Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 29 maj – E vetëdijshme se pa shqiptarët asnjë qeveri në Maqedoninë e Veriut nuk mund të formohet dhe të mbijetojë e ka detyruar kryetarin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski që t’iu bëjë thirrje të gjitha partive, edhe atyre shqiptare për koalicion. Por a është e gatshme dhe a ka ndryshuar kjo parti që të bashkëveproj në të ardhmen me shqiptarët!
VMRO DPMNE iu bën ftesë të gjithëve që t’i bashkohen kundër Zaevit
Kryetari i VMRO-DPMNE, Mickoski sqaroi se nëse ekziston një qëllim i përbashkët që është largimi i Zaevit dhe LSDM-së nga pushteti, lufta kundër korrupsionit dhe ngecjes në vend, atëherë VMRO-DPMNE është e gatshëm të ulet dhe të komunikojë për ndryshimet e përbashkëta.
Mickoski theksoi se VMRO-DPMNE është e gatshme të flasë jo vetëm me të Majtën, por edhe me të gjitha partitë e tjera që identifikohen si parti që i përkasin krahut politik të opozitës dhe që duan që kjo qeveri të largohet.
Kryetari Mickoski tha se LSDM me paaftësinë e saj e solli ekonominë në një gjendje katastrofale.
Mickoski bëri një krahasim se në një familje jo të gjithë do të pajtohen me të gjithë, por përgjithësisht nëse ekziston një qëllim i përbashkët, i cili është ndërtimi i një familje, atëherë dallimet tejkalohen.
Opozita kërkoi lirimin e të dënuarve në dhunën në Kuvend
Opozita ka kërkuar lirimin e të dënuarve për dhunën në kuvend më 27 prill të vitit 2017. Para katër vjetësh, demonstruesit kishin hyrë në kuvend, duke sulmuar fizikisht shumë deputetë, në mesin e të cilëve edhe liderin e atëhershëm të opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër dhe kryetarin e opozitës shqiptare, Ziadin Sela.
Atëherë protesta e VMRO DPMNE-së ishte organizuar kundër zgjedhjet së një shqiptari për kryetar të kuvendit, por edhe si refuzim për ndërrimin e pushtetit që deri atëherë drejtohej nga VMRO-DPMNE-ja, që udhëhiqej nga NIkolla Gruevski.
Për dhunën në kuvend, 16 persona, kryesisht zyrtarë të opozitës, janë dënuar me mbi 180 vjet burg, nën akuzën për “terrorizëm dhe prishje të rendit kushtetues”.
Lideri i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski tha se të dënuarit janë “njerëz të ndershëm, që kishin protestuar për mbrojtjen e rendit kushtetues”.
Ndërkohë, vazhdojnë edhe procese gjyqësore kundër drejtuesve tjerë të VMRO-DPMNE-së përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe ish-kryetarin e kuvendit, Trajko Veljanovski.
VMRO DPMNE ende frikësohet dhe nuk është e gatshme të bashkëveproj me shqiptarët
Për të bërë bashkim të opozitës, Mickoski duhet të drejtohet direkt te shqiptarët. Në formën siç e ka parashtruar kërkesën, Mickoski ende nuk e ka të qartë se ai pa shqiptarët nuk mund të rrëzojë asnjëherë pushtetin. Ai fillimisht dëshiron të bashjkojë opozitën maqedonase, e pastaj iu bën ftesë të përgjithshme shqiptarëve që të marrin pjesë në fushatën e tij për ndryshime. Megjithatë ftesa duket se nuk është ende e qartë.
Mickoski para se të kërkojë përkrahje nga shqiptarët ai duhet të dalë e të thotë troç se është për barazi të plotë të shqiptarëve në maqedonasit, se ai do ta zbatojë gjuhën shqipe ashtu siç duhet, nuk do të jetë problem për këtë parti që një nga postet kyçe të shtetit të jetë për shqiptarët, se në polici dhe ushtri ku nuk ka shqiptarë do të ketë pjesëtar shqiptarë, se do të ketë zhvillim ekonomik e kulturor të njëjtë për të gjithë dhe se do të largohet njëherë e përgjithmonë nga krimi i organizuar, nga rastet e montuara ndaj shqiptarëve.
Mickoski e di veten dhe gjendjen e partisë së tij se mendësia e tyre ende mendon me të vjetrën. Reforma është e nevojshme dhe urgjente brenda kësaj partie. Nuk ka asnjë veprim konkret që jep sinjal të qartë se VMRO DPMNE ka ndryshuar, prandaj duket se frika nga shqiptarët është ende evidente, shkruan Zhurnal.mk