Agjencia Zhurnal.mk.

Ndikimi rus në Shqipëri, real apo… fantazi?

XHEVAT MUSTAFA 

Në vend që të ndjente marre dhe pendesë për propozimet e tij lidhur me një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën dhe që Veriu i Kosovës të vihet nën kontrollin e KFOR-it, që të dy haptazi në dobi të skenarit dhe interesave të Serbisë, institucionalisht të Aleksandar Vuçiçit dhe të Ana Brnabiçit, dhe nëpërmjet tyre edhe të Putinit, duke qenë në eufori apo ekstazë, Edi Rama “fluturoi nga gëzimi” dhe deklaroi në një samit ndërkombëtar se ka gjetur mirëkuptim dhe mbështetje të gjerë në BE dhe në NATO për këto “kryevepra politike” të tij!? Saktësisht, këtë gjendje shpirtërore apo mendore, ai e shprehu në Berlin, më 29 shtator, në samitin “Berlin Global Dialogue”.

Për të qenë të saktë, po përcjell një frazë nga sa ka thënë e shkruar vetë Edi Rama: “…Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale…!”.

Po më 29 shtator dhe po në samitin “Berlin Global Dialogue”, Kryeministri Edi Rama bëri edhe një deklaratë tjetër të “firmës apo markës Edi Rama”, për të cilën, ashtu si edhe për të mëparshmet fakte në realitet dhe jetë, i kundërvihen hapur dhe fort. Fjala është për deklaratën e tij të re, iluzore, se “Shqipëria është 100% jashtë ndikimit rus”!? Faktet dhe argumentet për ta kundërshtuar apo për ta ndihmuar që të mos i shtojë një blof e turpërim vetes, janë të bollshme! Nuk mund të mbyllet dhe arkivohet si krejt e rastit dhe jashtë një piste konspirative edhe dosja me bollëk informacionesh në mediat shqiptare, ruse e ndërkombëtare e “vdekjes aksidentale në sauna”, në një hotel në Qerret të Kavajës, më 15 mars 2021 e 4 qytetarëve rusë, më i moshuari me lidhje rreth 65-vjeçare me babain e Kryeministrit, Kristaq Rama, kur ky ishte me studime në ish-BS!

Po kështu, nuk mund të interpretohet si vizitë turistike ajo e dy agjentëve sekretë rusë (një mashkull e një femër) dhe e një ukrainasi në Uzinën e Armëve në Gramsh më 20 gusht 2022, saktësisht të rusëve Mikhail Zorin dhe Zvetlana Timofeeva dhe ukrainasit Fedis Alpatov…

Pistën e spiunazhit dhe të sfondit politik e shpreh edhe mbajtja e tyre rreth 9 muaj në paraburgim nga prokuroria dhe drejtësia e Shqipërisë dhe dënimi më 25 maj 2023 i dy rusëve me detyrim paraqitjeje, ndërsa i ukrainasit me “Arrest shtëpie”. Gjurmë të mendjeve, të duarve dhe këmbëve të KGB-së e personalisht të Putinit ka pasur dhe janë gjetur edhe në skandalin Charles McGonigal, sidomos në seancën e messhtatorit 2023, ku ai pranoi të gjitha fajet, duke bashkëpunuar me prokurorinë amerikane, për të përfituar lehtësirat ligjore të përdorura për të pandehur në SHBA.

Përveç çështjes në Uashington, DC, McGonigal u përball me akuza në Nju Jork për bashkëpunim me oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili shkeli sanksionet kundër miliarderit të lidhur me Putinin. Për të kundërshtuar apo bindur Kryeministrin Edi Rama, ndihmojnë edhe burime zyrtare shqiptare. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, në fillim mars 2023, tregojnë se “në Shqipëri operojnë 68 sipërmarrje me pronësi ruse, nga të cilat 63 janë me aksionerë 100 për qind rusë, pra, është një investim totalisht i shtetasve me origjinë ruse, ndërkohë pesë biznese janë çelur në formën e bashkëpronësisë me sipërmarrës shqiptarë. Bizneset me investitorë rusë janë shtrirë në katër qytete të Shqipërisë, ku numrin më të lartë e ka Tirana, për t’u ndjekur nga Vlora, Durrësi dhe Berati. Fushat ku operojnë bizneset ruse në Shqipëri fillojnë nga tregtia me shumicë e ushqimeve, për t’u ndjekur nga shërbimet akomoduese apo edhe aktivitete të pasurive të paluajtshme”, kryesisht në zonat apo qytetet bregdetare.

Shumica janë blerë nëpërmjet angazhimit dhe ndërmjetësimit të agjencive ruse dhe serbe, të shtuara ndjeshëm këto vitet e fundit në qendrat e qyteteve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës, Lezhës etj., duke “u ngrënë bukën” apo “duke ua rrëmbyer karremin në gojë” edhe jo pak agjencive shqiptare…

Ky fakt jep arsye të mendohet se mes blerësve apo biznesmenëve rusë mund të jenë jo pak njerëz me angazhim apo lidhje me KGB – FSB-në si dhe me bosë të politikës së këtij vendi, me ambicie shumëshekullore për shtrirje dhe ndikim gjeopolitik, ekonomik, ushtarak… në Ballkan, sidomos në Shqipëri, deri në Detin Adriatik dhe në Detin Jon…

