Agjencia Zhurnal.mk.

Me Rusinë apo Perëndimin, me kë është Turqia?

Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë, ka një ndikim të madh mbi politikën e jashtme të Turqisë. Sjellja e balancuar e Ankarasë midis Rusisë dhe Ukrainës, e bën edhe më të vështirë menaxhimin e këtij konflikti.

 

Pavarësisht disa përpjekjeve për ndërmjetësimin e paqes midis 2 palëve, sukseset deri më tani kanë qenë të kufizuara:një shkëmbim të burgosurish, dhe një marrëveshje që lejon eksportin e drithërave ukrainase nga Odessa dhe portet fqinje, nën një mekanizëm monitorimi të ngritur në Stamboll nga Kombet e Bashkuara.

Edhe kur Rusia deklaroi se po tërhiqej nga marrëveshja, Turqia këmbënguli që ajo të vazhdojë, ndoshta me kushtin që Ukraina të mos përdorë korridoret e transportit për të fshehur sulmet ndaj flotës ruse në Detin e Zi. Këto përpjekje janë të denja për t’u lavdëruar, por si të tilla në vetvete ato nuk çojnë drejt paqes.

Nëse nuk do të ndodhin në një periudhë afatmesme, atëherë bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës do të nxiten ndoshta nga Shtetet e Bashkuara dhe jo nga Turqia, dhe kjo për shkak të furnizimeve dhe udhëzimeve thelbësore ushtarake, që Uashingtoni i ofron vazhdimisht forcave të guximshme ukrainase.

Përveç kësaj, e vërteta është se ndoshta Moska nuk do të donte që Ankaraja të ndërmjetësonte negociatat e paqes, në një kohë anëtarët e NATO-s nuk do t’i besonin domosdoshmërisht të vetmit vend që e ka dëmtuar arkitekturën e mbrojtjes së aleancës duke marrë në dorëzim raketa ruse.

Si pasojë e këtij veprimi sanksionet e pritshme të SHBA-së mbi avionët luftarakë F-35, i shkaktuan një dëm serioz forcës së saj ajrore. Megjithatë, në kohë zgjedhjesh, publiciteti ka rëndësinë e tij. Kur drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) Ëilliam Burns u takua me homologun e tij rus, Sergei Naryshkin në Ankara më 14 nëntor, agjencia turke e inteligjencës u sigurua të specifikonte se takimi u zhvillua në selinë e tyre.

Përveç kësaj, kur Ankaraja u shpreh që në fillim kundër pranimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë për arsyet e veta të brendshme, kjo e dëmtoi imazhin e Turqisë brenda aleancës në një periudhë historike për kontinentin evropian dhe botën perëndimore.

Është e pamundur që ky ngërç të marrë fund së shpejti, pasi akuzat e Turqisë ndaj Suedisë janë të lidhura ekskluzivisht me lëvizjen kurde tek kjo e fundit. Sulmi me bombë në një rrugë shumë të frekuentuar në zemër të Stambollit më 13 nëntor, tregoi edhe një herë se asnjë kauzë politike nuk mund të justifikojë vrasjen pa kriter të njerëzve të pafajshëm.

Edhe pse sulmi u dënua nga Partia Demokratike Popullore (HDP), e lidhur me kurdët, vetë udhëheqja e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë e Mbrojtjes Popullore Siriane (YPG), autoritetet e sigurisë folën menjëherë për lidhjet midis të dyshuarës së arrestuar dhe PKK-së.

Pra autoritetet turke e kanë shndërruar terrorizmin kurd në një kauzë kryesore për fushatën elektorale të vitit 2023. Hapat e ardhshëm mund të përfshijnë më shumë veprime ushtarake kundër milicive të PKK-së në Irakun e Veriut, dhe me lejen e Rusisë, ndoshta edhe në rajonin e Kobanes në Siri; një ndalim të mundshëm të HDP për të marrë pjesë në zgjedhje; mbylljen e gojës së partive opozitare dhe mediave mbi këtë temë (një ndalim u vendos menjëherë për lajmet në media mbi sulmin terrorist); dhe ripërtëritjen e akuzave kundër Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e forcave kurde siriane që luftojnë ndaj Shtetit Islamik (ISIS).

Më në përgjithësi, lufta midis “neve” dhe “atyre” do të shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një narrativë kyçe të fushatës elektorale. Ku i lë vendet evropiane dhe NATO-n ky grup i ndërlikuar çështjesh, dhe pasojat e tyre elektorale?

Politika e brendshme është si gjithmonë e para. Me inflacionin zyrtarisht në nivelin 80 për qind dhe me një politikë të gabuar të normave të interesit, ekonomia turke ndodhet në një gjendje shumë të keqe, por masat bujare për të ndihmuar të varfrit, mësuesit, studentët dhe grupet e tjera të votuesve po shpallen me bujë të madhe nga qeveria, por pa përmendur detaje mbi financimin e tyre.

Pikërisht tek këto segmente udhëheqja aktuale, synon që të fitojë votat që i nevojiten për të vazhduar qëndrimin në pushtet. Ndërkohë, kontrolli i rreptë mbi median dhe shoqërinë civile, do të garantojë që gjendja reale e ekonomisë së vendit të mos diskutohet shumë qartë. Për këtë do të ndihmojë ligji i sapo-miratuar mbi keqinformimin.

Politika e jashtme e Turqisë do të vihet në shërbim të imperativave të brendshme politike, për të treguar se në momente të vështira vendi ka nevojë për një lidership të aftë t’i rezistojë presionit të forcave të jashtme dhe për të imponuar kursin e vet të pavarur.

Disa raste do të shfrytëzohen enkas për të mbledhur kombin rreth flamurit, dhe për t’i mbyllur gojën koalicionin opozitar:mosmarrëveshjet për kufijtë detarë me Greqinë (nëse jo rëndësia e vetë Traktatit të Lozanës), negociatat mbi një zgjidhje me dy shtete për Qipron, dhe operacionet e reja ushtarake në veri të Sirisë.

Ironia është se narrativat më luftarake kundër Greqisë, të shoqëruara më shumë diskutime për njohjen e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të “Republikës Turke të Qipros Veriore” dhe për batalionet të dërguara në Kobane të Sirisë, do ta dëmtojnë direkt pozitën ndërkombëtare të Turqisë, si politikisht ashtu edhe financiarisht.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të propozojë si platformë elektorale koalicioni opozitar me 6 parti. Deri më tani, ky koalicion është bashkuar kryesisht nga kundërshtimi i përbashkët ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ambiciet e tij të brendshme janë të qarta – rikthim tek sistemin parlamentar, rivendosje e shtetit të së drejtës dhe lirive themelore dhe lëvizje drejt një politike ekonomike më racionale – por propozimet e saj mbi politikën e jashtme janë shumë më pak të njohura dhe kohezive.

Prandaj pritet publikimi i një platforme gjithëpërfshirëse. Nëse koalicioni opozitar do të jetë në gjendje të bashkojë veprimet e tij dhe të qëndrojë i bashkuar, ky do të jetë një test i fortë për ta por edhe për demokracinë turke.

Related posts

Fillon fushata për balotazh, liderët në mbështetje të kandidatëve të partive të tyre

D V

Nga sot të gjithë personat mbi moshën 18 vjeç mund të aplikojnë për vaksinën kundër COVID-19

D V

Haxhiu priti në takim anëtarët e Komisionit të Venecias, diskutojnë për Projektligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More