Shkup, 17 gusht – Në gjendje të mirë shëndetësore janë dy ushtarët të Maqedonisë së Veriut të cilët dje u helmuan nga monoksidi i karbonit teksa po nxirrnin ujë nga bodrumi i Shtëpisë së Kulturës në Çërna të Koroshkemit në Slloveni, njofton Ministria e Mbrojtjes.
“Ushtarët e Maqedonisë së Veriut në Slloveni janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy ushtarët nga kontingjenti për ndihmë në Slloveni gjatë ditës së djeshme pas pastrimit të hapësirave të bodrumit nga pasojat e vërshimeve, së bashku me kolegët sllovenë, janë ankuar nga monoksidi i karbonit pas së cilës janë transferuar në spital për ekzaminim të mëtejshëm. Pas ekzaminimeve është konstatuar se ata janë mirë dhe gjatë orëve të mëngjesit janë kthyer në ambientet e akomodimit ku sot do të pushojnë. Mirënjohje miqve sllovenë për reagimin e shpejtë!”, theksohet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes.
RTV Sllovenia më parë informoi se tetë persona, duke përfshirë dy ushtarë nga Maqedonia e Veriut u helmuan nga monoksidi i karbonit, ndërsa po punonin në mënjanimin e mbeturinave nga përmbytjet në Çërna në Koroshkem.
Kryemjeku i armatës së Sllovenisë, Robert Karota tha se në mesin e të helmuarve janë pesë pjesëtarë të ushtrisë sllovene, dy ushtarë të Maqedonisë dhe një zjarrfikës.
Gjithsej 32 persona iu ekspozuan gazit, përfshirë edhe 18 pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë, tetë zjarrfikës dhe gjashtë pjesëtarë të ushtrisë sllovene. Personat e helmuar janë transportuar menjëherë me helikopter në spitalet në Gradec, Maribor, Topolshicë dhe Lubjanë ku u është ofruar ndihma adekuate.
Sipas vlerësimeve të mjekëve, të gjithë të helmuarit ndihen mirë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.