Vinçenzo Montella u prezantua si trajneri i ri i Turqisë. “Aeroplani” e nisi konferencën për shtyp duke kërkuar falje për mosnjohjen e gjuhës turke.
“Jam shumë i lumtur që punoj në këtë vend dhe shpresoj të bëj gjëra të mira për këtë federatë. Duam të sjellim gëzim dhe lumturi për të gjithë tifozët. Nuk hezitova ta pranoja detyrën që më është besuar, kemi një ekip të mirë dhe të ri. Dua t’i sjell lumturi të gjithë Turqisë me ekipin kombëtar, duam t’i përcjellim këto ndjenja krenarie, ta bëjmë popullin tonë të lumtur përmes futbollit. E kuptoj që është një përgjegjësi e rëndësishme, por unë jam këtu për këtë.
Prej 2 vitesh jam në Turqi, i njoh emocionet dhe kulturën. Këto emocione janë të ngjashme me ato që kam ndjerë kur kam qenë fëmijë. Kam lindur dhe jam rritur në Italinë e Jugut, afër Napolit, ku ka edhe njerëz jo fort miqësorë, si këtu. E di se do të ketë nga ata që më kritikojnë, që do të kritikojnë çdo vendim timin. Kam një përgjegjësi të madhe, do të përpiqem të bëj më të mirën me njohuritë e mia për futbollin dhe vendimet që do të marr.
Shpirti i ekipit është shumë i rëndësishëm. Duhet të jemi si një familje dhe këtë ta tregojmë në fushë. Lojtarët e mi duhet të gjejnë këtë frymë, këtë entuziazëm. Ata duhet të përpiqen të bëjnë më shumë. Fanella e kombëtares nuk është një dhuratë, por prestigj i madh. Ne përfaqësojmë një komb shumë të rëndësishëm, kemi një detyrë dhe përgjegjësi shumë të rëndësishme,” tha mes tjerash Montella.