Agjencia Zhurnal.mk.

“Më shumë bën “amin” Afrim Gashi në Qeveri se sa haxhilerët në Arabi”

Shkup, 8 nëntor – Afrim Gashi, dikur i njohur si teoricieni i “bretkosës”, tani është shndërruar në xhentëlmen të Qeverisë që nuk përzihet askund edhe pse është prezent gjithkund, ka respekt të lartë për kreun e Qeverisë, me të cilin i bashkon mungesa e karizmës ndërsa i dallon koka, njëri e ka të “zhveshur” tërësisht e tjetri në proces. Nuk ka se si të përshkruhet një kryetar partie i cili më shpesh ndërron qëndrime se sa ka aftësi të krijojë mendime. Kjo ndodhë pasi shumica e qëndrimeve të tij nuk burojnë nga mendimet e tij, jo që është “demokrat”, larg qoftë të jetë “teknokrat”, por më shumë ngjanë e vepron sikurse të jetë “argat” i Qeverisë vetëm për një “copë” pushteti. Afrim Gashi nga “vatra jonë” në “qeveria jonë” vraponte nëpër oda për të ndalur migrimin, tani ka marrë përsipër çështjen e euro-integrimit, qytetarët duhet të flenë të qetë sepse kryetari Gashi është zgjuar duke punuar, shkruan Zhurnal.

 

Afrim Gashi nuk ka takat me vendosë kushte, për çdo gjë bën “amin” sepse nuk pyetet për asgjë!

“Nuk do të kushtëzojmë, do të japim mbështetje”, ishin fjalët e këtij të ashtuquajturit kryetar partie, e ka fjalën që për gjuhën shqipe që nuk ia vlen të kushtëzohet. Por, nëse mendojmë logjikisht mbase edhe ka të drejtë pjesërisht sepse e dinë “takatin” e tij që nuk ka “hall” me kushtëzu sepse dëbohet nga qeveria sikurse mos me pas qenë fare. Ai që nuk ka fuqi për kushtëzime nuk fuqi as për mbështetje, kështu mbështetja e Gashit është e barasvlershme me zero.

Kush është Afrim Gashi?

Afrim Gashi është futur në skenën politike në vitin 2015 duke qenë bashkëthemelues i një partie të re në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Besa, në krye me Bilall Kasamin, ndërkaq dy krahët e Kasamit ishin Afrim Gashi në njërën anë dhe Zejd Rexhep në anën tjetër.

Por, 4 vite më vonë kjo parti u nda dhe u përçanë në dysh, në njërën anë ngelën Afrim Gashi me Zejd Rexhepin dhe në anën tjetër i vetëm Bilall Kasami, ky i fundit fitoi procesin gjyqësor dhe i mbeti vula dhe emri i partisë. Ndërkaq, këta dy të vendosur si shok të idealit themeluan parti të re të quajtur Alternativa, por nuk përfunduan me kaq tre vite më vonë sërish u ndanë dhe u përçanë Zejd Rexhepi u largua nga Alternativa.

Nga tre shok me ideal të fuqishëm Bilall Kasami, Zejd Rexhepi e Afrim Gashi, ngelën të ndarë e të përçarë madje nuk dihet se cili mbeti pa krahë të djathtë sepse që të tre përfunduan të vetmuar. Ishin shpresa e ndryshimit u bënë shembulli përçarjes e ndarjes.

Afrim Gashi është politikani i vetëm shqiptar që kreu i partisë nacionaliste e dikur hapur anti-shqiptare, Hristijan Mickovski, e ka për qejfi, madje ai e ka propozuar edhe për kryeministër. Politikani i odave dikur të njohura si “Vatra”, Afrim Gashi, është i pëlqyer nga Mickovski, kjo mes tjerash ngjallë dilema se është i pëlqyer për nga aftësia apo pa aftësia e tij?.

Megjithatë, është për të ardhur çudi pasi partinë që e udhëheq Mickovski është partia më anti-shqiptare që ka vepruar përgjatë viteve në vend. Madje, lirshëm mund të thuhet se të gjitha rastet e montuara politike ku viktima ishin shqiptarët kanë ardhur pikërisht nga kjo parti, dhe nga ish kreu i kësaj partie Nikolla Gruevski. Afrim Gashi duke rrëfyer për jetën e tij ka treguar që dy herë e ka shkelur vetura, dhe njëherë ka rënë në bunar dhe është bërë djalë me yll në ballë, athua vallë kanë ndikuar këto raste që ia ka treguar edhe Mickovskit që ky i fundit të krijojë simpati?.

Cilën parti e udhëheq Afrim Gashi?

Partia e Gashit në krye të cilës është ky personalitet i shquar mbartë emër shpresëdhënës por ja që realiteti është krejtësisht ndryshe, pasi Alternativa nuk u pa si alternativë por ishte një klonim i partive ekzistuese që ju pëlqejnë të jenë në pushtet pa çka se kurrë nuk kanë pushtet. Duan të jenë aty ku merren vendime edhe pse e dinë që nuk merren në konsideratë mendimet e tyre. Sy hapur deri te karriget e shurdhë memecë aty ku duhet të flitet e të veprohet.

Alternativa, partia shqiptare e cila herë është opozitare e herë në pushtet, e me këtë reflekton që pozitat e kësaj partie ndryshojnë më shpesh se stinët e vitit. Alternativa është pozicionuar në qeveri duke zënë më shumë pozita se sa vota që kishte në zgjedhjet e fundit. Prandaj, kur vjen në pushtet pa besimin e popullit nuk brengosesh fare edhe për fatin e popullit. E nuk ka se si të jetë ndryshe një parti që udhëhiqet nga një kryetar me ylli në ballë.

Afrim Gashi çështjen e gjuhës shqipe e sheh të parëndësishme –

Kujtojmë që, vendi ndodhet përballë një sfide të madhe për sa i përket vazhdimit të rrugëtimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me çka Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëj ndryshimet e duhura Kushtetuese sipas asaj që është paraparë në marrëveshjen me Bullgarinë. Tani ose asnjëherë më është momenti i duhur që kur të hapet Kushtetuta të bëhet edhe largimi i përqindjes për gjuhën shqipe, por për këtë duhet burrështetas politik e jo kukulla që vallëzojnë sipas melodive që dëgjojnë.

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, i kanë kushtëzuar me ridefinimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Aktualisht, gjuha shqipe në Kushtetutë njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë.

Ndryshimet kushtetuese bëhen me dy të tretat e votave në Kuvend apo me 80 vota të deputetëve nga 120 sa janë të gjithë. Qeveria aktuale përbëhet nga 63 deputetë dhe pa mbështetjen e opozitës nuk do të mund të miratohen ndryshimet, që janë të domosdoshme.

Duhet t’ia kujtojmë shkëlqesisë së tij Gashit që nuk bëhet fjalë për kushtëzim që ka të bëjë me plotësim dëshirash apo fantazive, por kushtëzim për eliminim të diskriminimit të një elementi kryesor kombëtarë, gjuhës. /Zhurnal.mk

Related posts

Carovska në takim me drejtorët e shkollave: Me sukses filloi viti i ri shkollor me prezencë fizike

D V

MPJ-ja bullgare nuk është e informuar për nismën franceze

Redaksia

Editorial/ Të rinjtë të rëndësishëm për partitë vetëm gjatë fushatës zgjedhore

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More