujore paraprake.

Përqindja e realizimit në gjashtëmujorin e parë të vitit, siç tregon analiza, ishte 11.03 për qind.

Shuma e përgjithshme e mjeteve të mbledhura nga përmbarimi në gjashtë muajt e parë të vitit është 3.893.370.367 denarë. Në këtë periudhë, përmbaruesit më së shumti kanë inkasuar nga debitorët, personat juridikë, 2 163 405 813 denarë, pastaj nga personat fizikë 1 178 438 441 denarë dhe nga organet shtetërore 589 039 203 denarë.

Related posts

Petrovska bën thirrje për ndërprerje të veprimeve ushtarake në Ukrainë

Z.H

Një person në Gostivar akuzohet për shpërndarje të sëmundjes ngjitëse

D V

ASH: Fushata në Tetovë, fushatë kontratash nga pushteti lokal e qendror

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More