Agjencia Zhurnal.mk.

Medalja e Paqes dhe Pajtimit “Anton Çetta”

Anton Çetta ishte shkrimtar, studiues e profesor, por në historinë shqiptare ai ka zënë një vend nderi edhe për kontributin e dhënë për pajtimin e gjaqeve.

 

Autori lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë.

Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë.

Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Anton Çetta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe.

Në vitin 1968 e derisa doli në pension, vijoi të punonte si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.

Pikërisht letërsisë gojore popullore shqiptare i kushtoi përpjekjet më të mëdha të jetës.

Çetta la pas si autor apo si bashkautor 20 vëllime, bazë e rëndësishme për studimin e folklorit.

Ai u bë i njohur edhe si poet i letërsisë fëmijërore dhe si përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e serbo-kroatishtja.

Nga gjuha frënge përktheu disa prej veprave të Alfons Dodesë e të Gi Mopasanit, nga gjuha italiane vepra të Edmond D’Amicis e Alberto Moravias.

Nga kjo gjuhë përktheu edhe veprën lirike të Pashko Vasës “Trëndafil e gjemba”.

Që nga viti 1990 u vu në krye të aksionit mbarë popullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare dhe pajtimin e njerëzve.

Ai u bë kështu, që për së gjalli, institucion i urtisë së popullit shqiptar, zbulues i thesarit e i shpirtit të tij.

Ky autor qe njohës i thellë i shpirtit e i thesareve të kombit shqiptar, studiues e hulumtues me horizont të gjerë i kulturës e posaçërisht letërsisë shqiptare, në mënyrë të veçantë iu kushtua mbledhjes dhe studimit të folklorit shqiptar.

Shkrimtar, mbledhës e studiues i letërsisë popullore, përkthyes i jashtëzakonshëm, Anton Çetta mes tjerash shkroi :

“Në prehën të gjyshes”, “Tregime popullore të Drenicës”, “Kërkime folklorike”.

I saktë, i njerëzishëm, i drejtë, fisnik, atdhetar e besimtar mbeti në kujtesën e njerëzve e të historisë.

Gjithashtu i njerëzishëm, fisnik e dinjitoz, i dashuruar me kulturën e popullit të vet, ashtu si dhe me kulturën perëndimore e me gjithçka bën pjesë në thesarin e krijuar nga mendja e zemra njerëzore.

Anton Çetta punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës.

Më poshtë CBC ju rendit disa nga veprat e tij më të rëndësishme:

1.“Këngë dasme” I-II
2.Anekdota I “Vajtime, gjëmë dhe elegji”
3.“Rapsodi e një poeme shqiptare” të De Radës
4.“Në prehën të gjyshes” (1955)
5.“Tregime popullore të Drenicës” I-II(1963)
6.“Kërkime folklorike” (1981)
7.“Nga folklori ynë I-II” (1983-1989)

Anton Çetta u nda nga jeta në vitin 1995 në Prishtinë, sot e 26 vjet më parë, dhe në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mijëra njerëz nga Kosova.

Përpos krijimtarisë me rreth 20 libra, Çetta la pas vetes shembullin e një intelektuali atdhetar, paqe e frymëzim për gjeneratat e ardhshme.

Megjithëse Çetta pajtoi e bashkoi shumë shqiptarë, vite më vonë, shtatorja e tij i “përçau” ata.

Ideja për ta vendosur shtatoren e Anton Çettës në oborr të Institutit Albanologjik të Kosovës, i ndau shqiptarët në dy anë.

Njëra pjesë konsiderojnë se Çetta më shumë është meritor për pajtimin e gjaqeve, sesa si studiues i folklorit, dhe sipas tyre, nuk ishte e aryseshme që shtatorja e tij të vendosej në Institut.

Kurse pjesa tjetër e përkrahnin, duke thënë se “plaku i urtë” meriton edhe më shumë.

Megjithëse nuk u gjetë një vend për shtatoren e tij në Prishtinë, një bust i tij është vendosur në Rrëshen (Shqipëri).

Po ashtu, Çetta ka marrë mirënjohje e çmime për kontributin e dhënë për shqiptarët, në mesin e të cilëve me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit.

Po ashtu, për nder të tij është krijuar Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta, e cila u jepet banorëve të Kosovës dhe atyre jashtë saj, për kontributin e dhënë për pajtim mes njerëzve.

Jeta dhe vepra e Çettës është jetësuar edhe nëpër libra e këngë.

Related posts

Uran Kostreci, i fundmi autor i sonetit, u nda nga jeta

D V

NYT më 1982: KGB ka organizuar të paktën tri përpjekje për puç në Shqipëri

D V

Kur fabrika shndërrohet në Akademi të Arteve

Lea Muslija

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More