Agjencia Zhurnal.mk.

Mobilizimi rrit numrin e martesave në Rusi

Yelena Mikhailova dhe partneri i saj, Maksim, u martuan më 22 tetor në Zyrën e Gjendjes Civile në qytetin Pjatallovo – një rajon pranë kufirit të Rusisë me Letoninë.

 

Martesa e organizuar me nxitim u bë vetëm disa ditë pasi Maksimi u thirr për të luftuar në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Mobilizimi ushtarak u dekretua nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 21 shtator.

“Nuk e kisha menduar kurrë se gjithçka do të ndodhte kaq shpejt”, thotë Mikhailova për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk ishim përgatitur për martesë, por ngjarjet na shtynë të martoheshim… Nuk këmbyem unaza, sepse nuk kishim para për t’i blerë. Vendosëm t’i marrim më vonë, kur ai të kthehet”, thotë Mikhailova.

“Ne nuk kemi shumë të ardhura”, shton ajo.

“Maksimi, realisht, nuk ka punë të qëndrueshme. Kohëve të fundit, ai ka punuar si mekanik. Tani, gjëja kryesore është t’i mbledhë gjërat që i duhen burrit tim. I bleva disa çorape dhe rroba të ngrohta që t’i ketë kur ta dërgojnë atje”, thotë Mikhailova.

Rrëfimi i saj nuk është unik. Prej se Putin shpalli mobilizimin, rreth gjashtë javë më parë, pothuajse çdo rajon në gjithë Rusinë ka parë rritje të numrit të martesave.

Në shumicën e rajoneve, ushtarët e mobilizuar lejohen të martohen në të njëjtën ditë kur ata i dorëzojnë dokumentet për martesë, bashkë me partneret e tyre.

Disa rajone kanë aranzhuar autobusë për t’i marrë ushtarët dhe të fejuarat e tyre nga bazat e grumbullimit dhe për t’i çuar në zyrat më të afërta të regjistrimit të martesës, ndërsa disa të tjera kanë aranzhuar salla të përkohshme martesash në baza ushtarake.

Mikhailova shpjegon arsyet se përse ajo dhe partneri i saj, të cilët kanë dy fëmijë dhe bashkëjetojnë qe 19 vjet, kanë vendosur të martohen:

“Mobilizimi është paksa i frikshëm. Atij mund t’i ndodhë gjithçka. Në secilin rast, gratë e martuara ligjërisht kanë më shumë të drejta, andaj vendosëm ta zyrtarizojmë marrëdhënien tonë”.

Gratë kanë të drejtë në një kompensim deri në 7 milionë rubla, apo 115.000 dollarë, nëse burri i tyre vritet, ose deri në 3 milionë rubla nëse ai plagoset në luftime.

Shteti paguan edhe transportin dhe akomodimin e bashkëshorteve për t’i vizituar të plagosurit në spital. Ndërsa, pagesa e njëhershme për familjet e ushtarëve të mobilizuar varion nga 50.000 deri në 150.000 rubla – 815 deri në 2.450 dollarë – varësisht rajonit.

Nënkryetari i rrethit Pjatallovo, i ngarkuar me mobilizimin, thotë se numri i martesave të ushtarëve të mobilizuar në rrethin e tij është rritur në qiell.

“Po i martojmë në tufa, disa çifte në të njëjtën kohë”, thotë ai, duke mos dashur të identifikohet, me qëllim që t’i mbrojë të afërmit e tij pranë zonës së luftimeve.

Ai, po ashtu, thotë se ushtarët e mobilizuar po krijojnë radhë të gjata në zyrat e noterëve, për t’i dorëzuar testamentet, para se të dërgohen jashtë vendit.

Media e pavarur, Mediazona, kreu një studim për rritjen e numrit të martesave në Rusi. Duke përdorur të dhënat nga zyrat rajonale të Gjendjes Civile, ajo vlerësoi se rreth 492.000 burra janë mobilizuar qysh më 21 shtator.

Në Burjatia – një rajon i varfër në Siberinë jugore – numri i martesave u rrit nga 83 në javën përpara se të shpallej mobilizimi, në 662 në javën pas shpalljes.

Shtatëdhjetë e pesë rajonet që i raportuan të dhënat e martesave në Mediazona, bënë në total 31.000 martesa të ushtarëve të mobilizuar, në katër javët e para pas njoftimit të Putinit, më 21 shtator.

Mediat lokale në Astrakhan raportuan për një rekord prej 104 çiftesh të martuara vetëm më 22 tetor.

Anton Pinezhaninov, nga qyteti Kotlas në rajonin verior të Arkhangelskut, u mobilizua dhe u dërgua në një bazë në rajonin e Leningradit aq shpejt, saqë nuk pati kohë të martohej me partneren e tij, Maria, me të cilën ka dy djem.

Megjithatë, Maria udhëtoi për në bazën e Pinezhaninovit, për të kryer pastaj martesën në një zyrë në Shën Petersburg, pasi guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov, i urdhëroi zyrtarët që t’i përshpejtonin martesat e ushtarëve të mobilizuar.

Në shtator, 34 çifte u martuan në qytetin Kostomuksha, në rajonin veriperëndimor të Kareliës. Në mesin e tyre ishte edhe Anna Vasilyeva me burrin e saj të mobilizuar, Aleksei.

“Kur u shpall mobilizimi, unë ende nuk isha e sigurt se e doja atë”, thotë Vasilyeva për Radion Evropa e Lirë. “Ne po takoheshim dhe po njiheshim me njëri-tjetrin. Por, kur erdhi njoftimi [për mobilizim], e kuptuam se e duam njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Related posts

Autostrada e parë në shkretëtirë në Kinë arrin lëshim zero të karbonit

Z.H

Izraeli zbulon se doza e tretë e vaksinës kundër COVID-19 ul ndjeshëm rrezikun e infeksionit

Redaksia

Rrëfimi prekës i afganes, tanimë të evakuuar në Shqipëri – ajo ëndërron të kthehet një ditë në shtëpi

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More