Skuadra nga Anamorava deri më tash ka arritur që t’i transferojë disa futbollistë shumë cilësor si Muharrem Jashari, Arbnor Muja (Trepça ’89), Marko Simonovski e Prince Balde (Feronikeli) ndërkohë që “merkato” për ekipin e drejtuar nga trajneri Ardian Nuhiu duket se nuk ka përfunduar.
“Zëri.info”, ka raportuar se Klubi “bardhekaltër” gjatë fazës përgatitore në Ohër të Maqedonisë e Veriut, e ka testuar futbollistin e ri maqedonas, Jani Atanasov.
Gazeta mëson se palët kanë arritur edhe marrëveshje sa i përket kushteve financiare ndërkohë që prezantimi i tij pritet që të bëhet në ditët në vijim.
Jani Atanasov luan si mesfushor defanziv derisa së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës së madhe kroate, Hajduk Split.
21-vjeçari në karrierën e tij ka luajtur edhe për Bursasporin në Turqi dhe Akadimja Pandev në Maqedoninë e Veriut.
Atanasov ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Maqedonisë së Veriut, U17, U19 dhe U21.
Kujtojmë se Drita në këtë verë është e angazhuar edhe në garat evropiane derisa ndeshjen e parë në Conference League e ka zhvilluar ndaj Deçiçit të Malit të Zi ku ka fituar në Prishtinë me rezultat 2:1.
Takimi i kthimi zhvillohet javën që vjen në Podgoricë.