Agjencia Zhurnal.mk.

Mosmarrëveshje në Sofje, pas propozimit të refuzuar të Shkupit, paralajmërojnë kundërpropozim

Shkup, 16 prill – Propozimet e Shkupit për arritjen e marrëveshjes dhe heqjen e vetos bullgare për fillimin e negociatave me BE-në janë të papranueshme për Sofjen. Pala bullgare thotë se nuk ka marrë një dokument zyrtar dhe mendon se duhet të vazhdojë dialogu për çështje të hapura politike dhe sapo të ketë progres, paralajmëron kundërpropozimin e saj. Marrëveshja e mundshme, politika ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse ka apo jo një dokument që negociohet, shkaktoi mosmarrëveshje në koalicionin qeveritar bullgar. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani të enjten informoi se ekziston një dokument si bazë për marrëveshje me Bullgarinë, i pranueshëm nga pala maqedonase, por ende nuk ka përgjigje nëse është e pranueshme për Sofjen, duke theksuar se kur ka marrëveshje për ndonjë dokument si bazë për marrëveshje me Bullgarinë, para nënshkrimit do të informojë opinionin dhe deputetët.

“Po, ka një dokument të tillë të cilin ne jemi të gatshëm që ta pranojmë, megjithatë derisa nuk marrim përgjigje se është i pranueshëm edhe për Republikën e Bullgarisë konsideroj se nuk janë pjekur ato parakushte që të mundem unë t’i informoj deputetët dhe publikun, sepse ai mund të refuzohet dhe atëherë e gjithë kjo do të ishte e panevojshme”, theksoi Osmani pas takimit me Ministrin rumun të Punëve të Jashtme, Bogdan Aureski, i cili dje ishte në vizitë pune në vend. MPJ-ja bullgare, nga ana tjetër, deklaroi dje se propozimet nga pala maqedonase janë të papranueshme dhe bëri të ditur propozimin e saj. Gjatë takimit në shkurt, Bullgaria e njoftoi Republikën e Maqedonisë së Veriut se propozimet e tyre nuk janë të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë, theksohet në përgjigjen e Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme për BGNES, lidhur me deklaratën e djeshme të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani se ka një dokument që është miratuar nga pala maqedonase dhe pritet përgjigje nga autoritetet në Sofje.

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska tha dje se në ministrinë bullgare të Punëve të Jashtme në Shkup nuk është pranuar asnjë dokument zyrtar.

“Bisedimet bilaterale u mbajtën më 10 shkurt dhe punohej në propozim-protokollin, por për fat të keq rezultatet ishin të pakënaqshme”, deklaroi Gençovska pas mbledhjes në Kuvendin Popullor bullgar të mbyllur për publikun, në të cilën ajo foli për pozicionin e Bullgarisë sa i përket vendit.

Gençovska vlerësoi se është vështirë të thuhet se ka ndonjë progres në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Që nga janari shpenzuam kohë që të përfundojnë shumë punë, ndërsa më e rëndësishme është hapja e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe përfshirje e bullgarëve të atjeshëm në Preambulë”, shtoi shefja e diplomacisë bullgare.

Sipas Gençovskës, reale është që të pritet se deri në fund të presidencës franceze me BE-në, Shkupi “nuk do të ketë kohë ta hapë dhe përfundojë këtë proces”.

Në lidhje me pretendimet se në Sofje ka mosmarrëveshje në lidhje me Maqedoninë e Veriut, Gençovska pranoi se ka dallime mes MPJ-së dhe ekipit të politikës së jashtme të kryeministrit Kiril Petkov.

Kryeministri Petkov, nga ana tjetër, nuk i komentoi komentet e Gençevskës. Ai thotë se “ka vetëm një politikë, ajo është politika e Bullgarisë dhe ajo duhet të kalojë përmes institucionit Parlament”.

“Jo vetëm partitë në pushtet, por edhe opozita duhet të bashkohen. Askush nuk do të jetë në gjendje të shtyjë asnjë pozicion që nuk kalon në Parlamentin bullgar. Duhet të kemi unitet për Maqedoninë e Veriut, tha Petkov. Ai konfirmoi se nuk ka asnjë dokument të nënshkruar nga Bullgaria dhe se Qeveria i përmbahet marrëveshjes së koalicionit dhe qëndrimit ekzistues kornizë të Bullgarisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Petkov, i cili sot vjen në Manastir me Gençovskën dhe nënkryetare bullgare Iliana Jotova, në organizim të Ambasadës bullgare në vend, tha se “vizita e tij është për të treguar përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë bullgare për të mbështetur komunitetin bullgar në Maqedoni”. “Unë besoj se për momentin Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e vetëdijshme se çfarë prioriteti i madh është ky për Bullgarinë dhe bashkërisht po punojnë për ngritjen e prioritetit të këtyre njerëzve në shoqërinë maqedonase”, tha Petkov. Në të njëjtën kohë, shton ai, shpreson se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë pjesë e Evropës, “se do të lëvizim pozitivisht në atë drejtim nga të dyja palët”. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërkaq dje në Sarajevë tha se BE-ja duhet të rikthejë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të marrë udhëheqjen strategjike ndaj rajonit, ashtu siç bëri në vitin 2000 me vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, sepse agresioni rus tregoi në mënyrën më të mirë se çfarë rëndësie kishte atëherë ai integrim që sot Evropa të ishte unike dhe e sigurt. Në lidhje me pritjet nga presidenca franceze me BE-në, ai tha se është në komunikim me homologun e tij Zhan-Iv Le Drian, veçanërisht për dosjen tonë për marrëdhëniet me Bullgarinë dhe pret një sinjal pozitiv nga Parisi për rajonin.

“Pres që presidenca franceze të marrë përgjegjësi në këtë periudhë, por sigurisht që nuk varet vetëm nga Franca, sepse vendimet në Këshillin Evropian merren unanimisht dhe mjafton vetëm një vend për të penguar procesin. Nëse çështja është me Francën, jam më se pozitiv se ata kanë synime të forta në këtë fushë, tha Osmani, duke theksuar se jemi në një fazë intensive të bisedimeve për të kapërcyer mosmarrëveshjet me fqinjin tonë Bullgarinë për të ngritur rampën për hapjen e negociatave.

Related posts

Kujdes/ Stuhi e borës do kaplojë Ballkanin

Xh M

Bislimovski: Do të përpiqemi maksimalisht që të mos kemi shtrenjtim të rrymës

Z.H

Alternativa javën e ardhshme do të vendosë për hyrje të mundshme në Qeverinë e Zaevit

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More