Shkup, 20 qershor – Partia opozitare VMRO-DPMNE-ja ka mbajtur protestë antiqeveritare në Shkup përpara Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo që e dallonte këtë protestë nga të kaluarat ishin thirrjet e kreut të partisë, Mickovski, për pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve duke përfshirë edhe shqiptarët. Pasi nga e kaluara në protestat e VMRO-janë dëgjuar parullat “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, e shumë parulla të tjera ofenduese. Por, edhe përkundur thirrjeve për pjesëmarrje në protestë, Mickovski dëshmoi se nuk ka ndryshuar kursi i partisë për sa i përket nacionalizmit të tepruar, kur në thirrje për pjesëmarrje kërkon që pjesëmarrësit të marrin flamurin maqedonas. Kjo dëshmon se nga bashkimi i të gjithëve Mickovski tenton që të gjithë të identifikohen me flamurin maqedonas, qasje totalisht e gabuar sepse secili identifikohet me atë që është dhe asaj që i takon. Ishte protesta e parë e paralajmëruar gjatë kohë më parë që do të fillojnë me rebelimin në rrugë për të rrëzuar pushtetin aktual LSDM-BDI, shkruan Zhurnal.
Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, ka theksuar se të gjithë qytetarët pa dallim etnie janë problemet e njëjta me të cilat përballen sa i përket krizës ekonomike, pra në probleme janë të njëjtë, por në privilegje e avancime ndryshojnë, kjo është ajo që mund të kuptohet nga deklarata e Mickovskit.
Mes tjerash ai ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit Kovaçevski ndaj batutave të Ramës ky i fundit e quajti Dimitar Kovaçevskin “Kryeministër i ardhshëm i Bullgarisë Perendimore”.
“Duhej të kthehet dhe ti thotë Ramës: Ju nuk kuptoni gjeografi e shumë më pak histori, kjo është Maqedonia ime”, tha Mickoski.
VMRO-DPMNE njihet si parti me narrativ anti-shqiptar që ka funksionuar gjatë kohë në krye me azilantin, Nikolla Gruevski, protesta e fundit dëshmon se ende po në të njëjtën vijë është kjo parti dhe doza e anti-shqiptarizmit nuk është ulur aspak, vetëm është ndryshuar metoda. Tani duan që me shqiptarët në parti të jenë kundër shqiptarëve. Sepse, së fundmi ka pasur edhe anëtarësime të disa shqiptarëve në VMRO-DPMNE, pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, parti kjo e cila korri sukses të jashtëzakonshëm.
Në protestën e mbajtur nën sloganin “Protesta për ndryshim”, ai i bëri thirrje popullit të bashkohet në luftën e përbashkët për ndryshim.
“Këto zgjedhje nuk duhet të jenë zgjedhje për pushtet, por duhet të jenë zgjedhje që do të sigurojnë të ardhme dhe zgjedhje që do të jenë referendum për Maqedoninë e Veriut. Le të vijë një brez i ri njerëzish të aftë që do të bëjë një kthesë të re, një faqe të re dhe një epokë të re për Maqedoninë e Veriut. Të sigurojmë më shumë punë, më shumë para dhe siguri për të gjitha familjet. Të ecim përpara në kulturë, arsim, sipërmarrje. Maqedonia duhet të jetë në radhë të parë për të gjithë ne, pa dallim etnie”, tha Mickoski.
Mickovski nga Gruevski dallojnë vetëm për nga vendndodhja, njëri në Hungari e tjetri në Shkup, ndërkaq idetë anit-shqiptare i kanë të njëjta
Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski, ka zgjedhur të përdorë kartën e nacionalizmit për të garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nëse do të mbahen. Ai ka kërkuar 61 deputetë që të formojë qeveri pa shqiptarët. Kjo është dëshira e tij dhe e tillë do të mbetet sepse është e pamundur të ndodhë, por nëse VMRO-ja do të kthehet në pushtet gjasat maksimale janë që të kthejë azilantin, Nikolla Gruevski, sërish në shtet.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues kjo është e garantuar edhe me Kushtetutë, e ky fakt nuk ndryshon asnjëherë deri sa të ekzistojë ky shtet me këta kufij. Pasuesi i regjimit të Gruevizmit, Hristijan Mickovski, ka nevojë për më shumë deputet e tani po shpreh ide që qëndrojnë në ajër për formim të Qeverisë vetëm me deputet të VMRO-së. Kjo nxjerr në pah idetë e tij etnocentrise që dëshiron t’i shërojë ambiciet e sëmura, se ndoshta edhe pa shqiptarët mund të funksionojë ky shtet, mbase mund të shërohet nga ky kompleks por asesi nuk do mundet ta ndryshojë këtë realitet.
Nikolla Gruevski në vend të burgut zgjodhi kampet e azilanteve në Hungari, u arratis nga vendi me kokën mbrapa për tu kthyer ndonjëherë, për të vazhduar me shkatërrimin aty ku e ka lënë. E kjo krejt me ndihmën e pasuesit të tij Mickovski të cilit i jep instruksione online pa pagesë, se si duhet të veprojë që VMRO-në ta kthejnë sërish në pushtet. Parti politike e cila pos regjimit të shkaktuar për asgjë tjetër nuk mbahet në mend.
Se shqiptarët janë diskriminuar përgjatë viteve e pranoi edhe ish ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila tha që budallenj ishim që nuk lejuam arsimin shqip më herët, kjo i bie se janë penduar maqedonasit për rezistencën e paraqitur që të mos arsimohen shqiptarët. Përpos, pengesave në arsim, ka pasur pengesa e diskriminime edhe në punësim në shëndetësi e ushtri, kudo tjetër. Përkatësia etnike ka qenë kriteri i vetëm që je pranuar ose nuk je pranuar në një vend pune, e kjo krejt si pasojë e partive nacionaliste maqedonase që kanë funksionuar atë kohë e që po funksionojnë ende. /Zhurnal.mk