Agjencia Zhurnal.mk.

Migrantëve të Azisë iu ofrohet pasaportë ruse në këmbim të shërbimit ushtarak

Migrantët e Azisë Qendrore janë mësuar të bëjnë punët e ndyra të Moskës. Çdo vit, qindra mijëra qytetarë nga shtetet e rajonit udhëtojnë për në kryeqytetin rus dhe qytete të tjera të mëdha për të punuar si pastrues rrugësh, pastrues, punëtorë në ndërtimtari dhe në sektorë të tjerë të shërbimeve – punë që rusët shpesh nuk duan t’i punojnë, raportojnë REL.

 

Por, tani mund të hapet edhe mundësia e futjes së tyre në frontet e luftës në Ukrainë, pasi Duma shtetërore ka miratuar amendamente ligjore që ofrojnë “thjeshtim” të rrugës deri te marrja e shtetësisë ruse në këmbim të shërbimit ushtarak njëvjeçar “në forcat e armatosura të Federatës Ruse, në forcat e tjera apo formacionet ushtarake”.

Konteksti i këtyre ndryshimeve ligjore për marrjen e shtetësisë ruse erdhi një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, më 21 shtator njoftoi për mobilizimin ushtarak në mënyrë që të forcohet pushtimi i paprovokuar i Ukrainës dhe pasi forcat ruse pësuan humbje në fushëbetejë.

Njoftimi i Putinit dhe dekreti presidencial, që kishte një formulim të paqartë, shkaktuan panik, duke rritur kërkesën për bileta avioni njëdrejtimëshe nga Rusia. Kërkesa të tilla për t’u larguar nga Rusia nuk janë parë që nga javët e para të luftës.

Më 21 shtator, më shumëse 1.300 persona u arrestuan në protestat në Moskë, Shën Petersburg dhe në mbi 30 qytete të tjera. Shumë prej protestuesve mbanin pankarta me ngjyra të flamurit të Ukrainës dhe brohoritnin “Jo mobilizimit” dhe “Rusia pa Putinin”.

Në platformat online, mobilizimit qytetarët po i referohen me emrin “mogilizatsia”, një lojë fjalësh, që në gjuhën ruse nënkupton varr.

Dhe, padyshim Rusia po shikon kah migrantët për planet e saj për të mbushur radhët.

Në përditësimin e parë zyrtar të vdekjes së personelit ushtarak rus në Ukrainë që nga muaji mars, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha gjatë një interviste televizive se 5.937 ushtarë kanë vdekur në luftë.

Kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me vlerësimet e qeverive perëndimore, që thonë se shifra është midis 15.000 dhe 30.000.

Rekrutimi është jopopullor në qytetet sikurse Moska dhe nuk është befasi që shumica e ushtarëve të vrarë në luftime vijnë nga ato pjesë, që hulumtuesi i migrimit, Yan Matusevich i quan “rajonet më të largëta dhe më të varfra të vendit, shumica prej të cilave janë të banuara nga minoritetet etnike joruse”.

Related posts

Kohë e akullt diplomatike tek ministrat e Jashtëm të G20-s

Xh M

Vritet “ekstremisti më i dhunshëm” i Zelandës së Re pasi kishte therur gjashtë persona – publikohen pamjet brenda supermarketit

D V

Shefi humanitar i OKB-së: Në Etiopi ka uri

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More