Dibër, 23 gusht – Në regjistrimin e popullsisë që pritet të fillojë nga 5 shtatori, në qytetin e Dibrës kërkohen gjithsej 72 regjistrues në teren. Por në Dibër interesi për regjistrues ka qenë jo pak por tejet i dobët.
Nga 72 persona që kërkohen për regjistrues, në konkurs janë paraqitur vetëm 45, por prej atyre 45, në testim kanë shkuar vetëm 28. Kështu, nga 72 sa nevojiten gjithsej, janë siguruar vetëm 28 regjistrues, shifër kjo tejet e ulët për nevojat e Entit Shtetëror për Statistika.
Sipas Reshad Qormemetit nga Dibra, në këtë rajon duhet të angazhohen 72 persona, prej tyre gjashtë duhet të jenë instruktorë.
“Interesi është shumë i vogël. U paraqitën 45 persona, por në testim erdhën vetëm 28. Ka mungesë të regjistruesve dhe instruktorëve nga të gjitha bashkësitë etnike. Sa për ilustrim, nga 30 regjistrues sa duhet të jenë nga etniteti shqiptar, janë paraqitur vetëm 12”, thotë Qormemeti.
Ai shton se konkursi për angazhimin e regjistruesve dhe instruktorëve është vazhduar deri më datën 25 por kjo është e kotë sepse ai nuk është optimist se do të rritet interesi.//Zhurnal.mk