Shkup, 11 gusht – Ministria e Punëve të Brendshme informoi për aksionin e përbashkët me policinë greke mbrëmë, ku u parandalua transporti ndërkombëtar i drogës në kufirin jugor, me një vlerë të ppërgjithshme prej 200.000 eurove. Janë gjetur rreth 40 kilogramë marihuanë në dy çanta dhe janë privuar nga liria dy persona V.H. (36) dhe E.XH. (52), të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë.
MPB-ja sot njoftoi se nëpunës policorë të policisë kufitare të Qendrës Rajonale “Jug” në ora 23:30 minuta, në afërsi të vendit të quajtur Vërshnik Bara, shumë afër linjës kufitare me Republikën e Greqisë, kanë vërejtur dy persona të cilët nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë hedhur dy çanta mbi murin me tela në territorin e Greqisë, kurse më vonë edhe vetë e kanë kaluar linjën kufitare.

Për shkak të ekzistimit të dyshimit se në çanta transportohet marihuanë, nga ana e Qendrës Rajonale “Jug” në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike-Sektori për Tregti të Palejuar me Drogë, Armë dhe Materie të Rrezikshme, është informuar Shërbimi për Drogë me seli në Kilkiz si dhe Policia Kufitare e Greqisë dhe si rezultat i aktiviteteve të koordinuara të nëpunësve policorë nga të dy vendet janë gjetur dy çanta në të cilat kanë qenë rreth 40 kilogramë marihuanë.
Kurse pak më vonë nga liria janë privuar dy persona V.H. (36) dhe E.XH. (52), të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të dy personat nga ana e policisë së Greqisë janë në mbajtje për procedurë të mëtejme dhe kundër tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse.
“Ky është aksioni i dytë i këtillë nga fillimi i muajit gusht ndërmjet dy policive, gjatë së cilës në aksionin e parë është parandaluar transoporti i 40 kilogramëve marihuanë, si rezultat i shkëmbimit të informatave ndërmjet Sektorit për Tregti të Palejuar me Drogë pranë Departamentit të Policisë Kriminalistike, Qendra Rajonale “Jug” dhe Shërbimit për Luftë kundër drogës të qytetit Kilkiz”, njoftojnë nga MPB-ja.
Në aksionin e parë, në territorin e Greqisë nga liria është privuar shtetasi grek J.S., tek i cili ishte gjetur marihuanë.
MPB-ja thekson se bashkëpunimi i suksesshëm i ndërsjellë ndërmjet dy shërbimeve për luftë kundër drogës dhe të policisë kufitare të dy vendeve, që në një interval të shkurtër rezultoi me dy aksione të suksesshme të realizuara për parandalimin e transportit ndërkombëtar të drogës, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim parandalimin e çdo lloj të krimit ndërkufitar.