Agjencia Zhurnal.mk.

Në Kuvend janë bllokuar 130 ligje, kryeministri në “gjah” të votave për ndryshimet Kushtetuese!

Shkup, 9 nëntor – Kuvendi i RMV-së si duket është vendi i cili më shumë qëndron i bllokuar se sa i zhbllokuar, të zgjedhurit e popullit po zgjedhin që interesin e qytetarëve ta kenë punë dytësore, sepse për çdo çështje tjetër bllokohet Kuvendi sikurse të jetë “kiosk qyteti” e jo organi më i lartë i një shteti. Kryetari i LSDM-së dhe kryeministri vendit, Dimitar Kovaçevski, në intervistë për lajmet në televizionin Sitel, ka thënë se deputetët e VMRO-DPMNE-së në Kuvend po bllokojnë 130 ligje që janë në interes të qytetarëve në kohë krize, duke theksuar përgjegjësinë e të gjitha partive politike. Pra, bllokimi i ligjeve që janë në interes të qytetarëve është bërë sikurse të jetë çështje praktike që preferohet të zbatohet nga partitë politike për inate politike dhe për arritjen e qëllimeve për përfitime partiake, shkruan Zhurnal.

 

Kryeministri në “gjah” të votave për ndryshimet Kushtetuese, ligjet e rëndësishme për qytetarët kanë ngel të bllokuara-

Kryministri, Dimitar Kovaçevski, në intervistë për lajmet në televizionin Sitel, ka thënë se deputetët e VMRO-DPMNE-së në Kuvend po bllokojnë 130 ligje që janë në interes të qytetarëve në kohë krize, duke theksuar përgjegjësinë e të gjitha partive politike. Duke mos e amnestuar edhe partinë që e udhëheq ai, LSDM, por gjithësesi vetëm në mënyrë deklarative, pasi ai së bashku me deputetët e tij janë në hall të madh se si do të arrijnë të sigurojnë 80 votat e nevojshme për të bërë ndryshimet Kushtetuese, për të hap rrugën euro-integruese të vendit.

“Në mbledhjen e sotme në Kuvend, diskutuam edhe për të gjitha ato ligje, e ato janë mbi 130 ligje në Kuvend dhe që nuk janë votuar për shkak të bllokimit nga opozita. Këtu më së shumti u diskutua për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha ligjet janë renditur me emër, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi, duke qenë se ky është një nga kriteret kryesore në pjesën e qasjes së shtetit në BE”, ka thënë Kovaçevski.

Sipas kësaj që thotë kryeministri i vendit, nënkuptohet që bëhet fjalë për akuza që më mirë të akuzojë se sa të akuzohet. Sepse, nuk ka kuptim logjik të akuzohet opozita për bllokadë kur realiteti është ndryshe sepse Kuvendi sa më shpesh bllokohet aq më shpesh dëshmohet se kemi të bëjmë me një shumicë parlamentare jo stabile. Edhe pse Kovaçevski deklarohet se shumica është stabile dhe se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, kjo ngjanë më shumë shprehje dëshire se përshkrim të realitetit faktik.

Për çfarë janë të nevojshme ndryshimet Kushtetuese, në drejtim të së cilëve është i koncentruar i tërë Kuvendi?

Kur flitet për të ardhmen evropiane janë të detyrueshme ndryshimet Kushtetuese të cilat janë parapara të ndodhin edhe sipas marrëveshjes me Bullgarinë. Por, këto ndryshime nuk mund të bëhen dot pa përkrahjen e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare, nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend apo me 80 vota të deputetëve nga 120 sa janë të gjithë. Qeveria aktuale përbëhet nga 63 deputetë, që nënkuptohet se janë të nevojshme edhe 17 deputet apo vota të tyre që ndryshimet e tilla të ndodhin.

Opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë gjithsej 10 deputetë, 7 nga ASH dhe 3 nga LB, por edhe përkundër faktit që këto parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre nuk garantojnë që do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nëse nuk plotësohet kushtëzimi tyre që është kryekëput largimi i përqindjes për gjuhën shqipe nga Kushtetuta.

Bllokada në Kuvend është praktikë e kamotshme-

Nëse flasim për bllokadë në Kuvend, në retrospektivë sjellim vetëm disa prej bllokadave që kanë qenë aktive në Kuvend, kryesisht të iniciuara nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare. Po këtë vit, 10 maj 2022, ishte dita e fillimit të bllokadës në Kuvend, e iniciuar nga VMRO-DPMNE të cilët patën thënë se për të ndaluar bllokadën në Kuvend, kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevskit, si kusht i kishin vendosur që duhet të caktojë takim liderësh dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Por, tre javë më vonë partitë në pushtet LSDM-BDI dhe Alternativa shprehen ende njëjtë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në dobi të vendit dhe zgjedhje të rregullta do të ketë pas dy viteve, gjegjësisht në vitin 2024.

Nëse krahasohen bllokada aktive e VMRO-së për zgjedhje të parakohshme dhe bllokada e vitit të kaluar nga opozita shqiptare për miratimin e Ligjit për Shtetësi, vërehet një dallim shumë i madh, sepse vitin e kaluar ishte bllokadë kuptimplotë e cila dha edhe rezultat konkret, me çka ajo që u kërkua u pranua nga Qeveria dhe Kuvendi u zhbllokua.

Megjithatë, mjetet e përdorura në bllokadat e opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase janë të ndryshme, opozita shqiptare përnjëmend kishte vendosur ta bllokojë Kuvendin duke dërguar me qindra amandamente, ndërkaq opozita maqedonase me disa banera e turma para foltores së Kuvendit po tenton të bllokojë, gjë për të cilën nuk po arrin dhe kushtimisht thënë kjo bllokadë aktive është më shumë pasive dhe jo efektive.

Kujtojmë se, Kuvendi bllokohet kur qeveria është e arnuar me deputet të joshur për pushtet, e krijohet shumicë me pakicë që vetëm të qëndrojnë e të kenë pushtet, me fjalë të tjera vetëm qeveritë jo stabile mundësojnë bllokim Kuvendi e futje të vendit në krizë të shumëfish, në rrugë pa dalje. Një gjë e tillë ndodhë shpesh në vendin tonë sepse është një nxitim kush i pari po ulet në karrigen e të parit të qeverisë që të formojë qeveri, pa rëndësi se me kë e si, me rëndësi të në anën e pushtet e jo atë të opozitës. /Zhurnal.mk

Related posts

Komuna e Tetovës: Qytetarët të raportojnë për qenë të rrezikshëm endacak

Z.H

ASH: Vandalizmi ishte për mbrojtjen e drejtësisë së partizuar

Z.H

Petrovska ndau distinktiv të artë për 30-të vjet shërbim aktiv në Armatë

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More