Në mbështetje të së vërtetës dhe për kundërshtimin e pandehmës apo “përrallës gjumëvënëse” të Kryeministrit Edi Rama, se “Shqipëria është 100% jashtë ndikimit rus”, na ndihmon edhe intervista e ambasadorit dhe studiuesit të mirënjohur të diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, më 6 qershor 2022, për librin e tij të porsabotuar në atë vit, me titull “Rusët po vijnë”. Shaban Murati shkruan me shqetësim kombëtar, intelektual e qytetar: “…Ndikimi rus ne Shqipëri është real dhe i thellë dhe libri analizon se sa pa baza janë pretendimet e disa qendrave akademike dhe mediatike filoruse në Tiranë, që zhurmojnë se në Shqipëri nuk ka ndikim rus. Në fakt, këtë ndikim e ndesh prej kohësh, nga viti 2014 e deri tani në disa drejtime. Drejtimi i parë është për të ndikuar në skenën politike shqiptare dhe në partitë politike shqiptare nëpërmjet krijimit të lobeve filoruse, herë me mbulesë ideologjike, herë me mbulesë fetare, herë me mbulesë kulturore e herë me mbulesë nostalgjike familjare, arsimore apo fisnore. Fenomeni i ri i politikës shqiptare në tetë vitet e fundit, që trajton libri, është lindja e habitshme e një antiamerikanizmi si produkt i një financimi dhe sponsorizimi rus…”

Për të ndihmuar Kryeministrin Edi Rama që të çlirohet nga vetëmashtrimi apo iluzioni se “Shqipëria është 100% jashtë ndikimit rus”, mund t’u referohemi edhe fakteve të hershme dhe fare të freskëta të agjentëve të KGB-së ruse në shërbimet sekrete, në ushtritë dhe policitë e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës( 6 vetë më 11.04.2022); në Belgjikë, Austri, në Poloni, shtetet baltike dhe nordike; Bullgari, Kosovë, Çeki…, deri në CIA dhe FBI në SHBA…”.

Me deduksion, kur KGB ka arritur të blejë dhe infiltrojë spiunë në shërbimet sekrete dhe dikasteret politike, ushtarake, policore, shkencore… të këtyre vendeve, me sisteme sigurie dhe mbrojtëse shumë më të forta e të sofistikuara se te ne, ku, janë lehtësisht të depërtueshëm dhe të manipulueshëm edhe nga hakerat iranianë, turq, afganë…, mund të thuhet pa gabuar dhe pa e tepruar se njerëzit e Putinit këtu kanë gjetur “fusha me lule” për planet dhe synimet e tyre konspirative, destabilizuese, antishqiptare… Më 4 shkurt 2023, në mediat dhe rrjetet sociale në Gjermani dhe në arenën ndërkombëtare pati jehonë masive skandali i spiunazhit me autor një njeri të njohur edhe përtej këtij vendi, trajnerin e futbollit Carsten Linke, ish-oficer i Bundeswerit, arrestuar në dhjetor 2022. Me dyshimin se si agjent i dyfishtë ai i ka transmetuar apo i ka shitur dokumente të klasifikuara agjencisë ruse të inteligjencës FSB në dy raste vjeshtën e kaluar, duke i zbuluar informacione të ndjeshme Moskës, që mund t’i jepnin asaj një avantazh në fushën e betejës në Ukrainë…!?

Më 26.08.2022 në mediat italiane, gjermane e të plot vendeve të tjera, u përhap dhe u prit me befasim, interes dhe shqetësim masiv lajmi se ishte zbuluar spiunia ruse, që njihej me emrin Maria Adela, në komandën e NATO në Napoli. Sipas informacioneve mediatike, ajo operonte prej 10 vitesh, pa u diktuar dhe duke gëzuar, përveç përfitimeve nga paga dhe dietat e larta të NATO-s dhe privilegjet e tjera, edhe honorarët jo të pakta nga shërbimi për FSB-në e Rusisë e të Vladimir Putinit!? Duke e mbyllur me një dozë humori dhe në mënyrë figurative debatin për ndikimin rus në Shqipëri, mund të them, pa e përjashtuar edhe subjektivizmin individual, gjithnjë në adresë të kryeministrit Edi Rama: “Shqipëria 100% jashtë ndikimit rus”, ngjashëm sikur një balenë të notojë lirisht në një…pus!?

Në mediat në Shqipëri e Kosovë është bërë objekt dhe subjekt shkrimesh edhe show i ri dhe euforia e Edi Ramës lidhur me “jehonën mirëpritëse dhe mbështetëse” të propozimeve të tij për Kosovën si dhe nga data 29 shtator, edhe për bindjen apo “kumbullën e tij të re të papjekur” se Shqipëria e këtyre viteve na qenka 100% jashtë ndikimit rus!? Për ta kundërshtuar për dy propozimet e para që paskan gjetur miratim dhe mbështetje në shumicën e vendeve të BE-së dhe të NATO-s, duke parallogaritur (gabimisht) edhe të DASH, po i ofroj një deklaratë fare të freskët, po të datës 29 shtator 2023, të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Krahas të tjerave ai deklaroi se “…Gjermania nuk mendon që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i…!” Merret me mend se kur nuk të mbështet apo të kundërshton Gjermania, nuk është njësoj sikur të kundërvihet Shqipëria! /Panorama/

Related posts

Disonanca simbolike politike e politikanëve Shqiptar në përgjithësi

Redaksia

Berisha më 2025 lufton të mundë Bashën, Ramën e di se nuk e ‘ha’ dot

Xh M

Sloganin “Ndyshimi Ka Nisur” e pret një punë e madhe. Cila është ajo ?

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy