Agjencia Zhurnal.mk.

Musliu / Kërkimi i përgjegjësisë nuk duhet të shihet si “politizim i tragjedisë”, por si diçka normale!

Shkup, 3 dhjetor – Për fat të keq janë shpeshtuar kohën e fundit tragjeditë në Maqedoninë e Veriut. Çdo tragjedi përcillet me dyshime dhe të dhëna konkrete për lëshime të shumta institucionale. Dhe sa herë që kërkohet përgjegjësi, reagohet në refren: “Mos e politizoni rastin”, ose “Mos e keqpërdorin tragjedinë për të fituar pikë politike”.

 

Pastaj, rastësisht ose qëllimisht ndodhin alarme për bomba, ndodh ndonjë incident tjetër më i vogël dhe tragjeditë harrohen.

Një pjesë e madhe e opinionit tonë i pranon si normale këto reagime kur vijnë nga institucionet. Mirëpo kështu nuk është në vendet e zhvilluara demokratike. Në raste të ngjashme, atje madje nuk ka nevojë fare të kërkohet përgjegjësi, sepse funksionarët japin përgjegjësi dhe dorëheqje ende pa i kërkuar opinion. Askund nuk ndodh që politikani ose funksionari, i cili do nivel qoftë, të jetë autor direkt i tragjedisë. Me vetë faktin që ai udhëheq resorin ku është bë lëshimi, dorëheqja vjen menjëherë. Nëse vjen puna të mos japë dorëheqje edhe më keq për atë politikan, ose funksionar. Qytetarët mbushin rrugët në protesta masive dhe fati dhe karriera e tyre (funksionarëve) përfundon më keq se sa të kishin dhënë menjëherë dorëheqje.

Vetëm te ne ndodh që edhe kur ndodhin tragjedi të mëdha, hyjmë në debate sipas preferencave partiake dhe ata që përkrahin partinë e funksionarit “fajtor”, e arsyetojnë atë pa marrë parasysh përmasat e tragjedisë që ka ndodhur. Vetëm te ne ndodh të themi se ministri, drejtori, kryetari nuk duhet të japë dorëheqje, sepse ai “nuk i ka djegur”, ose “nuk i ka mbytur” personalisht viktimat e një tragjedie të ndodhur si pasojë e lëshimeve institucionale. E nëse kërkohet dorëheqje e atij politikani, përkrahësit e tij menjëherë përdorin fjalët “po e keqpërdorni tragjedinë për pikë politike”!

Jo të nderuar, nuk është kështu! Kërkimi i llogarisë nga politikanët dhe udhëheqësit e institucioneve është tregues pozitiv për kapacitetet demokratike. Kërkimi i përgjegjësisë, e aq më tepër dhënia e përgjegjësisë, tregon se një shoqëri është e shëndoshë dhe mundësia për tu përsëritur gabimet është shumë më e vogël. Veçanërisht ngjarjet tragjike me viktima.

Nëse një shoqëri nuk kërkon përgjegjësi në raste të tilla, e madje edhe i mbron fajtorët, asaj shoqërie i mungon kapaciteti i nevojshëm demokratik. Në shoqëri të tilla më të mëdha janë gjasat që tragjeditë të përsëriten, sepse kompetenten ndihen komot, pasi të gjitha kritikat mund t’i hedhin poshtë me një fjali: Mos e politizoni tragjedinë!

Në shoqëri të tilla shihet qartë se mungon morali politik te elitat udhëheqëse. Llogaridhënia atje nënkuptohet si diçka e panevojshme, e jo si diçka e nënkuptueshme. Në këto shoqëri, duhet të mobilizohen qytetarët për të imponuar moralin politik me të gjitha mjetet e nevojshme demokratike konform rastit të ndodhur. Mjafton një herë tu jepet mësim elitave politike dhe në të ardhmen ata vetë do të dinë se si të veprojnë!

Related posts

Xhaferi: Jam i tmerruar nga lajmi i trishtueshëm për djegien e spitalit modular në Tetovë

Redaksia

Joveski: Pjesa e motorit të autobusit nuk është përfshirë nga zjarri, identifikimi i viktimave duhet të përfundojë për disa ditë

D V

Bullgaria nesër heq kufizimet për udhëtim për shtetasit e Maqedonisë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More