Agjencia Zhurnal.mk.

Momente qesharake, vendimtare e interesante gjatë këtij viti| Yjet e Superligës zbulojnë prapaskenat e 2021’shit

Superliga e Kosovës na ka dhuruar një vit të veçantë, vit ky i mbushur me garë, rivalitet e emocione deri në momentet e fundit.

Fillimisht edicioni 2020/2021 ishte jashtëzakonisht i luftuar, me skuadrën e Prishtinës që bëri kthesën e madhe, duke e përmbysur diferencën e madhe të pikëve dhe duke u kurorëzuar me titullin e kampionit në fund, kurse më pas me Gjilanin që pas një sezoni fantastik vjeshtor të edicionit 2021/2022, doli kampion dhe tashmë dimëron me epitetin e të parit.

Futbollistë të ndryshëm nga shumë skuadra kanë lënë gjurmë të mëdha në këtë vit, me disa prej tyre që shkëlqyen dhe ishin vendimtar me paraqitjet e tyre, në sukseset e skuadrave respektive.

Besnik Krasniqi, Kreshnik Uka, Armend Thaqi dhe Arbnor Ramadani ishin disa prej tyre që kishin paraqitje dhe momente të paharrueshme në vitin 2021.

Ata për GazetaBlic Sport kanë treguar nga një rrëfim interesant që atyre iu ka ndodhur gjatë këtij viti.

Besnik Krasniqi, futbollisti i Prishtinës, zhvilloi paraqitje fantastike në këtë vit, duke qenë protagonist kryesor tek triumfi i titullit kampion. Përveç se ishte fantastik në pozitën e tij të mbrojtësit, ai doli shumë i suksesshëm dhe produktiv edhe në sulm.

Krasniqi ka treguar një histori shumë interesante që i ka ndodhur gjatë këtij viti, ku pas ndeshjes me Gjilanin u bë baba i një vajze dhe pikërisht në atë takim e kishte gjetur edhe rrugën e golit.

Një gjë që do e mbajë mend është ndeshja me Gjilanin, ishte një ditë shumë e mirë për mua në aspektin personal. Gjatë asaj ndeshje unë shënova gol, por që festa ime nuk ishte e plotë në atë takim pasi që morëm vetëm një barazim në atë ndeshje. Megjithatë, disponimi im u rregullua për shkak se në atë ditë u bëra baba i një vajze. Shkova ta shoh atë pas ndeshjes dhe isha shumë i lumtur që isha pranë saj. Do ta kujtoj këtë ditë të veçantë për mua“, tha Krasniqi për GazetaBlic Sport.

Arbnor Ramadani, emri i tij është tashmë i lidhur ngushtë me atë të Llapit. Një mesfushor i jashtëzakonshëm dhe vendimtar tek sukseset e mëdha që kishte kjo skuadër në këtë edicion. Ka shkëlqyer edhe tek triumfi në Kupën e Kosovës si dhe në Superkupën e vendit.

Ramadani tregoi një histori interesante në kohën kur skuadra e Llapit ishte në gjendje shumë të keqe në aspektin e rezultateve, por që optimizmi në skuadër nuk mungonte. Madje, edhe trajneri Batatina ishte optimist për sukseset e skuadrës së tij, të cilat realisht edhe ndodhën më pas.

Një gjë jashtëzakonisht interesante që ma ka ndodhur gjatë këtij viti është motivi i madh që kishim në skuadër edhe në momentet tona më të dobëta në aspektin e rezultateve. Ishim me vetëm 5 pikë në tabelë, por ne ishim të bindur se do të arrijmë diçka të madhe në fund të edicionit. Optimizmi që kishte trajneri Batatina na motivonte të gjithë neve, optimizëm ky që kulminoi me tre trofe të fituar brenda një viti”, tha Ramadani.

Kreshnik Uka, një emër që ka shkëlqyer gjithmonë tek skuadra e Drenicës. I rritur në këtë klub dhe i zhvilluar profesionalisht aty, Uka ka treguar gjithmonë paraqitje fantastike me skuadrën kuq e zi.

E ndihmoi klubin të mbijetonte në Superligë gjatë edicionit 2020/2021, kurse është thjesht i mrekullueshëm në edicionin 2021/2022, atje ku tashmë është golashënuesi i dytë më i mirë pas Gerhard Prognit.

Uka ka zgjedhur dy momente interesante për t’i treguar në rrëfimin e tij.

“Momente interesante e qesharake kemi pas pothuajse në çdo stërvitje, me futbollistin brazilian Bruno Arrabal në dhomat e zhveshjes ne lëshojmë muzikë dhe brazilianët njihen për vallëzim e me të çdo ditë kërcejmë, jo vetëm unë, por i gjithë ekipi. Ne gjithashtu e provojmë edhe të këndojmë aty, por asnjëri nuk kemi zë, kjo shkakton të qeshura dhe e mbanë atmosferën e klubit në nivel të jashtëzakonshëm”, tha fillimisht Uka.

Më pas ai tregoi një tjetër moment interesant, atje ku trajneri i skuadrës e ngatërroi atë me futbollistin Denisson.

“Një moment tjetër qesharak është se gjatë analizës trajneri duke analizuar lojën për një top të humbur një herë më ngatërroi me Denissonin, por kur pa që nuk isha unë atëherë i gjithë ekipi filloi të qeshte, por më pas tha ai tha se jeni të njëjtë dhe se nuk mund të ju dallojë”, përfundoi Uka.

Kujtojmë që tashmë pas përfundimit të edicionit vjeshtor, sytë e pothuajse të gjitha skuadrave të mëdha janë në drejtim të tij, por nuk dihet ende se a do të largohet nga kuqezinjtë nga Skënderaj.

Ai ishte edhe pjesë e formacionit më të mirë të vitit të shpallur nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Mbrojtja e Ballkanit ka qenë fantastike edhe në këtë edicion, me Armend Thaqin që vazhdon të jetë në mesin e më të mirëve në futbollin tonë. Ai zhvilloi një tjetër sezon të madh, duke qenë edhe pjesë e formacionit më të mire të vitit.

Ai poashtu ka rrëfyer një moment interesant që i ka nodhur, ku kishte shënuar një autogol dhe ishte shumë pranë që të shënonte edhe një tjetër.

“Gjatë vitit 2021 po theksoj një rast kur kam shënuar autogol dhe në një rast pas devijimit kam qenë afër të shënoj autogolin e dytë, aty një shok i skuadrës së bashku me portierin më thanë: Po të ruajmë ty më mirë, sesa sulmuesin kundërshtar”, tha duke qeshur ai.

Related posts

EDITORIAL / LSDM harxhon para për “reklama të zeza” në kohë krize !

Redaksia

Mbyllet pjesa e parë në “Fadil Vokrri”, Prishtina po avanson ndaj Llapit

Redaksia

Demokracia është në krizë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More