Shkup, 20 maj – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe SASHK-u i nënshkruan ndryshimet dhe plotësimet e marrëveshjes kolektive me të cilën rregullohet pagesa e pagave dhe kontributeve gjatë kohës së grevës, pas çka ato do të dërgohen në Gazetën Zyrtare. Përveç nënshkrimit të ndryshimeve dhe plotësimeve, MPPS-ja dhe SASHK-u janë marrë vesh që deri në fund të majit të miratohet edhe marrëveshja e re kolektive.
“Para disa ditëve në takimin me përfaqësuesit e MASH-it ishte marrë vendimi me të cilin u dakorduan të dyja palët që pagat në veprimtaritë – kopshtet e fëmijëve dhe në arsim të rriten për 15 për qind. Domethënë, të gjitha pjesët të cilat ishin pjesë e vendimit për grevë janë realizuar dhe e fundit është fillimi i procesit të përgatitjes së marrëveshjes së re kolektive. Menjëherë pas 24 majit, pas festës fillojmë me grupet e punës të cilat tashmë janë definuar dhe formuar nga të dyja palët. Deri në fund të muajit maj do ta miratojmë marrëveshjen e re kolektive e cila do të nënkuptojë të drejta plotësuese të të punësuarve, gjegjësisht të bartësve të veprimtarisë në kopshtet e fëmijëve”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska pas takimit me kryetarin e SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
Ai në konferencë për media theksoi se me këtë në praktikë ka përfunduar procesi i negociatave sa i përket kërkesave të SASHK-ut dhe MPPS-së.
“Ajo që ishte kontestuese ishte pagesa e mëditjeve për punonjësit në kopshte të cilët sot janë në grevë me ndryshimin e Marrëveshjes Kolektive në atë pjesë e rregulluam këtë të drejtë të të punësuarve, sepse konsideruam se për arsye të ndryshme janë diskriminuar dhe nuk ishte në rregull që atyre tu uleshin pagat. MPPS-ja, në radhë të parë ministri, ka pasur mirëkuptim për atë që kemi kërkuar, e kemi harmonizuar këtë pjesë dhe mendoj se përfundimisht është mbyllur ky proces i grevës dhe negociatave me MPPS-në”, tha Nedellkov.
Trençevska sqaroi se këto ndryshime dhe plotësime të Marrëveshjes Kolektive janë dërguar në “Gazetën Zyrtare”, dhe se pret që sot ose nesër të publikohen.
“Për këtë arsye është ndryshuar Marrëveshja Kolektive dhe këtu është rregulluar mënyra e pagesës së pagave gjatë grevës dhe kontributet në paga dhe në përputhje me këto ndryshime do të paguhen pagat për muajin prill të vitit 2022”, theksoi Trençevska.
Greva në kopshte dhe shkolla filloi më 11 prill me kërkesën për rritje të pagave prej 18,4 për qind. Sindikatës iu ofrua rritje page prej 10 për qind dhe 12 për qind, por propozimet e tilla u refuzuan nga anëtarësia.
Më 26 prill, greva në kopshte u pezullua me arsyetimin se ajo u bë në interes të prindërve dhe ekonomisë që vuan nga pamundësia për t’u kujdesur për fëmijët parashkollorë. Më 28 prill, greva u ndërpre pasi sindikata mori njoftim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale se MASH-i kërkon zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes së punës me ndërmjetësim.
Pas emërimit të ndërmjetësuesit nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, filloi procesi i pajtimit mes SASHK-un dhe MASH-it i cili me përfundimin e afatit ligjor prej 20 ditësh, këtë javë përfundoi me harmonizimin e qëndrimeve të dy palëve.