Agjencia Zhurnal.mk.

Mekanizëm për mbrojtje nga diskriminimi i investimeve, dakordoi Grupi i punës për ekonomi

Shkup, 1 shkurt – Grupi i punës i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për Ekonomi, Tregti dhe Inovacione në takimin e sotëm të parë në Shkup, dakordoi vendosjen e mekanizmave kundër diskriminimit të investitorëve.

Siç kumtoi ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Inovacioneve dhe Rritjes i Republikës së Bullgarisë, Daniell Lorer pas takimit, është biseduar edhe për projekte të tjera konkrete nga sfera e inovacioneve, bujqësisë, industrisë startap, instrumenteve financiare, fondeve evropiane, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Janë shkëmbyer edhe përvoja institucionale – midis bankave zhvillimore, fondeve për inovacione, agjencive për mbështetjen e sipërmarrësisë dhe investimeve, ndërsa janë prezentuar edhe programet për zhvillim rural. Është folur edhe për agjendën e gjelbër dhe obligacionin zhvillimor, për Fondin garantues, si edhe për Fondin për zhvillim energjetik.

Ministrat paralajmëruan se pasdite pason takim i Grupit të punës me odat ekonomike të cilat duhet t’i thonë pikëpamjet dhe propozimet e tyre për përforcimin e mëtejmë të bashkëpunimit afarist midis dy vendeve. Sipas Besimit dhe Lorer, ideja është të mos mbahen takime vetëm në nivel administrativ, por të dëgjohet edhe ajo që në mënyrë t drejtpërdrejtë lidhet me aktivitetin ekonomik real në treg.

Takimi i radhës i Grupit të punës është caktuar gjatë shkurtit kur pritet edhe nënshkrim i memorandumeve për mirëkuptim dhe fondeve investuese.

“Sot patëm mundësi të diskutojmë për tema të rëndësishme që dëshmon se angazhimet tona mbeten të fuqishme për përforcimin e bashkëpunimit. Mekanizmi për transparencë të investimeve, gjegjësisht për mbrojtjen e investimeve nga të dyja palët, doli si ide e këtij takimi, ndërsa nënkupton mundësi që cilado kompani, qoftë nga vendi apo Bullgaria të paraqesë problem, diskriminim eventual ose dyshim për diskriminim gjatë realizimit të planit të investimit. Nga takimi rrodhi ideja për t’u zhvilluar ky mekanizëm. Qëllimi është të mos ketë diskriminime, në nivelin më të lartë politik të alarmohet nëse ndonjë investues ka problem lidhur me burokracinë, veprimet. Praktika tregon se jo gjithçka që është në dokumentet zbatohet. Nëse këto probleme eventuale transmetohen shpejtë në sistem në nivelin më të lartë, atëherë do të jetë më i shpejtë edhe reagimi për eleminimin e tyre”, theksoi Besimi në konferencën e përbashkët për shtyp.

Lorer shtoi se mekanizmi është shumë më i thjeshtë dhe i eleminon barrierat.

“Kërkojmë që të mos ketë spekulime, të raportohet në nivelin më të lartë ekonomik nëse njëra palë ka ankesa se është diskriminuar. Të dëgjohemi në nivelin më të lartë për të reaguar sa më shpejt dhe në këtë kuptim jemi maksimalisht të hapur. Nëse një kompani bullgare dëshiron të investojë dhe leja e ndërtimit po ngadalësohet, duhet të arrijë menjëherë tek autoritetet më të larta dhe problemi të zgjidhet. Në dyshimin më të vogël për diskriminim dhe trajtim të pabarabartë nga autoritetet qendrore, të jepet një sinjal që do të përcillet në nivelin më të lartë politik që do të ishte garanci për punë të mëtejshme të suksesshme”, shpjegoi ministri bullgar.

Edhe ai si edhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut janë të pajtimit se të dyja shtetet duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën për ta realizuar rritjen e dëshiruar ekonomike.

“Kemi fusha prioritare dhe programe specifike për bashkëpunim. Sa i përket komunitetit të biznesit, ajo do të thotë konkretisht aspektin e saj. Procesi është pjesëmarrës, gjithëpërfshirës. Komuniteti i biznesit ka një rol të rëndësishëm – ideja nuk është vetëm takime të administratës, por diçka që lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin real ekonomik në treg”, tha ministri Besimi për takimin e pasdites me odat.

Lorer kërkoi mirëkuptim dhe guxim nga opinioni, duke theksuar, sikurse Besimi, se qëndrimi i biznesit është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ai u shpreh i kënaqur nga takimi i sotëm, duke nënvizuar se prioritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të barabarta.

Lidhur me atë se sa është Bullgaria e interesuar për të investuar në hekurudhë, Lorer theksoi se vendi i tij tashmë ka sinjalizuar se sa janë për të të rëndësishme aktivitetet, lidhjet hekurudhore dhe rrugore me Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimi i përbashkët ekonomik.

Sipas Besimit, projektet konkrete në fushën e komunikacionit hekurudhor dhe të transportit do të shqyrtohen në Grupin e punës për infrastrukturë.

Me takimin e sotëm të Grupit të punës për ekonomi, tregti dhe inovacione filloi qasja e re në marrëdhëniet midis dy vendeve që e paralajmëruan kryeministrat Dimitar Kovaçevsli dhe Kirill Petkov.

Related posts

KPP BE-RMV përshëndeti procesin eurointegrues, provokime nga eurodeputetët bullgarë

Z.H

Xhaferi: Nuk do ua bëj unë shumicën!

D V

“Nuk ka dhe nuk duhet të ketë alternativë tjetër pos BE-së”

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More